Më ndiq! Po, deri ku?

adminDhiata e Re0 Comments

“Në të vërtetë po ju them: nuk ka asnjëri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit, a motrat, a atin, a  nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe të ungjillit, që të mos marrë tani, në këtë botë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekjet, dhe në botën e ardhshme, jetë të përjetshme” Marku 10:29.

“Unë kam vendosur të ndjek Jezusin
Unë kam vendosur të ndjek Jezusin
Dhe prapa s’do të kthehem më…”

Tingujt e këngës mbushën dhomën time. Ishte padyshim një nga versionet më të reja në shqip, një përpunim i bukur muzikor i një himni të vjetër që më kthente pas në kohë, në vitet e mia të para si e krishterë. Ato vite ishin kaq ndryshe. Shqipëria sa ishte hapur dhe kishte lënë pas komunizmin. Frynte një erë e re, erë lirie. Dukej sikur të gjithë ishim nisur drejt eksplorimit të mollëve të ndaluara, dhe besimi ishte një nga ato mollë të ndaluara për vite me radhë. Më kujtohen takimet studentore të asaj kohe, kishte vrull, gëzim, entuziazëm. Qyteti i Studentit gëlonte nga grupe studentësh të huaj e shqiptarë që kishin marrë përsipër të mos linin asnjë student pa e prezantuar me lajmin e mirë të Ungjillit.

Unë isha e re ne besim, kisha shumë pyetje e dyshime, megjithatë zemra ime i kishte paraprirë
arsyetimit logjik, por kur ato të dyja ranë në paqe me njëra tjetrën, besimi im u saldua. Sa studentë kishin kaluar në ato takime! Me sa prej tyre kishim kënduar bashkë këtë këngë duke duartrokitur e brohoritur së bashku. Në sa projekte vere kishim shkuar bashkë. E tani, një pjesë e tyre nuk e di ku janë, nuk e di as edhe nëse u kujtohet kjo këngë.

Atëherë të gjithë kënduam së bashku “Bota shkon prapa, kryqi përpara… nëse jam vetëm, vetëm do ta ndjek”.

Sot pas 20 vitesh unë kuptoj më shumë se asnjëherë tjetër se ndjekja e Jezusit nuk është thjesht një emocion i momentit, as një kërcim i përkohshëm i zemrës sonë, por është një maratonë e gjatë e shtruar dhe shënuar nga altarët e vegjël apo të mëdhenj të momenteve kyçe në jetën tonë, kur Perëndia na u shfaq si Çliruesi, Shëruesi, Mbrojtësi apo Siguruesi ynë hyjnor.

Pa këto momente themeltare, jeta ime me të do të kishte qenë një përvojë e thatë fetare, një besim që do të kalonte vetëm nga mendja ime si një sistem njohurie dhe praktikash të caktuara fetare, por pa jetë, pa transformim të jetës dhe karakterit tim. Dhe këto të fundit do të kishin qenë të pamundura nëse nuk do të kisha ndjekur Jezusin e Nazaretit.

“Lër gjithçka dhe më ndiq” e kam dëgjuar këtë disa herë në jetën time, ndonjëherë me frikë të madhe, me frikë për të ardhmen, me dhimbje për të lënë qytete, njerëz me të cilët isha lidhur shumë dhe që kishin marrë zemrën time siç ishte Prishtina. Por zëri i  Tij ishte shumë i qartë atë mëngjes të diele ndërsa këndoja në kishë. “Lër gjithçka dhe më ndiq”. Unë kisha një listë të gjërave që nuk doja të lija, dhe mes tyre edhe mobiljet dhe gjithë rraqet që kishim mbledhur gjatë viteve tona aty. O Zot, po unë e dua shumë Prishtinën, nuk jam gati. “Më ndiq”.  “Më ndiq” në Budapest, në Tiranë, në Maqedoni, Mal të Zi, Bosnje, Evropë Lindore.  Më ndiq. Jeta ime i ngjan një aventure, që shijen e mirë e lëshon pasi kapërcej frikën dhe hedh hapin e parë. A nuk ka qenë kështu, madje më e vështirë për heronjtë tanë të besimit? Për Noeun kur thirrja për ta ndjekur do të thoshte të ndërtonte një arkë të madhë për një fenomen që nuk kishte ndodhur kurrë në tokë deri atëherë si shiu? Për Abrahamin kur u thirr të lërë gjithçka dhe ta ndiqte pa ditur se kush ishte stacioni i fundit? Për Moisiun kur u thirr të kthehej tek faraoni dhe të bëhej një zë dhe instrument në duart e Perëndisë për të çliruar popullin e Izraelit që vuante në robëri? Të gjithë ata operuan në besim. Në besim nuk ka siguri në rrethana, por në Atë që të thërret.  Autori i letrës së Hebrenjve u ka kushtuar një kapitull të tërë këtyre heronjve të besimit. Dhe ai e nis kapitullin me këtë përkufizim për besimin: “Besimi është siguria e gjërave që shpresohen, bindja e gjërave që nuk shihen” Heb 11:1.

“Ja ne kemi lënë gjithçka për të të ndjekur ty” i tha Pjetri Jezusit, si për t’i thënë “shiko sa shumë kemi sakrifikuar ne për ty, ne jemi të denjë, meritojmë shumë” Dhe Jezusi iu përgjigj: “Në të vërtetë po ju them: nuk ka asnjëri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit, a motrat, a atin, a  nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe të ungjillit, që të mos marrë tani, në këtë botë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekjet, dhe në botën e ardhshme, jetë të përjetshme” Marku 10:29.

Ndihem sikur po na thotë se Perëndia është besnik dhe jo i padrejtë. A ke frikë ta ndjekësh se Ai mund të harrojë sakrificën tënde dhe të lëjë në mes të rrugës më vonë?  Po çfarë mund të lëmë për Të që Ai nuk mund të tregojë besnikërinë e Tij dhe të na e japë jo një për një, por njëqindfish? “Më ndiq”- kjo thirrje që na trazon jetën e përditshme, na prish ekuilibrat njerëzor, tek na sfidon të hidhemi me besim drejt të panjohurës, por me Atë të cilin e njohim mirë për BESNIK dhe që ka planin më të mirë për jetën tonë.

Është e lehtë të këndojmë në kishë që do ta ndjekim Jezusin. Por është paradoksale të themi me gojë e një kitarrë të shkathët që do ta ndjek, ndërkohë që rri në vend numëro, duke u menduar a të shkoj a mos të shkoj ku Ai po thërret. Është paradoksale të them që po e ndjek ndërkohë që në mendje kam të shkuarën në një studim bible, të shkuarën një herë në javë në kishë, dhënien në kishë a ndonjë misioni a misionari. Jezusi gjithmonë ishte dhe është në kërkim të të humburve, jo nëpër takime e mbledhje. Ata 12 që e ndoqën literalisht për 3 vjet dhe frymërisht deri në frymën e tyre të fundit, e ndoqën Jezusin tek shëronte të sëmurët, tek ushqente turmat, tek ringjallte të vdekurit, tek qetësonte stuhinë e i fliste detit, tek ecte mbi ujërat. E braktisën në kryq dhe u shpërndanë, por e ndoqën për gjithë jetën pasi e panë të ringjallur!

Po ti si po e ndjek Jezusin sot? A ia dallon dot gjurmët në jetën tënde? A e di se ku po të kërkon të shkelësh? A je i përfshirë në shpëtimin e shpirtrave të humbur? Sepse Jezusin nuk do ta takojmë në një vend ku Ai nuk është duke fituar një shpirt!

Lutje: At i dashur qiellor, të falenderoj për shpëtimin, për jetën e re, për premtimet dhe bekimet e tua në këtë jetë e atë që do të vijë. Unë dua të ndjek me të vërtetë Zotin tim. Të lutem më hap sytë të dalloj gjurmët e Tij në jetën time dhe zërin e thirrjen e Tij. Më jep një zemër të guximshme dhe plot besim për të ecur me të vërtetë pas Tij. Më jep një zemër për të humburit dhe më përdor tek ata që nuk të njohin Ty. Në emër të Jezusit lutem, Amen

Rreth Autorit

Rudina Bakalli

Rudina Bakalli ka lindur dhe është rritur në Fier. U diplomua për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tiranës. Ka një përvojë të gjatë pune në kontekst kombëtar dhe ndërkombëtar me Institutin Jeta e Re (Lëvizja Studentore e IJR-së në Tiranë, Korçë dhe Prishtinë, Lëvizjen “Të Rinjtë në Prag të Jetës” Tiranë dhe Lëvizjen “Agape Albania”), një organizatë e cila synon transformimin e shoqërisë ndërsa ndikon çdo njeri. Në vitin 2013 u licensua si këshilltare karriere nga “Kurora Financiare" (Crown Financial). Eshtë bashkëautore dhe kryeredaktore e Unejetoj.org dhe autore e Shigjete.com. Gjithashtu ka kontribuar herë pas here për revistën “Ilira”. Aktualisht punon në zyrë e IJR-së për Evropën Lindore dhe Rusinë, duke nxitur fillimin e lëvizjeve përmes kishave lokale. Shkrimet e saj janë pasqyrim i pasionit që ka për të ndikuar në shoqerinë shqiptare përmes mesazheve motivues dhe nxitës për të kërkuar përtej një jete sipërfaqësore dhe rastësore, drejt një jete me përmbushje dhe qëllim.

E mirepresim komentin tuaj...