“… Në rast se pranojmë të mirën nga Perëndia, pse nuk duhet të pranojmë edhe të keqen?” Jobi 2:10
“Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë. Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë. Do ta shoh unë vetë; sytë e mi do ta sodisin, dhe jo një tjetër.” Jobi 19:25-27
Dukej krejt si një mbrëmje e zakontë. Por ndryshoi pas një telefonate nga familja. Babi im ishte future në sallën e operimit. Doktorët nuk kishin dhënë shumë shpresë se ai mund të dilte gjallë prej andej.
Më ra tavani mbi kokë. Krejt papritur. Nuk e kisha menduar fare ardhjen e një lajmi të tillë. Si mund të përgatitesh për të pritur të tilla lajme?
E sa lajme të tilla marrim çdo ditë. Shumë prej miqve të mi marrë lajmin e humbjes së prindërve. Fëmijët disa të tjerë. Apo motrat e vellëzërit. Disa kanë humbur punën, pasurinë, bashkëshortët. Të tjerë kanë luftuar me kancerin.
Frika ime e fshehtë është marrja e lajmeve më të hidhura se ato që kam marrë deri tani.
Bota ku jetojmë nuk është e sigurt. Është një botë e thyer kjo e jona. E mira dhe e keqja jetojnë bashkë. Të qeshurit dhe të qarit i përjetojmë shpesh.
Sa herë dëgjoj lajme të tilla më tronditet zemra. Filloj menjëherë me pse-të e mia për Perëndinë. Pse-të për veten e për të tjerët. Jeta nuk duket si një oaz bukurie, siç mendoja kur isha e vogël.
Jobi, personazhi i hershëm biblik, megjithëse i drejtë përpara Perëndisë, mori lajme të vështira. I humbi të gjitha. Në një kohë të shkurtër nuk kishte më bagëti, pasuri, shtëpi, fëmijë! Dhe trupi iu shpërfytyrua nga sëmundja. Jobi luftoi betejat e tij të vështira. Miqtë, që u munduan ta ngushëllojnë, nuk ia dolën.
Gruaja nuk gjente dot fjalë e duhura për ta inkurajuar. Por Jobi e dinte mirë se përballja me Perëndinë nuk do të sillte asgjë. Jobi, i vetëm në mes të dhimbjes, gjeti fuqinë të kthente sytë nga Perëndia. Të deklaronte, m’u në mes të sfidës, se Shpëtimtari i tij, Perëndia vetë, ishte i gjallë.
Është e lehtë të besosh në kohë bollëku. Kur gjithçka ecën mirë. Por, si duket të ecësh me besim kur përballesh me vuajtjen? A mund të mbahem te premtimet e Perëndisë, në mes të betejës?
Siç shkruajti edhe Jobi vetë, “Në rast se pranojmë të mirën nga Perëndia, pse nuk duhet të pranojmë edhe të keqen?” (Jobi 2:10).
Dhe kujtesa e Jobit, se shpëtimtari jeton dhe që në fund beteja do të zgjidhet në kahun tonë, është një kujtesë që duhet mbajtur fort në ditë të vështira.
“Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë”. Jobi 19:25
Le t’i ngjajmë Jobit, në besimin e tij përballë sfidave të vështira të jetës. Në ditë kur marrim telefonata tronditëse, le të kujtojmë se Perëndia, është i vetmi person, ku besimi ynë mund të qëndrojë i palëkundur…