Kur mëkati të përlyen zemrën…

adminDhiata e VjeterLeave a Comment

Në të vërtetë Ezdra i ishte kushtur me gjithë zemër të studjonte ligjin e Zotit, ta zbatonte në praktikë dhe të mësonte në Izrael statutet dhe dekretet.” Ezdra 7:10

Ezdra, çfarë shembulli! Ai studionte, zbatonte dhe mësonte ligjin e Zotit… Dhe gjithashtu, kishte një ndjeshmëri ndaj mëkatit për t’u vënë re.

Pasi Perëndia mban premtimin e Tij me besnikëri dhe populli i Izraelit ndërton tempullin, siç kishte ndodhur edhe më parë, populli përlyhet në mëkat.

Ata thyejnë një nga urdhërat e Perëndisë dhe martohen me gra të huaja, përziejnë popullin e shenjtë me popujt e tjerë.

Ezdra shkon përpara Perëndisë në lutje: “O Perëndia im, unë jam i pështjelluar dhe më vjen turp të ngre fytyrën time ndaj teje, o Perëndia im, sepse paudhësitë tona janë shumëzuar deri mbi kokën tonë, dhe faji ynë ka arritur deri në qiell.” (Ezdra 9:6). Dhe nuk ishte thjesht një lutje e thatë. Ai po qante dhe po binte përmbys përpara shtëpisë së Perëndisë (Ezdra 10:1).

Ezdra e kupton thellësisht gjendjen mëkatare të popullit, kupton thellësisht dhe shenjtërinë e Perëndisë. Ndaj thotë: “O Zot, Perëndia i Izraelit, ti je i drejtë, prandaj ne kemi mbetur sot, një mbetje njerëzish që kanë shpëtuar. Ja ku jemi para teje me fajin tonë, megjithëse për shkak të tij asnjë nuk mund të qëndrojë para teje!”. (Ezdra 9:15)

Për shkak të përlyerjes së zemrës sonë asnjë nuk mund të qëndrojë përpara Perëndisë. Por Ezdra dhe pse i turpëruar merr guximin të shkojë përpara Perëndisë dhe të pranojë gjendjen e mjeruar përpara Tij. Ai e di cilit Perëndi i beson. Ai e di se ka akoma shpresë…

Ai shkon përpara Zotit me shumë guxim. Dhe i kujton Perëndisë besnikërinë e Tij.

Por tani Zoti, Perëndia ynë, na ka dhënë hir për një çast të shkurtër, duke na lënë një mbetje dhe duke na dhënë një strehë në vendin e tij të shenjtë, dhe kështu Perëndia ynë i ka ndriçuar sytë tanë dhe na ka dhënë një rizgjim të vogël në skllavërinë tonë. Në të vërtetë ne ishim skllevër, megjithatë Perëndia ynë nuk na braktisi në skllavërinë tonë, por na siguroi mirëdashjen e mbretërve të Persisë, duke na rizgjuar për të ngritur përsëri shtëpinë e Perëndisë tonë, duke restauruar rrënojat e saj dhe për të na dhënë një mur mbrojtjeje në Judë dhe Jeruzalem.” (Ezdra 9:8-9)

Megjithëse mëkati ka përlyer zemrat e  mbarë popullit të Izraelit, Ezra prapë gjen fuqi të përulet përpara Zotit, dhe të kujtojë veprat e fuqishme të Perëndisë në mesin e tyre…

Po unë çfarë bëj kur e kam zemrën të përlyer me mëkat?

Si reagojmë kur mëkati na prek?

Ne kemi frikë nga përulja sepse e duam emrin tonë të mirë…

Ne duam që të tjerët të na dinë për të shenjtë.

Humbim ndjeshmërinë ndaj mëkatit, dhe në vend që ta rrëfejmë mëkatin, ne thurim gënjeshtrën ose një “mëkat tjetër” për të mbuluar mëkatin e parë.

Ezdrën e gjetën përmbys duke qarë përpara shtëpisë së Perëndisë.

Lutem që unë të jem si Ezdra!

Rreth Autorit
mm

Agustin Bushgjokaj

Agustin Bushgjokaj është nga Tropoja. Ka mbaruar studimet për drejtësi në Universitetin e Shkodrës. Ka punuar me studentët në Universitetin e Elbasanit si pjesë e lëvizjes studentore të Institutit Jeta e Re dhe ka drejtuar lëvizjen studentore në Shkodër. Aktualisht është drejtues i lëvizjes së kishëmbjelljes së IJR-së në Shkodër dhe drejtues i Kishës "Guri i Themelit" Shkodër. Eshtë i martuar me Ervisën dhe janë prindër të dy fëmijëve. Ka pasion shahun.

E mirepresim komentin tuaj...