Letër babit rreth ungjillorëve…

Admin 2Bibla1 Comment

I dashur babi,
Ty të detyrohem një përgjigje.
E di që merakosesh lehtë. Në rastin e një ngjarjeje si kjo e nënës dhe vajzave në Kombinat, ke të drejtë të merakohesh.

Rrethanat e një historie tragjike

Babi, ka disa detaje në këtë histori që janë të vështira për t’i shjelluar. Nuk e di arsyen e veprimeve të pashembullta të tyre. Nuk i di rrethanat e ngjarjes, nuk di motivet, nuk e di dhe nuk e shpjegoj dot, sepse njohuria që kam (në këtë rast edhe njohuria për besimin tim dhe të gjitha besimat e tjera kryesore, të cilat i kam studiuar) nuk i rrok dot përmasat e ngjarjes.
Këto ditë kam menduar se edhe disa që kanë nxituar për të dhënë përgjigje – duke marrë në intervistë familjarë të tronditur, deklaratat e vajzës që ka mbijetuar, e cila është e tronditur – nuk ia kanë dalë me sukses.
Ndërsa autoritetet gjejnë përgjigje, ndoshta duhet t’i lëmë të vdekurit të shkojnë në paqe, e të gjallët të jetojnë…
Kam përshtypjen se disa njerëz, më shumë sesa përpiqen të sqarojnë të vërtetën e atyre grave, kanë frikë se themelet e jetës së tyre nuk janë atje ku duhet… ndaj, siç bëjnë ata që janë të pasigurt, gjejnë një lloj sigurie të rreme duke sulmuar të tjerët…

Kaq për ngjarjen. Çdo gjë tjetër përtej asaj që kam shkruar është spekullim që s’na hyn në punë as mua e as ty.

Rreth ungjillorëve siç i njoh unë

Unë desha të të heq merakun për përfshijen e ungjillorëve në këtë histori. Më saktë, të të heq merakun, për përfshirjen time me ungjillorët, meqë jemi përfolur këto ditë.

Siç e di, unë jam ungjillor prej më shumë 24 vitesh. Gjatë këtyre viteve, kam praktikuar, lexuar, studiuar dhe kam folur me të tjerët për besimin. E vërteta e besimit duhet pikërisht për ditë të tilla tronditëse. Po të tregoj ato që di, të cilat kanë rëndësi në këtë moment.

E para, unë dhe ungjillorët e çmojmë shumë të vërtetën.

Cilado qoftë përfshirja e disave në këtë histori, ne nuk kemi frikë nga e vërteta. Dëgjova një gazetar, i cili pyeste një pastor: “Kemi gjetur libra fetarë në shtëpinë e këtyre grave, prandaj feja ka lidhje…”. Siç e di ti babi, në shtëpinë time gjenden libra të ungjillorëve, të myslimanëve, të ateistëve, të të pafeve, të disa shkrimtarëve të njohur e të disa të tjerëve që s’kanë shumë emër. Në shtëpinë time gjenden disa libra edhe të këtij gazetarit ateist… Por librat e tij në shtëpinë time s’do të thonë me siguri se jam ateist dhe mendoj si ai. I kemi librat, sepse çmojmë të vërtetën dhe duam të informohemi. Ndaj dhe nuk kemi ndonjë arsye për t’u stepur nga e vërteta.

E dyta, babi, nuk kemi një problem me ushqimin; as unë, as ungjillorët që njoh.

E thënë mes nesh, siç e ke vënë re, kemi një problem me ushqimin, por kjo ka lidhje me kilogramët e tepërt, të cilat duhen hequr për të mirën e trupit. Prandaj duhet t’i rrallojmë ato thirrjet në telefon, ku më thua: “Hajdeni një vizitë se ka bërë mami një ëmbëlsirë!” Ky është problemi real. Përtej kësaj, nuk ka një porosi në mësimet ungjillore se duhet të mos hamë për t’u sakrifikuar për diçka. Të gjitha ushqimet na janë lejuar, duke falënderuar thjesht e me zemër Zotin që siguron për ne.

E treta, meqë janë përmendur vargjet e Biblës në ngjarjen e Kombinatit, desha të të siguroj që ne, ungjillorët, i lexojmë ndryshe Shkrimet e Shenjta.

Ne nuk i lexojmë vargjet një e nga një, si copëza të shkëputura nga konteksti. Po t’i lexosh historitë e Biblës ashtu, mund të dalësh në përfundime të çuditshme. Por ne i mësojmë njerëzit të lexojnë historinë e Biblës të plotë, nga fillimi në fund, sepse vetëm kështu kuptohen mësimet e vyera të Perëndisë për njeriun. Meqë ti je mjeshtër i të treguarit të historive nga Dibra, besoj se e kupton idenë: të citosh një varg të vetmuar nga Bibla është si të tregosh një histori dibrane dhe ta lësh përgjysmë.

Tani, meqë e kemi qejf ta themi të vërtetën, herë pas here, ungjillorët si puna ime, për t’i rënë shkurt a për të komunikuar shpejt, ia themi njëri-tjetrit ndonjë varg jashtë kontekstit. Kemi dhe diskutime me njëri-tjetrin për vargjet… E kemi shumë qejf nënvizimin e vargjeve, të vendosurit e vargjeve në rrjetet sociale, por

asnjë mësim i doktrinës sonë, doktrinë e cila përdoret për të mësuar të tjerët në rrethet tona, nuk varet nga një pasazh i vetmuar, por nga historia e të gjithë Biblës.

E katërta, pika e tretë ka shumë rëndësi… Sepse kur e lexojmë të gjithë historinë e Biblës, e kuptojmë të vërtetën themelore se Bibla ka vlerë për ne, sepse ofron një interpretim (të saktë) të realitetit.

Të gjithë njerëzit kanë një botëkuptim, një interpretim të realitetit: disa thonë: “Jeta s’ka kuptim” prandaj, hajde, thjesht ta shtyjmë! Disa të tjerë thonë: “Jeta ka kuptim për aq kohë sa kënaqemi me të mirat materiale të kësaj bote”, prandaj të hamë e të pimë sepse kaq ka vlerë. Disa të tjerë, mendojnë se më i forti fiton, prandaj, le t’i shtypim me këmbë ata që na dalin përpara, që, me të mirat që ju marrim atyre, të mund të kënaqim veten tonë. Disa mendojnë se ka drejtësi në botë, e disa të tjerë mendojnë se drejtësia nuk ekziston.

Babi, Bibla na ka ofruar një interpretim të realitetit, që është shumë i thjeshtë: Perëndia ka krijuar botën. Bota ka zgjedhur të rebelojë ndaj Zotit, duke krijuar pikëpamjen e vet alternative për realitetin – këto që përmenda më sipër janë ca shembuj! Por Perëndia, ashtu siç bën një baba i mirë, nuk ka hequr dorë nga krijesa e vet, nga fëmija i Tij, por ka zgjedhur të marrë trup njerëzor në Jezusin, ta dërgojë Jezusin në botë, që Jezusi të flasë të vërtetën për realitetin, dhe ta japë jetën e tij si kurban për padrejtësinë e njeriut, në mënyrë që kushdo që ia beson Atij jetën, të mund të ketë jetë me kuptim. Ne kemi zgjedhur të heqim dorë nga këndvështrimi ynë egoist për jetën dhe t’ia nënshtrojmë jetën tonë Atij që sakrifikoi për ne.

Kur ne takojmë të tjerë dhe iu flasim për besimin tonë, nuk e bëjmë të motivuar nga mirësia jonë, nuk reklamojmë veten tonë, modelin tonë të të jetuarit, por përpiqemi t’u themi se Zoti, për shkak të dashurisë së Tij, po përpiqet të fitojë çdo njeri dhe t’i nxjerrë nga “bota” e tyre e gënjeshtërt në një realitet ku mund të jetojnë në dashurinë e Perëndisë…

Të besuarit e Jezusit nuk na kthen në robotë – megjithëse ndonjëherë iu dukemi të çuditshëm të tjerëve. Por të jetuarit me mësimet e Jezusit, na bën natyrshëm të ndryshëm nga disa, të cilët frymëzohen nga modele të tjera. Për shembull, a e di se kur iu jam dukur i çuditshëm disa njerëzve? Kur më kanë thënë: “Sa ta vendos këtë faturën” dhe unë iu them: “Shkruaje faturën aq sa të kam paguar”. Kur më kanë thënë: “Pse nuk i vjedh dritat ti si gjithë të tjerët” dhe unë iu jam përgjigjur: “Vlerat e besimit tim e përjashtojnë vjedhjen”. Kur më kanë thënë: “Gënjeshtrat e vogla nuk kanë problem” dhe unë u kam theksuar: “Të gjitha gënjeshtrat janë problem”. Kur më kanë thënë: “Martesa është kot” dhe unë u kam shprehur: “Jam shumë i kënaqur me martesën, me jetën dhe me familjen time”. Kur më kanë kërkuar që të “mbaj pak anësi se të gjithë bëjnë kështu” dhe unë ju kam përmendur: “Perëndia të cilit i besoj nuk mban anësi”. Kur më kanë kërkuar të “mos ua vë veshin atij grupi njerëzish se askush nuk i merr ata seriozisht” dhe unë iu them : “Perëndia i ka krijuar të gjithë në imazhin e tij dhe të gjithë duhen marrë seriozisht se janë krijesa të tij”.

Ne jemi të “çuditshëm” për disa, por jo për shkak të bindjeve tona. Jemi të çuditshëm sepse e jetojmë jetën në përputhje me mësimet e Jezusit… Dhe deri tani, përveçse ndonjë pasoje të përkohshme nga njerëz të ligj që s’respektojnë as veten e tyre, nuk kemi pasur ndonjë gjë të keqe tjetër… Nuk kemi dëmtuar veten, as fëmijët, majde ndihemi të shëndetshëm e me shpresë si kurrë më parë…

E fundit, babi, vetëm për të të siguruar dhe njëherë, po ta njihnin të tjerët Jezusin siç e njohim ne, do të kishin nxituar të ishin bërë ndjekës të Tij.

Ne kemi dështuar herë pas here ta tregojmë mirësinë e Jezusit siç duhet.

Por, megjithë dështimin, ne nuk do të heqim dorë së foluri për të, sepse Ai është e vetmja shpresë për njeriun, që të mund të “shpëtojë” nga kjo botë e ligë dhe e ndyrë, drejt një realiteti, i cili na bën të jetojmë me shpresë…
Historitë e njerëzve, të cilët bëjnë zgjedhje të gabuara e tragjike për shumë arsye, do të vazhdojnë të shfaqen në lajme. Sepse realiteti pa Jezusin, fatkeqësisht, do të prodhojë zemërim, inat, vuajtje, mashtrime, ligësira, shtypje të të varfërit e të të dobëtit, vdekje, vrasje, tradhti, smirë, drejtësi të korruptuar… Por jeta me Jezusin do të sjellë paqe, mirësi, vetëkontroll, butësi, dhembshuri, dashuri… Këto janë përshkrimet biblike për dy lloje të ndryshme jetësh.

Lutem që familja jonë do të zgjedhë një jetë më afër përshkrimit të fundit…

Me dashuri,
Djali yt

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

Nëse keni pyetje rreth Ungjillorëve, na kontaktoni përmes formës së mëposhtme dhe do t’ju kthejmë përgjigje.

One Comment on “Letër babit rreth ungjillorëve…”

  1. Shkrimet e tua Afrim i çmoj dhe i vlerësoj shumë. Janë reale, të vërteta dhe të motivojnë. I lexoj çdo herë me shumë ëndje dhe mëso shumë prej tyre. Falenderoj Zotin për ty, që të ka përdorur ty për të na dhënë lajmin e mirë neve, familjes tonë. Je shumë bekim, jam e lumtur që të kam vëlla në krishtin, jo vetëm kushuri.

E mirepresim komentin tuaj...