Të mësosh prej Tij…

adminBibla, Dhiata e Re0 Comments

Ndodhi që, ndërsa ata po udhëtonin, Jezusi hyri në një fshat; dhe një grua, që e kishte emrin Marta, e priti në shtëpinë e vet. Ajo kishte një motër që quhej Mari, e cila u ul te këmbët e Jezusit dhe dëgjonte fjalën e tij. Por Marta, që ishte krejt e zënë nga punët e shumta, iu afrua dhe i tha: “Zot, a nuk të intereson që ime motër më la vetëm të shërbej? I thuaj, pra, të më ndihmojë”. Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe kujdesesh për shumë gjëra; por vetëm një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t’i hiqet”. Luka 10:38-42

Unë jam Marta, gruaja të cilës çdo i krishterë i ngjan. Dhe kam një motër, që quhet Mari, së cilës çdo i krishterë dëshiron t’i ngjajë.

Unë e njoh dëshirën e çdo të krishteri për të qënë si motra ime. Ndërkohë që i shoh tek rropaten në jetën e tyre njësoj si unë atë ditë, ndërsa Maria rrinte tek këmbët e Jezusit.

Mbase të krishterët e sotëm kanë frikë ta pranojnë se më ngjajnë mua. Por unë po bëja çmos që Ai të ndihej i mikpritur. I vlerësuar. Doja të bëja më të mirën time. Nuk e fsheh mërzinë që më shkaktoi indiferenca e motrës sime. As mërzinë që kisha edhe me Jezusin, që nuk i kërkoi asaj të më ndihmonte.

Kur e lexoni historinë, a nuk mendoni edhe ju, thellë në ndërgjegjen tuaj, që unë po bëja gjënë e duhur? Kush do të gatuante? Kush do të kryente shërbimin mikut në shtëpi? Sa prej nesh rropatemi, me orë të tëra, që tavolina të jetë plot e përplot kur miqtë na vizitojnë? Aq më tepër, nëse miku, do të ishte vetë Jezusi!

Ndërsa pas përgjigjes së Jezusit, ashtu si çdo i krishterë sot, mësova se çfarë vlente më shumë se gjithçka që mund të bëja unë. Atë ditë kuptova, që kur dikush vjen në shtëpinë tënde, ke dy mundësi: ose të bësh çmos për t’i treguar mikut se kush je dhe çfarë je në gjendje të bësh, ose të rrish pranë të  ftuarit dhe të dëgjosh kush është dhe çfarë mund të bëjë Ai..

Jezusi çmoi më shumë atë që bëri motra ime. Sepse Jezusi kërkon dishepuj – të krishterë që janë gati të lënë gjithçka, madje edhe traditën e mirë të të shërbyerit pa pushim, për t’u ulur te këmbët e tij e për të mësuar.

Jeta ecën shpejt. Ose do të nxitojmë të bëjmë atë që dimë – edhe në shumicën e rasteve, ajo që dimë, nuk përputhet me mësimin e Perëndisë. Ose do të nxitojmë “të ulemi të këmbët e tij” – një veprim i asaj kohe, që tregon se Maria ishte gati të dëgjonte dhe të zbatonte mësimin e Jezusit. Ishte një ndjekëse e Tij. Ishte gati të dëgjonte mësimin e Tij. T’i vinte veshin fjalëve të Tij.

Kishte më shumë rëndësi – siç ka gjithashtu më shumë rëndësi sot – që të dëgjojmë Jezusin, sesa të rëndim poshtë e përpjetë duke bërë “punë për të”. Sepse në fund të fundit, edhe puna për Zotin, duhet bërë ashtu siç kërkon Zoti, jo siç mendojmë ne që kërkon Zoti.

Prej asaj dite, kërkesa që i bëra Jezusit për ta urdhëruar Marien të bëhej Martë, m’u kthye mbrapsht, në urdhërin e Jezusit që Marta të bëhej Mari.

Sepse të dëgjuarit e fjalës së Tij, vlen më shumë se gjithë puna që mund të bësh për Të!

(Piktura shoqëruese e këtij materiali: Krishti në shtëpinë e Martës dhe Marisë, Diego Velazquez, Oil on Canvas, dimensionet 63 cm x 103.5 cm, viti 1618. Gjendet në Galerinë kombëtare të Londrës.)

Nga stafi i Lente-s

E mirepresim komentin tuaj...