Lulet e Krishtlindjes

adminKrishtlindja 20180 Comments

Pas takimit të kishës, burri im dhe unë çuam një tufë me lule të varri i Danielit për Krishtlindje. Kjo do të jetë Krishtlindja e tij e tretë në qiell.
Koha nuk e ka bërë mungesën e tij më pak të dhimbshme ose të padallueshme. Madje, e ka zgjeruar gjerësinë e mungesës që përjetoj. Lista e ngjarjeve, festave, vakteve, ditëve që uroj t’i kishte kaluar me ne, nuk zvogëlohet, por shtohet çdo ditë e më shumë.
Nuk ka asnjë çast që nuk jam e ndërgjegjshme që ai mungon ose që nuk ndihem sikur jam mama e pesë fëmijëve. Nuk qaj aq shumë, por pesha e mungesës së tij është njësoj si ditën kur vdiq! E dua! Si mund të mos të të mungojë dikush që e do?!
Dhe kështu, me dashuri dhe kujdes zgjodhëm lulet e Krishtlindjes për varrin e tij. Lulet nuk e kanë kurrë bukurinë e përshtatshme për një djalë kaq të ëmbël me një shpirt kaq të këndshëm. I rregullova përpara se të arrinim te varri. Brent dhe unë, të dy ramë dakord, që ai do të thoshte “saaa buuuu-kurrrr”, nëse do të shikonte lulet!

Ishte mëngjes i ftohtë. Prita në makinë sa Brent të pastronte pak barërat rreth pllakës së varrit të tij. Kishte pak barëra që duheshin hequr e ca dhe’ që ishte mbledhur mbi pllakën me simbolin e Supermenit. Sa herë që shkoj te varri i tij, zemërohem me vdekjen! E urrej me gjithë shpirt! Ndërsa Brent mbaroi, u afrova te varri. Vendosëm lulet në vazo. Pastaj u lutëm bashkë.

Lutja ime ishte e thjeshtë. Që Zoti do të më ndihmonte të isha besnike në besimin tim, pavarësisht nga ngjarjet që do më vijnë përballë. I kërkova ndihmë Zotit. Iu përgjërova që hiri i Tij të vazhdonte të ishte i mjaftueshëm. Nuk e di pse kam nevojë të dëshpëruar për Hirin e Tij… sepse edhe kur ishte gjallë Danieli, edhe pas vdekjes, çdo ditë Zoti ka qenë besnik me ne.

Nëse ke marrë pjesë ndonjëherë në ndonjë maratonë, e di se sa të tmerrshme janë kilometrat e fundit. Nëse ke lexuar historinë e maratonës që vrapova në përkujtim të Danielit, e di sesa të vështira ishin 10 km e fundit për mua. I thashë burrit tim kohët e fundit se ndjehem sikur jeta është e ngjashme me 10 km e fundit të vrapit tim. Ka shpresë, ka hir, ka edhe momente fitimtare e kohë gëzimi, por më duhet patjetër varësia në fuqinë e Zotit për të vazhduar jetën. Pesha e vajtimit është shumë e rëndë, por nuk jam pa shpresë e gëzim. Është një paradoks që nuk e kuptoj e as nuk e shpjegoj dot, por kështu është gjithsesi. 

Nuk e di arsyen por pas lutjes, i kërkova Brent që të më bënte një foto me lulet e Krishtlindjes së Danielit. Nuk e kam kërkuar kurrë këtë gjë përpara. U ktheva nga kamera, në gjunjë, dhe u luta prapë në heshtje, duke i kërkuar Zotit që do t’i qëndroja besnike Atij, do të jetoja në varësi ndaj Tij, dhe do të mbaroja garën e jetës sime mirë.

Pastaj hapa sytë. Nuk më mërzitet kurrë kur ndodh. Një ylber.
Një ylber i vogël, por prapë se prapë ylber!
Ndodh vazhdimisht. Një ylber. Fillova që qesh, pastaj të qaj, ndërsa Brent u kthye për të parë. I thashë: “Nxito të lëvizësh makinën, që t’i bëjmë një foto ylberit pa makinën… Por për pak sekonda, ylberi kishte ikur.

Perëndia është besnik. Ai është i mirë. I vërtetë! Vepron gjithmonë në përputhje me mirësinë e Tij. I drejtë. Perëndia është besnik!

Kësaj jave, një nga njerëzit e mi të preferuar nga Seminari i Dallasit u nda nga jeta. E kishte emrin Pastor Bill. Kur jetuam në qendrën studentore të shkollës, ai ishte shumë i dashur me familjen tonë. Djemtë e mi kanë kujtime shumë të bukura nga bisedat me të. Në të gjitha kujtimet dallohet tema e Gëzimit! Ai na drejtonte në kohën e adhurimit, duke i rënë trumpetës. Sillte gjithmonë gëzim. Njësoj si Danieli. Ishim më të gëzuar pasi e kishim takuar Billin. Ishte një nga mbështetësit tanë më të mëdhenj, dhe në lutje të vazhdueshme sa kohë që ishte Danieli gjallë.

Gjatë kohës kur Danieli ishte në spital, Pastor Billi na vizitoi. Ai e pa Danielin, në sallën e reanimacionit, me shumë makineri rreth e rrotull. Sa hyri në dhomë, Pastor Billi, ia mori dorën Danielit dhe filloi të qante. Mes lotësh ai na tha: “Sa e madhe duhet të jetë dashuria e Atit, që të mund të shikojë Birin e Tij në vuajtje të tilla.” E vërtetë. Nuk i kam harruar kurrë fjalët e tij.

Krishtlindja pothuajse ka ardhur. Një ditë ku kënaqemi me njëri-tjetrin, dhuratat, ushqimin e mirë dhe plot zbukurime. Një ditë për të festuar Jezusin. Në mes të festimit, le të mos harrojmë se përse erdhi Jezusi. Foshnja lindi për të vdekur! Një fëmijë që lindi që ne të kemi SHPRESË. Një foshnje që lindi për të marrë mbi vete mëkatet e botës.

Vetëm kjo shpresë është mjaftueshëm për mua për të hedhur një hap tjetër. Sa i mirë është Perëndia që e mbështjell vazhdimisht këtë shpresë për mua, në ngjyrat e një ylberi. Ylberit të Tij! Një premtim besnikërie! Nuk ngopem kurrë nga mrekullia e përkujdesjes së Tij për mua.

Ai është një Mbret i Mirë!

“At, faleminderit për dashurinë tënde. Faleminderit që e deshe botën kaq shumë sa dërgove Birin tënd të vetëm, Jezusin. Faleminderit Jezus që erdhe, që jetove një jetë të përsosur – plotësisht Perëndi, plotësisht njeri – që vdiqe në vendin tonë, për mëkatet tona, dhe që përmes besimit, të mund të pajtoheshim me ty. Faleminderit që na heq mëkatin dhe na mbështjell në drejtësinë Tënde! Hir i mahnitshëm! Faleminderit për shpresën që na sjell Krishtlindja! Fjala që u bë mish. Jezusi, Emanueli, Perëndia me ne! Faleminderit për shpresën tënde. Lutem për gjithsecilin që do të lexojë këtë përjetim, që do të mund të njohin shpresën që sjell Jezusi. Lutem që Perëndia ynë, Perëndia i gjithë shpresës do të mbushë zemrat dhe mendjet me GËZIM, dhe paqe ndërsa vendosin besimin e tyre te Ti; dhe që pas kësaj t’i mbulosh me Shpresë përmes Shpirtit tënd të Shenjtë. Faleminderit për hirin tënd. Faleminderit që vdekja nuk e ka fjalën e fundit. Faleminderit që një ditë do ta shoh Danielin prapë. Dhe pastor Billin e të gjithë shenjtorët që kanë shkuar përpara nesh. Të dua Zot! Faleminderit Jezus! Amen!” 
Gëzuar Krishtlindjen!

Ky material është përkthyer me lejen e autores, nga blogu i saj personal, në nderim të Daniel Jackson, djalit që u nda nga kjo jetë pas një semundje të pashërueshme. Mund të lexoni artikullin në këtë link dhe historinë e Danielit gjithashtu në këtë blog.

Rreth Autorit
mm

Jaci Jackson

Xheki Xhekson (Jaci Jackson) ka studiuar për mësuesi për fëmijët me nevoja të veçanta. Pasioni i saj për Zotin dhe njerëzit njihet nga të gjithë që janë afër saj. Ajo dhe burri i saj Brent kanë 5 fëmijë, njeri prej të cilëve është Danieli, të cilit i dedikohet ky shkrim.

E mirepresim komentin tuaj...