Lutja e Mbretit… për t’u kopjuar!

adminDhiata e Re, Pashka0 Comments

Ishte darka e së enjtes. Por jo e një të enjteje dosido, por e së enjtes, në të cilën do të hahej darka e të Ndormëve që quhej Pashkë. Dita, ashtu sikurse edhe gjithë java, kishte qenë shumë e ngarkuar.

Drama pritej të arrinte finalen nga momenti në moment. Kishte disa kohë tashmë që krerët e priftërinjve dhe skribët kërkonin mënyrën se si ta vrisnin, sepse kishin frikë nga populli. Sikur të mos mjaftonte kjo, por edhe një nga të dymbëdhjetët që i rrinin gjithnjë pranë, i shtyrë nga satani, shkoi të merret vesh me krerët e priftërinjve dhe me krerët e rojës, për mënyrën se si do ta tradhtonte. Ata ishin gëzuar dhe i kishin premtuar t’i jepnin para. Dhe ai kishte pranuar, dhe kërkonte rastin e volitshëm për t’ua dorëzuar pa qenë e pranishme turma. Edhe pasi kishin ngrënë darkën, mes të tijve kishte plasur sherri se kush do të ishte i pari i tyre.

Kaq do kishte mjaftuar për mua që të thosha: – Mjaft! U lodha me këta. Po sa mirë që s’isha unë, por ishte Ai, JEZUSI.

Ishte momenti i fundit, para se të dilnin për një shëtitje tek ullishta. Pasi u kishte larë këmbët, kishte mbetur edhe një gjë e fundit për t’u bërë, duke qenë se arrestimi i tij ishte çështje orësh: të lutej për ta.

Së pari,

o Atë i shenjtë, I RUAJ ata në emrin tënd, ata që më ke dhënë, që të jenë një sikurse ne! Në botë unë i kam ruajtur në emrin tënd; unë i kam ruajtur ata që ti më ke dhënë dhe askush nga ata nuk ka humbur, përveç birit të humbjes, që të përmbushej Shkrimi. Unë nuk kërkoj që ti t’i heqësh nga bota, por që ti t’i mbrosh nga i ligu.

Së dyti,

SHENJTËROI në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta. Dhe unë për ta po shenjtëroj vetveten, që edhe ata të jenë TË SHENJTËRUAR në të vërtetë.

Së treti,

unë nuk lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në mua me anë të fjalës së tyre, që të gjithë TË JENË NJË, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne, që bota të besojë se ti më ke dërguar. Dhe unë u kam dhënë lavdinë që më ke dhënë, që ata TË JENË NJË, ashtu si ne jemi një. Unë jam në ta dhe ti në mua, që të jenë të përsosur në UNITET dhe që bota të njohë që ti më ke dërguar dhe që i ke dashur, ashtu si më ke dashur mua.

Së fundi, 

o Atë, unë dua që, atje ku jam unë, TË JENË ME MUA (të përlëvduar) edhe ata që më ke dhënë, që ta shohin lavdinë time që ti më ke dhënë, sepse ti më ke dashur para themelimit të botës.

(Ungjilli sipas Gjonit 17)

Pasi e di që nuk do të kisha bërë të njëjtën gjë, pyes veten tani që e di se ç’bëri Ai, Jezusi, për mua: A po mësoj sadopak nga shembulli i Tij? A po lutem unë për ata “të tjerët” që Ati m’i ka vënë afër, duke i bërë pjesë të familjes së Tij, në kishë, në lagje, në Shqipëri dhe pastaj kudo në botë? A po lutem unë për mbrojtjen e tyre, për shenjtërimin e tyre, për unitetin e tyre dhe për përlëvdimin e tyre?

Po ti, vëlla ose motër, a po e kopjon Jezusin? Dashtë Perëndia që përgjigjja juaj të jetë “PO” ose “DO TË FILLOJ MENJËHERË”!

Rreth Autorit
mm

Toni Kole

Toni ka mbaruar studimet e larta në UT, për Biologji dhe Kimi. Pasioni i tij për shkencën, ka bërë që të jetë gjithmonë në kërkim të së vërtetës. I rritur dhe i edukuar si ateist (evolucionist), gjithnjë duke kërkuar për të vërtetën, arriti në konkluzionin se shpjegimi më i mirë për ekzistencën e botës, është ai që ka për autor, Perëndinë që paraqet krishtërimi. Diskutimi për të vërtetën nuk është kurrë një punë e lodhshme për të. Dëshira për të mësuar e ka bërë që ai të përfshihet shumë edhe në fushën dixhitale, me dëshirën për të nxitur debatin mbi të vërtetën.

E mirepresim komentin tuaj...