Mbreti i ringjallur: Një mundësi për t’ia filluar nga e para…

adminDhiata e Re, Pashka1 Comment

Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato me gra të tjera shkuan te varri, duke sjellë erërat e mira që kishin përgatitur. Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri. Por, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus. Dhe, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, iu paraqitën atyre dy burra të veshur me rroba të ndritshme. Dhe, mbasi ato, të tmerruara, e mbanin fytyrën të përkulur për dhe, ata u thanë: “Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve? Ai nuk ështe këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile, duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë.” Dhe ato kujtonin fjalët e tij. kur u kthyen nga varri, ato ua treguan të gjitha këto gjëra të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve. Ato që u treguan apostujve këto gjëra ishin Maria Magdalena, Joana, Maria, nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që ishin me to. Por këto fjalë atyrë iu dukën si dokrra; dhe ata nuk u besuan atyre. Megjithatë Pjetri u çua, vrapoi te varri, u përkul dhe nuk pa tjetër përveç çarçafëve që dergjeshin vetëm; pastaj u largua, i mrekulluar me veten e tij për sa kishte ndodhur.” Ungjilli i Lukës 24:1-12

Një mbret i vdekur nuk vlen asgjë përveç nderimit të traditës. Gratë me erërat e mira po shkojnë drejt varrit. Të dielën herët në mëngjes.

Çfarë do mendoja në vendin e tyre?

Në traditën ku jam rritur ka një praktikë të ngjashme – ku familjarët shkojnë pranë varrit të të afërmit të tyre për të kryer nderimet të vdekurit. Eshtë thjesht një kujtim. Një nderim. Asgjë e re nuk ndodh. Çfarë ka vdekur, ka vdekur! Njëherë e përgjithmonë.

Gratë tronditen kur gjejnë gurin e varrit të rrokullisur. Trupi i Jezusit mungon. Kush e ka vjedhur të vdekurin? Vjedhja e trupit është e arsyeshme. E llogjikshme. Nuk ka mundësi tjetër. Sepse vdekjen nuk e mund dot askush.

Ah, po, hebrenjtë e besonin ringjalljen. Në ditën e fundit do të ketë ringjallje. Po deri atëherë ka vdekje…

Por, m’u aty, në vendin e vdekjes, fillon akti i fundit dramatik i së vërtetës së madhe të Jezusit. Ai do ta vulosë njëherë e mirë identitetin e tij. Do të mundë vdekjen.

“Ç’e kërkoni të gjallin midis të vdekurve? Nuk është këtu, por është ringjallur…” (v. 6)

Jezusi nuk është i vdekur. është i gjallë. Kur lutemi, nuk i lutemi një grumbulli rregullash. E parimesh. As një feje. As një libri. As një personi që ka jetuar dikur. Kur lutemi, flasim drejtpërdrejt me atë që është i gjallë edhe e ka mundur vdekjen.

A keni folur ndonjëherë me ndonjë të vdekur? Zakonisht, është një bisedë me vetëm njërin që komunikon… Të ndjekësh Jezusin, t’i lutesh Atij është një bisedë me dy persona – ne i flasim të gjallit, i gjalli na flet ne.

Në ditën e Pashkës festojmë mundësinë për të folur me Zotin e gjallë.

“… kujtohuni si ju foli… duke thënë se Biri i njeriut duhet të dorëzohet në duart e njerëzve mëkatarë, edhe të kryqëzohet dhe të ringjalljet ditën e tretë. Dhe ato kujtuan fjalët e tij” (v.6-7)

Iu kishte folur dishepujve të tij. Jua kishte treguar të gjithë historinë. Por e kishin pasur të vështirë ta besojnë. Ta kuptojnë. Si mund ta kuptonin që ai do të ringjallej fizikisht ditën e tretë?

Shpesh “i gjalli” na flet edhe ne sot. Si të sigurohemi që e kuptojmë mësimin e tij? Që i bindemi edhe kur nuk na duket e arsyeshme? E besueshme?

Kujtohuni si ju foli…

Në ditën e Pashkës festojmë mundësinë për të mësuar prej Zotit të gjallë.

Gratë u kthyen nga varri dhe iu treguan dishepujve të tjerë ngjarjen. “Dhe atyre iu dukën këto fjalë si dokrra, dhe nuk u besuan atyre.” (v.11). Sepse ishte e vështirë të besojnë që i vdekuri është ringjallur.

Por Pjetri, duket se tashmë është përshtatur me surprizat dramatike të Jezusit.

Ai shkon te varri. Shikon pëlhurat prej liri të palosura. Dhe e beson historinë. Largohet prej andej i mrekulluar.

Vetëm disa ditë përpara e kishte mohuar Jezusin. Kishte tradhëtuar mësuesin. Por, nëse Jezusi e ka mundur vdekjen, kjo është një mundësi që edhe Pjetri të fillojë nga e para. Ta mundë të keqen përmes ringjalljes së Jezusit. Të pastrojë zemrën e tij. T’i bindet së vërtetës.

Në ditën e Pashkës festojmë mundësinë për t’ia filluar nga e para…

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

One Comment on “Mbreti i ringjallur: Një mundësi për t’ia filluar nga e para…”

E mirepresim komentin tuaj...