Kur ndodhi tërmeti

adminDhiata e Re0 Comments

Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim, që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit, të mbushur me fryte drejtësie që arrihen me anë të Jezu Krishtit, për lavdi e për lëvdim të Perëndisë.” Filipianëve 1:9-11

Kur ndodhi tërmeti, unë vrapova për të marrë djalin e vogël, gruaja ime edhe vajza vrapuan për te një cep në korridor që e kemi caktuar “si vendin e sigurtë për kësi rastesh”. Qëndruam atje për ato rreth 10-sekonda (që na u duken sa një jetë) duke u lutur Zotit që të na mbronte.

“Të mbulojmë kalamajtë”, tha gruaja, në pritje të një shembje muri!

Pastaj, kur lëkundjet e katit të tetë mbaruan, nxituam të marrim telefonin edhe të lidhemi me djalin që s’e kishim në shtëpi, e familjarët tanë – për t’u siguruar që të gjithë ishin mirë. Në nxitim, harruam të dalim nga ndërtesa, kështu që përjetuam edhe goditjen e dytë, në të njëjtin cep.

Pastaj vendosëm të dalim për pak. Morëm djalin 3 vjeçar edhe gocën 13 vjeçare, çelësat e shtëpisë edhe telefonin për t’u lidhur me të afërmit. As kompjuter, as librat, as ndonjë palë rroba rezervë, as këpucë, as ushqime. Vetëm kaq. Kur të vjen përballja reale me një realitet që s’e ke nën kontroll, asnjë gjë nuk të ndihmon – as opinionet e të tjerëve, as thjesht vargjet nga Bibla të shkëputuar nga konteksti e që përmbajnë fjalën ‘tërmet” brenda (A i shikoni disa besimtarë të devotshëm, që nën ankth e pasiguri, duke mos qenë në gjendje të flenë gjumë e të interpretojnë realitetin siç duhet, shkruajnë gjithë natën vargje e citime për sigurinë?!), as copëza të së vërtetës që përfshijnë fjalët “paqe”, “siguri”, “male që s’lëvizin”, “lëkundje” – asnjë gjë nga këto nuk ka vlerë nën panik.

Ajo që ka vlerë, është bindja që krijohet tani, në kohë paqeje, se Zoti ekziston, se Ai është Dashuri, se ai tashmë ka dërguar një Mesiah, që të mund të japë jetën e tij për ne, dhe se kjo e ka përmbysur realitetin në mendjen e shumë prej nesh.

Kjo bindje, pasi rrënjoset thellë në mendjen edhe ndërgjegjen tonë, na e jep një siguri, që na ndihmon të përballojmë drithërima të forta që nuk i kemi në dorë.

Lexova një të mençur sot që thotë se duhet ta lëmë natyrën në ligjësinë e vet e të ndërtojmë një univers dashurie për Zotin e për njëri-tjetrin… e kështu të vazhdojmë të jetojmë ditën. Unë pajtohem në sipërfaqe me thirrjen e tij – ndërsa në brendësi, kam një thirrje, sipas mendimit tim, më thelbësore: lipset një kërkim i thellë e i sinqertë për përgjigje. Ne jemi përgjegjës për shpirtin tonë – e përgjegjës për shpirtin e atyre që i konsiderojmë aq të rëndësishëm sa t’i marrim me vete në çdo lloj nxitimi.

Miq të mi, le të marrim përgjegjësi për shpirtin tonë, të kërkojmë të vërtetën, të mos lexojmë e mos recitojmë si papagallë copëza librash të shenjtë, recitime të cilat nuk na çojnë asgjëkundi – por le ta kërkojmë të gjithë të vërtetën. E kur ta kemi gjetur, aq shumë ta kemi gjetur, sa mund t’ia dalim të jetojmë në paqe me Zotin, në paqe me njëri-tjetrin, në paqe me të vërtetën, në paqe me lajmet e rreme – aq sa t’i dallojmë ato e të mos prishim gjumin kur na thërrasin komshinjtë nga paniku – kur ta kemi gjetur të gjithë të vërtetën, eja të ulemi në tavolinë e të flasim për mirësinë e Zotit që nuk e kishim njohur…

Perëndia e ka shtrirë dorën. Duhet vetëm një përpjekje serioze për ta dalluar dorën e tij. E pastaj mund të flemë rehat në mes të stuhisë.
Kur ndodhi tërmeti, u ndjeva se ishim të pregatitur… Jam i gëzuar që jemi gjallë, shëndoshë e mirë, e mund të mblidhemi të gjithë si familje për një darkë tjetër së bashku!

Frymëzuar nga statusi i gazetarit dhe aktivistit Blendi Salaj.

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...