Mahnitja e të sotmes

adminDhiata e Re0 Comments

 

“Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj, për atë që do të hani ose do të pini, as për trupin tuaj, për atë që do të vishni. A nuk është vallë jeta më me vlerë se ushqimi dhe trupi më me vlerë se veshja? Vini re zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambare; megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër se sa ata? Dhe cili nga ju, me gjithë kujdesin e tij, mund t’i shtojë shtatit të tij qoftë edhe një kubit të vetëm? Pse shqetësoheni për veshjen tuaj? Vini re si rriten zambakët e fushës: ata nuk lodhen dhe nuk tjerrin; dhe unë, pra, po ju them se Salomoni vetë, me gjithë lavdinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë nga ata. Tani nëse Perëndia e vesh kështu barin e fushës, që sot është dhe nesër hidhet në furrë, vallë nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, njerëz besimpakë? Mos u shqetësoni, pra duke thënë: “Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?”. Sepse janë paganët ata që kërkojnë të gjitha këto gjëra; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen. Mos u brengosni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet.” Mateu 6:25-34

 

Ishim duke u ngjitur malit. Këmbët po na rrëshqisnin prej baltës. Por sytë magjepseshin me pamjen përpara nesh. Pemët e veshura në myshk dukeshin sikur rënkonin, me pikat e shiut mbi gjethet.

Ngjitja sa vinte e po bëhej më e vështirë. Disa ishin gati të ktheheshin. Disa donin thjesht të ndalonin e të shijonin atë copë parajse të vogël. Por grupi i kureshtarëve vazhdonte të ngjitej dhe të intrigoheshin nga ajo çfarë fshihej pas mjegullnajës. Mjegulla sa vinte e bëhej më e dendur, por pamja veç sa bëhej dhe më magjepsëse. Nuk doja t’i vinte fundi udhëtimit. Për shkak të mjegullës së dendur, tani shikonim vetëm hapësirën që shtrihej në dy hapa përpara.

Kishte mjaft ç’të shikoje dhe vetëm në këto dy metra. Kishte gjëra që të bënin të mahniteshe, ajër, pemë të larta, të vogla, lule nga më të bukurat, dhe mjegulla e mëndafshtë që dukej sikur na ndante nga pjesa tjetër e malit. Në ato dy metra distancë, kishte gurë, baltë, pemë të rrëzuara, degë pemësh të thyera, shkurre, ferra. Të gjitha mund të ta bënin ngjitjen të vështirë me raste…

Kjo përvojë më bëri të mendoj dhe një herë për mirësinë e planit të Perëndisë për jetët tona. Vetë Perëndia në vullnetin e Tij të mirë për ne, ka zgjedhur që ne të mos e parashikojmë dot të ardhmen. Shpesh, nuk shohim përtej mjegullës. Nganjëherë e humbasim durimin. Duam të dimë gjithçka. Kur do të ndodhë? Si do të ndodhë? A do të ndodhë? A do të kem një punë të mire? A do të studioj për degën që kam ëndërruar? Kush do të jetë bashkëshorti im? A do të martohem ndonjëherë? Sa fëmijë do të kem? Si do të jetë jeta ime pas 10 vitesh? A do të jetë jeta ime e sigurt dhe siç e kam imagjinuar? Po sikur të vdes?

Mund të kisha rreshtuar mijëra pyetje këtu që i takojnë të ardhmes… Por ajo që kërkon Perëndia prej nesh është të jetojmë të sotmen. Të hedhim hapat njëra pas tjetrës.

E vras mendjen shumë për të ardhmen, duke marrë kohë nga e sotmja. Harroj të investoj në të sotmen, të lutem për të sotmen, të bëj diçka për Mbretërinë e Perëndisë sot, sepse e ardhmja mund të më mbajë peng.

Siç na sygjeroi edhe Jezusi vetë, që të kërkojmë mbretërinë e Perëndisë sot (shënimi im), dhe të tjerat do të zënë vendin e vet.

E sotmja është dhurata e Perëndisë për mua. E ardhmja i takon Atij. Ai e mban të ardhmen time të sigurt, pavarësisht çfarë mund të ndodhë.

Jam e sigurt që e sotmja ka mjaft gjëra me të cilat mund të mahnitesh. Ka mjaft gjëra me të cilat do të përballesh, mjaftueshëm gjëra që të marrësh mësim. Mjaftueshëm gjëra që të sfidohesh, mjaftueshëm gjëra për t’u gëzuar.

Mahnitu me të sotmen! Qëndro me të sotmen. E ardhmja dhe shqetësimi për të i takon Perëndisë. Kur të vijë koha e duhur, Perëndia do të ta zbulojë planin e Tij për të ardhmen, ditë pas dite. Veç duhet të ecim në shtegun e Tij, me Të. Dhe të kërkojmë së pari Mbretërinë e Tij.

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

E mirepresim komentin tuaj...