Në Kërkim të Krishtlindjes së Përkryer

adminKrishtlindjaLeave a Comment

Kështu pra, unë këtë vit për pak porosita 300 kartolina Krishtlindjeje ku shkruhej: “Nga Familja Karter.”

Ne nuk jemi familja Karter.

Çdo vit unë përpiqem të arrij idenë e Krishtlindjes së përkryer. Në skenarin tim të gjitha dhuratat (dhe po them të gjitha ato) janë blerë maksimumi më 15 Dhjetor. Një ditë gatimesh mjafton për të gjitha vendet dhe njerëzit të cilët më kërkojnë t’u përgatis ëmbëlsira të rregulluara bukur. Asnjë fëmijë nuk më kërkon ndonjëherë ta ndihmoj të marrë një dhuratë për një shok klase/takim ungjillizues/mësues për të nesërmen. Të gjitha kartolinat dhe dhuratat e shokëve janë përgatitur që herët duke na dhënë mjaft kohë për të shijuar festat, për të pirë çaj dhe të lëmë Aleksën të luajë gjithë ditën këngë Krishtlindjeje.

Pastaj vijnë dëshirat më të thella. Unë dua kujtime të bukura me familjen, tradita që të gjithë i duam dhe i përdorim. Mua më merr malli për miqësitë plot gjallëri, për familjen e Norman Rokuellit të mbledhur rreth zjarrit. Atje ka unitet, dashuri dhe ngrohtësi.

Por ndonjëherë ti pothuajse porosit kartolina me emrin e dikujt tjetër mbi to. Ndonjëherë ti përpiqesh të përgatitësh një shtëpi prej keku me xhixhërfil që pothuajse të çmend. Gjithmonë duhen bërë më shumë biskota, duhen blerë më shumë dhurata, rezervat po mbarohen, tepër festa për të marrë pjesë dhe pema bie në tokë vetë (akoma të mbaj mend pemën e vitit 2014).

Pastaj vjen pjesa e sikletshme e dhuratave dhe kartolinave jo reciproke, bisedat e ftohta me pjesëtarët e familjes, prekja e temave të cilat e dimë që do të acarojnë situatën. Në tavolinë është edhe një vend tjetër bosh. Ka fluturime të humbura, pritje të papërmbushura, koordinim stresues i planeve dhe ndërveprimet e dhimbshme.

Ti fillon të pyesësh veten nëse mund ta shmangësh Krishtlindjen e këtij viti.

Por akoma duhet të përpiqesh të gjesh Krishtlindjen e përkryer.

Ajo është një Krishtlindje ku ne e kërkojmë Jezusin pa u lodhur dhe kur e gjejmë, ne ngjitemi pas Tij sikur asnjë gjë tjetër të mos ketë rëndësi. Më pas, në mund të gëzohemi në mes të kësaj bote të lodhur.

Në fund të fundit, Krishtlindja e parë nuk ishte e përsosur, por megjithatë përfundoi mirë.

Me siguri historia e Krishtlindjes nuk ishte ashtu siç e planifikoi Maria. Ajo nuk donte të ishte një nënë e vetme, e cila duhet të udhëtonte gjatë muajit të fundit të shtatzanisë, e detyruar ta lindte foshnjën e saj në një ambient që kutërbonte nga kafshët shumë larg familjes së saj.

Jozefi kurrë nuk e donte njollën e shtatzanisë të së fejuarës. Ai nuk e kërkoi udhëtimin e bezdisur për në vendlindjen e tij. Ai nuk do të zgjidhte të bëhej refugjat në Egjipt për të mbrojtur birin e tij.

Por kështu e orkestroi Perëndia dërgimin e Birit të Tij midis nesh. Dhe në fund gjithçka doli për mirë, sepse ne patëm Jezusin këtu.

Krishtlindja e përkryer është ajo ku ne gjejmë Jezusin.

Ti nuk i detyrohesh botës një shtëpi të zbukuruar apo një mori dhuratash krishtlindjeje. Ti mund t’i dërgosh asaj një fotografi e cila tregon se je dikush tjetër, por gjithsesi bota do ta dijë kush je vërtet. Ti mund ta anullosh një festë. Pema mund të jetë e shtrembër.

Ti mund t’u thuash ‘jo’ marrëdhënieve të tensionuara sepse ato e vështirësojnë fokusimin te Jezusi. Ti mund të rrezikosh të humbasësh opinionin e mirë të të tjerëve nëse nuk bashkohesh me turmën që dërgojnë kartolina krishtlindjeje, ose nëse nuk shkon edhe në një festë tjetër, por shpirti yt ka nevojë të ndalojë, të marrë frymë dhe të kujtojë çfarë është më e rëndësishme. Ti mund të largohesh nga rrëmuja dhe ta lejosh Atë të të flasë.

Krishtlindja e përkryer është ajo ku ne humbasim në mahnitje ndaj asaj që Ai ka bërë dhe shpirtrat tanë e ndjejnë vlerën e tyre. Le ta kërkojmë këtë me më shumë energji sesa ndjekim pamjen e jashtme të saj.

Pra, le të jetë Krishtlindja juaj e papërsosur dhe hapni vend për Të. Lini pa blerë ndonjë dhuratë apo dy dhe shijoni praninë e Tij. Nuk ka problem nëse thyhen disa zbukurime sepse Ai do të vijë gjithsesi. Kaloni më pak kohë me njerëzit dhe më shumë kohë me Të. Largohuni nga çfarëdo që është e lodhshme dhe prehuni në paqen e pranisë së Tij.

Lejojeni veten të zhytet në faktin që dikush ju do më shumë sesa jetën.

Meditoni mbi historinë e Krishtlindjes dhe kuptimin që ajo ka për jetën tuaj.

Gjejeni Atë, dhe do të gjeni Krishtlindjen!

Gina Butz

Përkthyer me lejen e autores. Artikulli origjinal në anglisht gjendet në linkun e mëposhtëm.

 

 

E mirepresim komentin tuaj...