Kur nuk të dalin planet…

adminDhiata e Re0 Comments

“Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij…. Dhe çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit, duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë, sepse ju i shërbeni Krishtit, Zotit.” Kolosianëse 3:17, 23-24

E ke parasysh kur i ke bërë planet të gjitha për ditën e nesërme: kur do ngrihesh, si do vishesh, çfarë do të hash, me kë do të dalësh, çfarë do të blesh, ku do ta pish kafen, ku do ta hash drekën e kur do të kthehesh në shtëpi?

Ishte një nga këto ditë për mua. Po prisja që çdo gjë do të “shkonte vaj”.

Ishte mbrëmja e së shtunës. Mezi po prisja të shkoja në shërbesën e së dielës, të adhuroja Zotin bashkë me të tjerët, të inkurajoheshim nga Fjala e Perëndisë dhe me njëri-tjetri, siç kemi zakon. Më vonë kafe me një grup të ngushtë miqsh.

Të nesërmen u ngrita me të shpejtë për t’u bërë gati. Akoma nuk i kisha hedhur hapat e parë kur dhoma mu rrokullis. Po humbisja ekuilibrin dhe kisha marrje mendsh. Ashtu me zor u mbajta dhe u drejtova për në kuzhinë për të ngënë mëngjesin. Më filluan të vjellat. Nuk isha në gjendje të shkoja as në banjo. Disa herë u shtira sikur s’po ndodhte asgjë, vetëm prej dëshirës që kisha për të shkuar në kishë. Për ta zbatuar ditën siç e kisha menduar…

Isha duke luftuar përtej kapacitetit tim. Doja të ecja. Koka po më rrotullohej bashkë me tavanin. Nuk dija si ta ndaloja këtë proces. Pasi nxora “vrer” për të disatën herë e kuptova që duhej të ndalesha. Nuk mund të shkoja asgjëkund. Pas një ore, u rehatova me vendimin për të mos dalë jashtë shtëpisë atë të diel.

Bëj plane shpesh. E di edhe që shpesh planet e mia nuk janë ato që Perëndia ka për mua. Por shpesh këmbëngul përsëri te ndjekja e planeve të mia, edhe kur s’mundem ti realizoj. Iu jap vlerë disa gjërave në kurriz të ca të tjerave, a thua se e di gjithmonë të mirën për vete.

Në raste të tilla, duhet t’ia kujtoj vetes se kur gjendem në të tilla rrethana, Perëndia po e kryen vullnetin e Tij ashtu siç e ka planifikuar Ai. Ai e di, që herë pas here, është më mirë për mua të pushoj sesa të ec gjithandej. Pavarësisht situatave të mia, Perëndia po e kryen vullnetin e Tij të mirë në mua.

Në situata të tilla zbuloj se nuk ka rëndësi aktiviteti që po bëj. Ka rëndësi të nderoj Perëndinë me gjithçka bëj.

Ndonjëherë e nderoj Perëndinë edhe pse nuk jam në gjendje të bëj shumë.

Kur bëj shumë gjëra dhe i bëj mirë, filloj të mendoj që po i bëj me forcat e mia, që mund t’ia dal e vetme të bëj gjithçka. Jam gati ta nderoj veten, edhe pse lavdia i takon tjetërkujt.

Në situata të tilla zbuloj vogëlsinë time. A mund ta nderoj Perëndinë edhe kur s’kam forcë për të bërë diçka? Në situata të tilla e kontrollojmë zemrën më mirë, edhe jemi në gjendje të korrigjojmë qëndrimet e gabuara të zemrës.

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

E mirepresim komentin tuaj...