Na mëso të numërojmë ditët tona…

adminDhiata e Re, Dhiata e VjeterLeave a Comment

“Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona,
që të fitojmë një zemër plot urti.”
Lutja e Moisiut, Psalmi 90:12 

Ndonjëherë na vjen keq kur ikën një vit… përveçse kur ikën viti 2020. Nuk duket ndonjë i mërzitur që po ikën një vit i vështirë. Duket sikur presim që gjithçka do të jetë harruar në hyrje të Janarit të 2021-shit.

Por ndoshta, për aq sa mundemi, mund të mësojmë ca gjëra prej 2020-tës, të cilat do të na bëjnë punë ndërsa vazhdojmë përpara.

1. 2020-ta na mëson se kemi shumë pak gjëra në dorë. 

Ju kujtohet koha kur mendonim se mund të dalim nga shtëpia kur të duam, se nuk ka problem fare të shtyhemi pak me njëri-tjetrin në autobuzin e Unazës, se mund të largohemi nga Shqipëria kur të na mbushet mendja, se mund të shkojmë në festat që kemi qejf, se mund të përqafojmë pa merak të afërmit tanë? Ju kujtohen kohët kur mendonim se nuk sëmuremi nga asgjë, se nuk ka asnjë virus që na dëmton se jemi të rinj e të fortë, se maskat i mbajnë vetëm të huajt dhe profesionistët e fushës kur përballen me lëndë të rrezikshme?

Ky vit na mëson se kemi shumë pak gjëra në dorë.

2. 2020-ta na mëson se jetojmë në iluzion.

Fiks. Iluzion. Kujtojmë se bota që kemi në kokën tonë, bota e sigurt ku jetojmë, ku s’ndodh asnjë gjë e keqe, është e vetmja botë që ekziston.

Por bota e vërtetë është bota që sapo kemi përjetuar në këtë vit. E keqja nuk është diku larg. E keqja gjendet në mesin tonë, në realitetin ku jetojmë përditë. Se njerëzit vdesin afër nesh, se të afërmit tanë mund të largohen nga kjo botë shpejt, se nuk jemi në gjendje që t’i ruajmë aq lehtë sa mendojmë, dhe nuk jemi në gjendje t’i mbajmë këtu aq sa duam.

Se nuk jemi në gjendje të mbajmë në këtë botë as veten tonë aq sa duam.

Ky vit na mëson se kemi shumë pak gjëra në kontroll.

3. 2020-ta na mëson se e dëshirojmë me gjithë zemër një botë më të mirë.

Në mes të vuajtjes, kemi pasur mundësi të dallojmës se çfarë ia vlen vërtet ta duam me gjithë zemër. I duam njerëzit. Kemi nevojë për ta. Nuk rrimë dot pa i takuar, pa i përshëndetur, pa i përqafuar, pa i parë…

Nuk mjafton pak ajër. Duam shumë. Nuk mjafton të kemi vetëm pak orë për të lëvizur. Nuk na “vret” mungesa e lëvizjes por na vret mungesa e lirisë. Jemi krijuar për të jetuar të lirë.

Nuk mjafton të rrimë pushim. Jemi krijuar për të punuar, për të prodhuar, për t’u përpjekur ta bëjmë botën më të mirë, gjithsekush me mesazhin e vet. Nuk mjafton të rrimë. Jemi krijuar për të krijuar “botët” tona të vogla në botën e madhe që ka krijuar Zoti. 

Ky vit na mëson se e duam një botë më të mirë.

4. 2020-ta na mëson se e ardhmja nuk do të jetë e lehtë.

Përse 2021-shi do të jetë më mirë? Çfarë dimë për të që na shton shpresën? Po të kthehesh mbrapa dhe të mendosh me kujdes, bota nuk ka qenë asnjëherë një vend krejtësisht e sigurt. Se vuajtje dhe dhimbje ka pasur plot, vetëm që i kemi pasur sytë e mbyllur… sepse nuk na ka prekur kaq afër…

Përse viti që vjen do të jetë më i mirë?

Ky vit na mëson se e ardhmja mund të jetë njësoj sfiduese.

Atëherë, thjesht t’i dorëzohemi realitetit dhe të heqim dorë?

Moisiu shkroi një lutje (Psalmi 90 në Bibël) që tingëllon si lutja e duhur për një vit të sfidues si 2020-ta.

Dhe lutja e tij përmban çelësin për të jetuar me shpresë.

Në mes të lutjes, duke theksuar kontrollin e Zotit mbi botën ku jetojmë, ai bën një thirrje specifike:

“Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona,
që të fitojmë një zemër plot urti.” Lutja e Moisiut, Psalmi 90:12
Moisiu i kërkoi Zotit urtësi për të dalluar se jeta jonë është e brishtë, se nuk kemi kontroll mbi realitetin, se nuk i caktojmë dot ditët tona në këtë botë… se vetëm një ndërgjegjësim i shpirtit tonë mbi sovranitetin e Zotit mbi gjithçka, e rrjedhimisht një i jetuar i dorëzuar mbi vullnetin e Zotit sjell urtësinë që na duhet për të përballuar vitet përpara…
Atë që na e ka mësuar viti 2020 – me shpresën që e kemi mësuar – është lutja e Moisiut.
E vërteta e një jete me vlerë gjendet në dorëzimin e gjithçkaje që kemi në duart e një Perëndie të dashur.
Jezusi tregoi historinë e dikujt, i cili kishte gjithçka: hambarët plot, drithëra më shumë sesa mbanin hambarët. Dhe, kur s’kishte ku të ruante të korrat, fillon të ndërtojë hambarë të tjerë.
Dhe i tha vetes:
“Shpirti im, ke shumë të mira për shumë vite. Pusho, ha, pi e kënaqu! 
Por Perëndia i tha: “I pamend! Pikërisht këtë natë do të të merret shpirti. Po ato që grumbullove, kujt do t’i mbeten?”
Kështu u ndodh atyre që mbledhin thesare për vete dhe nuk bëhen të pasur në sytë e Perëndisë” Luka 12:19-21.
Ndoshta na duhej një vit sfidues që të gjithë të kemi mundësinë të kuptojmë se jeta nuk gjendet në sigurinë e rreme të këtij realiteti, as në iluzionet që i ndërtojmë rreth vetes, por në realitetin e ndërtimit të jetës sonë në dashurinë e Perëndisë.
Dorëzoja jetën Atij – i cili ka nën kontroll të ardhmen – dhe do të jesh i urtë.
Do të kesh shpresën në vitin që vjen, sido që të jetë e ardhmja!
Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...