Kur të afron tërmeti…

adminDhiata e Re0 Comments

“Prandaj jini gati, se Biri i njeriut do të vijë në një orë që nuk e prisni.” Ungjilli sipas Mateut, 24:44

Monda që jeton vetëm në katin e gjashtë të pallatit e gjeti veten të hedhur përtokë dhe të përplasur sa nga një anë në tjetrën kur ra tërmeti i 21 Shtatorit. E trembur natyrshëm dhe e çorientuar përpiqet të vishet përshtatshëm për të dalë jashtë si çdo grua shqiptare por nuk ka kohë, dhe nëpër shkallë takohet me komshinjtë dhe femijët që qajnë. Monda është kushërira ime dhe në mesnatë kur një tjetër lekundje e nxjerr nga krevati dhe komshinjtë po braktisin pallatin ajo telefonon dhe vjen të kalojë natën me familjen time. Tërmetet dhe trazirat janë një rast për të afruar njerëzit tek njeri-tjetri dhe gjithashtu për të reflektuar për jetën dhe vdekjen duke na afruar edhe tek Përendia.

Po të kishte ndodhur ky tërmet në një ditë jave dhe jo të shtunën suvaja që ra para fakultetit të gjeologjisë me siguri do kishte shkaktuar vdekjen e shumë studentëve që rrijnë përballë dyerve ku ranë tullat dhe suvaja që shkaterroi makinat e parkuara, dhe kjo ngjall shumë ndjenja e mendime njëkohësisht. Njerëzit natyrshëm kanë frikë nga vdekja dhe nga pamja e pashmangshme e shkaterrimit të jetës që tërmetet, tajfunet, cunamet dhe përmbytjet shkaktojnë, por njerëzit nuk janë pa përvojë dhe pa mençuri në këto gjëra. Një tendencë e zakonshme në raste të tilla frike të përgjithshme janë prodhimi dhe përpunimi i ideve të ndryshme për fundin e botës që gjejnë rastin të fryjnë përseri nëpër valet transmetuese të komunikimit që janë shumëfishuar në kohën tone. Prandaj, është me vend të kuptojmë të vërtetën dhe të ruajmë dinjitetin e një qëndrimi të pjekur dhe jo të tronditemi nga çdo frymë doktrine si femijë.

E para gjë që duhet kujtuar kur mendohet fundi i botës është që realiteti i vdekjes njerëzore është një mësues i mençurisë qysh nga zanafilla e njeriut dhe çdo kulturë njerëzore ka ndërtuar strukturat e veta mbështëtese dhe interpretuese të jetës që vazhdon në këtë kontekst ku pashmangësia dhe paparashikueshmëria e vdekjes sundon. Dy mënyra të ndryshme të ballafaqimit me vdekjen tregojnë kontrastin e mundshëm në reagimet e njerëzve edhe sot: Filipi, mbreti i Maqedonisë, thuhet se kishte caktuar një ushtar të vinte pranë shtratit të tij sapo ai të zgjohej dhe të thoshte “Filip ti do të vdesësh një ditë, si do të jetosh sot?” dhe pa pritur përgjigje të largohej. Imagjino këtë përsëritje të përditshme të këtij rituali dhe krahasoje me vendimin e mbretit Luigj të Francës që kishte ndaluar të përmendej edhe fjala vdekje në praninë e tij. Të gjithë duhet të zgjedhin se afër cilës prej këtyre dy ekstremeve do kultivojnë mençurinë e të jetuarit në këtë botë ku vdekja është e pashmangshme. Kjo mençuri ndihmon kur diskutimi i fundit të botës ndizet here pas here nga fetë apo bestytnitë e ndryshme.

Ne jemi ndihmuar nga Jezusi kur e pyetën për fundin e botës siç regjistrohet në Ungjijtë : “… cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?” (Mateu 24:3). Përgjigjia e Jezusit kishte qëllimin të qartësonte se shumë probleme si luftëra, zi buke, murtajë dhe tërmete do ishin të pranishme, por “të gjitha këto gjëra do jenë vetëm fillimi i dhembjeve të lindjes” prandaj “ruhuni të mos shqetësoheni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin, por ende mbarimi nuk do të ketë ardhur” (Mateu 24:6,8).

Në mbyllje të këtij shpjegimi Jezusi thotë se qysh në kohën e dishepujve të tij të parë, pra qysh në shekullin e parë, këto shenja midis të tjerave do të shfaqeshin “Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë pa u realizuar të gjitha këto” (Mateu 24:34), dhe pasi të jenë realizuar këto atëhere Jezusi është gati për të ardhur “… kur t’i shihni këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje tek dera” (Mateu 24:33). Pothuajse të gjithë historianët dhe studiuesit bien dakord që shkatërrimi i Jeruzalemit me rrafshimin e tempullit në përfundim të luftërave dhe vuajtjeve të shumta në vitin 70 të shekullit të parë, bëri të qartë për dishepujt e Jezusit se këto shenja ishin plotësuar dhe tani pritej vetëm ardhja e Jezusit. Por, që askush të mos mashtrohet për kohën specifike të ardhjes se Jezusit dhe të fundit të botës shprehimisht përsëri Jezusi thotë: “Tani sa për atë ditë dhe për ateë ore, askush s’e di, as engjejt e qiejve, por vetëm Ati im” (Mateu 24:36). Tërmetet dhe trazirat e tjera pra nuk janë automatikisht si zhurma e hapjes se derës për të hyrë Jezusi dhe për të ardhur fundi i botës; ato janë ngjarje treguese të nevojës dhe urgjencës se një botë në renkim që ka nevojë për shërim dhe doktori vjen me vullnetin e tij në kohën e përcaktuar prej tij.

Bota është një krijese dhe jo një rastësi që nuk kontrollohet dot nga askush. Krijuesi është me shumë si një atë i mirë dhe jo një armik i jetës. Fundi i botës është një ditë gjykimi dhe jo një katastrofë natyrore. Tërmetet dhe trazirat, si edhe pothuajse të gjitha shenjat e tjera që përmend Jezusi se do të ndodhin para ardhjes se tij, janë të tilla që çdo brez njerëzor qysh nga shekulli i parë ka përjetuar në një masë apo tjetër dhe çdo brez me të drejtë ka pritur kthimin momental të Jezusit, që tha se do të vinte pa paralajmerim tjetër por si hajduti vjen natën “prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vije në atë ore kur ju nuk mendoni” (Mateu 24:44).
Ka një arsye pse Ati akoma pret dhe gjykatësi, që është Jezusi, nuk ka ardhur deri sot; është pikërisht sepse deshiron më shumë njerëz të ndryshojnë mendje dhe të pranojnë sakrificën e tij në kryq për mëkatin që të mos marrin dënimin që meritojnë sepse me ardhjen e tij mbaron çdo mundësi pendimi. Midis shenjave që do përmbushen para ardhjes se Jezusit shprehimisht ai thotë se “… ky ungjill i mbretëreisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëhere do të vijë mbarimi” (Mateu 24:14). A ka ardhur ky ungjill tek çdo njeri? Ndoshta ti njeh atë përson të fundit që do preket nga ungjilli dhe pastaj vjen Jezusi që është gëzim për të gjithë ata që besojnë.

Tërmetet dhe trazirat janë një rast për të afruar njerëzit tek njeri tjetri dhe tek Përendia prandaj le të bëjmë më të mirën ndërsa kemi akoma kohë.

Rreth Autorit
mm

Ylli Doçi

Ylli Doçi ka lindur në Burrel. Ka mbaruar studimet e larta në Akademinë e Arteve të bukura, Dega Skulpturë. Pavaresisht talentit të tij të spikatur në Skulpturë, pas mbarimit të studimeve iu bashkua stafit të Institutit "Jeta e Re". Ka drejtuar Institutin "Jeta e Re" për Shqipërinë dhe Kosovën, prej vitit 2006 deri në vitin 2014. Aktualisht kryen funksiononin e Presidentit të Vëllazërisë Ungjillore të Shqipëri, detyrë që e mori në vitin 2016. Ylli është një nga themeluesit e kishës Ungjillore Guri i Themelit, ku drejton gjithashtu si Pastor i kësaj kishe. Ylli ka përfunduar studimet Master për Filozofinë e Fesë nga Seminari Teologjik i Denverit, SHBA dhe ka kryer doktoraturën në Antropologji në Universitetin Europian të Tiranës. Ai jeton në Tiranë, bashkë me gruan e tij, Nikkin; dhe kanë dy fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...