Gruaja e rinisë… dhe litarët e mëkatit!

adminDhiata e Vjeter0 Comments

“Qoftë i bekuar burimi yt dhe gëzohu me nusen e rinisë sate…

Pse vallë, biri im, të biesh në dashuri me një grua që ka shkelur kurorën dhe të rrokësh gjirin e një të huaje? Sepse rrugët e njeriut janë gjithnjë përpara syve të Zotit, dhe ai vëzhgon të gjitha shtigjet e tij.

I pabesi zihet nga vetë paudhësitë e tij dhe mbahet nga litarët e mëkatit të tij.

Ai ka për të vdekur sepse nuk korrigjohet dhe do të zhduket për shkak të marrëzisë së tij.”

Fjalët e Urta 5:18, 20-23

 

“Do të kënaqemi…”, i thotë vajzës, zyrtari abuzues me pushtetin, brenda makinës me xhama të zinj, në udhëtimin drejt hotelit. Dhe pastaj bën komente rreth “gruas së shkretë” që i beson atij verbërisht…

Megjithatë, në kulturën e sotme shqiptare, duket turpi ka lidhje më shumë me nxjerrjen e së vërtetës në publik, sesa me vetë të vërtetën. Një ves i treguar botës është turp, një ves i mbajtur në fshehtësi, është shkathtësi!

Sepse duket se shumë të tjerë, mes tyre edhe figura publike e “pararoja të modernitetit” nuk e kanë problem kërkimin e kënaqësisë përtej gruas së rinisë së tyre… Duke i bërë shpesh objekte humori “gratë shtëpiake”, të modës së vjetër, që i qëndrojnë besnike familjes… Dhe burrat, që po njësoj, përkushtohen ndaj besnikërisë, i trajtojnë si një lloj qënie prehistorike që ka dalë mode…

Si ta ruaj zemrën në një mjedis të tillë, ku vetëm për zemrën nuk kujdeset kush?

Autori i Fjalëvë të Urta në Bibël, e ka paraparë këtë situatë, mijëra vite përpara, duke sygjeruar edhe çelësin e kënaqësisë. Dhe porosia e tij për të ruajtur zemrën, në thjeshtësinë e vet, është e lehtë për t’u kuptuar.

Kënaqësia është një përkushtim besnikërie që zgjat gjithë jetën, dhe jo një çast i shkurtër marrëzie. Dhe, të mos harrojmë, thotë urtësia biblike, se Zoti lart në qiell shikon rrugët e njerëzve. (Ai shikon, edhe kur ti mendon se ai nuk shikon sepse nuk egziston, por kjo është një temë për një herë tjetër!). Jo vetëm Zoti shikon, por ai ka parashikuar se gjithmonë, gjithmonë, i pabesi (ai që nuk i qëndron besnik gruas së rinisë), herët a vonë, do të ngelet peng i lakmisë.  Me këmbët e lidhura në litarin e lakmisë së tij!

Pabesia do të shpërblehet me turp – e marrëdhënie të shkatërruara – edhe nëse e vërteta nuk del shpejt në shesh… Sepse, kështu na ka krijuar Zoti, e kështu e ka parashikuar ai, natyrën e lidhjeve mes nesh… Një rast që bëhet publik, është thjesht, një rast për të na treguar pasojat e së vërtetës…

Unë nuk gëzohem me rënien e dikujt. Më shumë, gëzohem, me një rast më shumë, ku mësimi i Zotit vlen shumë më tepër se pasuritë e kësaj bote. Sepse më mëson të dua gruan time. Familjen time. Zemrën time!

Ma ruan zemrën nga mashtrimi se kënaqësia është abuzimi me të tjerët. Se bredhja pas asaj që kanë të tjerët është fillimi i rënies morale. Dhe se, në thelb, jam duke përfituar të gjitha të mirat e kësaj bote, ndërsa përkushtohem ditë për ditë për gruan time…

Zoti na e ruajttë zemrën nga mashtrimi dhe u kënaqshim me atë që kemi!

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...