Me sytë te Jezusi

adminDhiata e ReLeave a Comment

“ … Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi. Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thenë: “O Zot shpëtomë”. Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: “O njeri besimpak, pse dyshove?” Mateu 14:29-32

Në fillim shohim Pjetrin me sytë e fokusuar te Jezusi dhe që ecën mbi ujëra me guxim dhe i palëkundur në besimin e tij. Për aq kohë sa ai i mban sytë te Jezusi, ai ec mbi ujëra, shkel mbi të pamundurën, pavarësisht se çfarë ka nën këmbët e tij apo anash tij. Por, në momentin që ai e heq vështrimin e tij nga Jezusi dhe shikon botën rreth tij, ujërat dhe gjithçka tjetër poshtë këmbëve të tij, ai frikësohet dhe fillon të fundoset.

Mbi cilat ujëra po ecim?

E njëjta gjë ndodh dhe me ne ndërsa përballemi me sfida të ndryshme si problemet ekonomike, marrëdhëniet, çështjet familjare, shqetësimet shëndetësore, fatkeqësitë.
Gjëra, te cilat ndonjëherë, vijnë papritur në jetën tonë dhe na gjejnë të papërgatitur. Gjëra që na pështjellojnë mendjen dhe ligështojnë zemrën.

Një nga situatat që më ka bërë të mendoj dhe reflektoj rreth këtij pasazhi ka qënë një marrëdhënie e vështirë dhe e komplikuar me një nga miqtë e mi. Një marrëdhënie e çmuar për mua, që më shqetësonte sa here vinte në mendje time dhe që përpiqesha pa fund duke bërë të pamundurën për të mos e humbur. Por, në fakt kuptova që sa më shumë përpiqesha për ta mbajtur këtë marrëdhënie me forcat e mia, aq më e ndërlikuar bëhej. Unë isha shumë e qëllimshme për të sqaruar gjithë keqkuptimet mes nesh, isha e gatshme për të qënë pranë mikes sime, për të bërë gjëra bashkë. Por, gjërat mes nesh ndryshuan vetëm kur unë e çova këtë marrdhëdhënie në lutje te Krishti; vetëm kur në vend që të shqetësohesha, e dorëzova në duart e Tij; në vend që të dyshoja, fillova të besoja që Ai ka më të mirën për mua dhe për marrëdhënien tonë; kur diskutimet dhe debat tona i shndërruam në lutje së bashku dhe biseda të thella shpirtërore.

Ndërsa ecim përmes këtyre gjërave, ku po e mbajmë fokusin?

A jemi të fokusuar te Jezusi? A po i referohemi fjalës së Tij në përditshmërinë tonë? Apo, po bëhemi njerëz besimpak, dyshues dhe që e kemi të vështirë të qëndrojmë të fortë dhe të patundur?
Harrojmë që kemi një shpresë të gjallë në një Perëndi të gjallë tek i cili mund të mbahemi fort. Në qoftë se ne nuk do i mbajmë sytë tanë tek sfidat dhe vështirësitë tona, por do i fokusojmë te Jezusi, do i’a dalim mbanë.

Le të mos jemi njerëz besimpak, por ti mbajmë sytë tanë te Krishti, i cili jo vetëm që na jep forcë në vështirësi, por na ndihmon që të kemi një mendje të kthjellët dhe një arsyetim të shëndoshë, pa lejuar të ndikohemi dhe kultivojmë në mendjen dhe zemrën tonë gjëra që na dekurajojnë dhe që nuk vijnë prej Tij.

Por le ta ripërtërijmë mendjen tonë me të vërtetat e fjalës së tij, me premtimet e tij. Sepse aty është burimi i pashtershëm i shpresës sonë sa herë që kemi nevojë.

Rreth Autorit
mm

Vasilika Bora

Vasilika Bora ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Shkodrës. I është bashkuar stafit të Institutit "Jeta e Re" prej 13 vitesh, duke ndihmuar të rinjtë të njohin dhe të përjetojnë dashurinë e Zotit. E shijon leximin, si një pasion që e ka zanafillën që në adoleshencë. I pëlqen natyra dhe aktivitetet në natyrë. I shijon shumë bisedat e thella me miqtë dhe në mënyrë të veçantë i pëlqen të investojë dhe të ndikojë brezin e ri me vlera dhe virtyte të krishtera.

E mirepresim komentin tuaj...