Mosbesimi dhe Krishtlindja

adminDhiata e Re, Krishtlindja 20180 Comments

“Dhe ja, Elizabeta, e afërmja jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për të, që e quanin shterpë, sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme”. Atëherë Maria tha: ”Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate”. Dhe engjëlli u largua prej saj. Luka 1:36-38

Ato ditë gjëra të çuditshme po ndodhnin. Një grua e quajtur Elizabetë, e cila s’kishte mundur të ngelej shtatzanë gjatë gjithë viteve të saja martesore, më në fund po priste një fëmijë. Ajo dhe burri i saj Zakaria, ishin lutur fort për këtë fëmijë. Jashtë çfarëdolloj llogjike, Elizabeta ishte shtatzanë tashmë në moshën e pleqërisë. Atëherë kur as njëri as tjetri nuk e priste, engjëlli i Zotit lajmëroi që ato do të bëheshin me fëmijë. Madje Zakaria humbi dhe të folurin për disa kohë vetëm sepse e pati të vështirë të besonte çfarë po i thoshte engjëlli. Ai tha: ”Nga se do ta njoh këtë? Sepse unë jam plak dhe gruaja ime është e kaluar në moshë”.

Por, pavarësisht mosbesimit të Zakarias dhe moshës së kaluar të Elizabetës, për Perëndinë nuk ishte e pamundur një shtatzani në moshë të thyer. Sepse për Perëndinë asgjë s’është e pamundur.

Pastaj edhe Maria vizitohet nga një engjëll. Edhe ajo tronditet dhe i duket e pamundur lajmi që merr nga engjëlli. Të ngelet shtatzanë? Si? Dhe Maria i tha engjëllit: “Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?” Por engjëlli i thotë se asgjë s’është e pamundur për Perëndinë. Dhe Maria në fund thotë: ”…le të më ndodhë sipas fjalës sate”.

Në këtë Krishtlindje, shumë prej nesh mund të tregohen mosbesues, ashtu si Zakaria, Elizabeta apo Maria. Në padijen dhe mosbesimin tonë mund t’i drejtojmë pyetjen Perëndisë: “Po si do të bëhet e mundur kjo”?

Kemi pyetje mosbesuese, vetëm sepse sytë tanë s’mund të kapin dot fuqinë dhe madhështinë e Perëndisë Shpëtues.

Por ne e dimë tashmë që Perëndia ynë është Ai që shpëton nga vdekja. Bën të çalin të hidhet përpjetë nga gëzimi, ringjall të vdekurin. Bën një grua në moshë të kaluar të ngelet shtatzanë, një të virgjër të lindë një fëmijë. Bën të mundur shpengimin tonë nga vdekja përmes vdekjes se Birit në kryq. E sa e sa të tjera.

Ai bën të mundur gjithçka! Edhe ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe mendja i rrok dot.

Dhe neve na duhet vetëm të besojmë dhe adhurojmë këtë Perëndi madhështor.

Në këtë Krishtlindje, lutem që besimi ynë të jetë nderues ndaj Perëndisë.

Sepse te Perëndia asgjë s’është e pamundur!

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

E mirepresim komentin tuaj...