Lutja “urgjente” – Kur Zoti të nxjerr nga banja!

adminDhiata e Re0 Comments

Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim.” Filipianët 4:6

Ishte mbrëmja e së Hënës dhe unë gjendesha në një takim pune të vonë. Ora po shkonte 20:30 dhe mendjen e kisha tek im bir. Doja shumë t’i jepja puthjen e natës së mirë dhe t’i rrëmbeja përqafimin e ngrohtë. Bëra çantën gati, e vendosa me kujdes poshtë tavolinës së mbledhjes, dhe u largova me qetësi drejt tualetit të zyrës. Ndërtesa ishte e boshatisur dhe nëpër shkallë dëgjoja veç hapat e mi. Kapa dorezën e derës së tualetit dhe bëra ta hapë. Doreza më mbeti në dorë. Qesha! “Pikërisht ajo që më duhet sot”- thashë me vete. Me plot optimizëm, e afrova dorezën e këputur tek vendi i thyerjes dhe bëra ta hapë sërish. Dera nuk luante vendit. U përpoqa ta kap derën nga fundi i saj, asnjë rezultat. Kuptova se kisha mbetur e mbyllur në banjë dhe me siguri të tjerët në takim edhe mund të mos e kishin vënë re që nuk u largova përfundimisht. Telefonin e kisha në çantë, çantën poshtë tavolinës së mbledhjes, zërin ia kisha mbyllur për të mos shqetësuar njeri.

“O Zot, nuk jam gati për një natë apo edhe disa orë të mbyllura në banjën e zyrës.”

Në situata të tilla, kupton sa nevojë të sinqertë ke për lutje. U luta me gjithë zemër. Ashtu si çdonjëri nga ne di të lutet, kur nuk ka se ku të kapet dhe është në nevojë të dëshpëruar për ndihmë prej së larti.

“O Zot, të lutem më nxirr këtu, mos lejo të turpërohem!”

Mora disa minuta për t’iu lutur Atit tim në qiell që ma njeh zemrën dhe ma kuptonte situatën.

“Zot, do e provoj edhe njëherë. Por nëse ti ke një plan tjetër sot për mua, jam gati t’i nënshtrohem vullnetit tënd.” Buzëqesha e çliruar, sepse e dija që Ati im më kishte dëgjuar lutjen dhe e qetë se në dorën e Tij isha e sigurt. E vendosa edhe njëherë dorezën me kujdes afër vendit të thyerjes, dhe u përpoqa ta ulja. Dera u hap! Falenderova me gëzim Atin për përgjigjen e shpejtë dhe renda drejt dhomës së takimit, për të rrëmbyer çantën e kapur autobuzin.

Atë mbrëmje rruga për në shtëpi, m’u duk e shkurtër, sepse mendjen e kisha të zënë me mendime mbi lutjen. Është interesante se si situata të tilla nga jeta, na ndihmojnë të kuptojmë thelbin e komunikimit me Perëndinë, lutjen e thjeshtë e të sinqertë dhe sigurinë në emrin e Tij.

Kohët e fundit i kam mësuar tim biri se nuk ka nevojë të përsërisë pa pushim emrin tim kur ka nevojë për mua. “Mami të dëgjon, e ka mendjen tek ti, dhe sapo të lirohet nga ato që është duke bërë do të vijë menjëherë për të të ndihmuar.” Ai tani e ka kuptuar dhe thërret vetëm njëherë. Ai e di, dhe e ka parë, që mami nuk gënjen, e ka mbajtur fjalën!

Ndërsa e kam kaq të lehtë t’ia shpjegoj këtë koncept tim biri, e kam të vështirë ta kuptoj ndaj Perëndisë dhe kërkesave të mia të përsëritura ndaj Tij. Unë e di që Ai më dëgjon, e ka mendjen tek unë, më përgjigjet në kohën e Tij, dhe koha e Tij është e përsosur!

Por kur jam në mes të nevojave të mia “urgjente” e kam të vështirë të pres e më duket sikur Ai nuk më dëgjon e më duhet t’ia përsëris… e përsëris nevojën time.

Por ndonjëherë, pritja është gjithashtu dhuratë! Ndonjëherë, edhe një dorezë e thyer, është një dhuratë të cilën nuk e ke kërkuar, por për të cilën ke kaq shumë nevojë, në mënyrë që të ndalosh dhe të marrësh mësimin e duhur!

“Mënyra e  duhur për t’u lutur është të shtrish duart e tua dhe t’i kërkosh Atij, të cilin ne e njohim dhe e dimë, që ka zemrën e Babait.” Dietrich Bonhoffer

Rreth Autorit
mm

Ela Kole

Ka lindur në Kuçovë. Eshtë diplomuar pranë Universitetit të Tiranës, dega Administrim Biznesi/Menaxhim. Shërben me "Institutin Jeta e Re" që prej vitit 1999. Gjatë këtyre viteve, ka punuar me mobilizim, përkujdesje, drejtim të grupeve të ndryshme (gjimnazistë, studentë, politikanë dhe biznesmenë) dhe ka drejtuar departamente të ndryshme në nivel lokal dhe nivel kombëtar. Aktualisht punon në skuadrën e Strategjive Dixhitale. I pëlqen larmia dhe ndryshimet. Ela është e martuar me shokun e saj më të mirë dhe është nëna e një djali kureshtar, tre vjeçar.

E mirepresim komentin tuaj...