Këpucët e nënës që s’më bëjnë akoma…

adminDhiata e Vjeter0 Comments

Forca dhe nderi janë rrobat e saj dhe qesh për ditët që do të vijnë. Hap gojën e saj me dituri dhe mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë. Ajo mbikqyr si shkon shtëpia e vet dhe nuk ha bukën e përtacisë. Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon duke thënë: “Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato”. Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet. I jepni frytin e duarve të saj, dhe vet veprat e saj le ta lëvdojnë te portat.” Fjalët e Urta 31:25-31

Me takat e kepucëve të stërmëdha që kërcisnin në dyshemenë e akullt të apartamentit, me fustanin e stërmadh që varej e fshinte çdo gjë që prekte, endesha në hapësirën e shtëpisë tonë, e zhytur në ëndërrime me imagjinatën lozonjare të një fëmije. Sa herë që ime më largohej, më shkonte mendja të provoja fshehurazi fustanet e saj të pakta radhitur në dollap, e këpucët a sandalet e saj me taka, duke imagjinuar të isha ajo. Kjo ishte loja ime e preferuar!

Kur më gjente të veshur ashtu, ime më buzëqeshte e më thoshte “janë të mëdha për ty, një ditë do të rritesh e do t’i kesh më të bukura se të miat.”

Cila vajzë e vogël nuk ka luajtur me rrobat e këpucët e nënës së saj?! Cila vajzë nuk ka ëndërruar të jetë si ajo?!

Nëna ime ishte një grua e thjeshtë. Nuk kishte universitet, por gjërat më të rëndësishme në jetë m’i mësoi ajo! Ajo ishte fjalëpakë, por fjalët, kuptimin dhe peshën e tyre e mësova prej saj! Ajo ishte e rezervuar, por tryeza e saj ishte plot bujari e mikpritje për mikun në çdo kohë! Shumicën e jetës e kam parë të veshur me rroba të zeza. Ajo ka humbur shumë në jetë, vëllezër, prindërit, deri tek vajzën e saj të madhe, por ama shijen e gëzimit e lumturisë e kam mësuar prej saj. E kam parë të fortë e të palëkundur mes vështirësive të shumta që i ka rezervuar jeta.

Ka luftuar me thonj për ta mbajtur në jetë të bijën e sëmurë, motrën time të madhe, është bërë mjeke, fizioterapiste, infermiere, mësuese… gjithçka për të, sepse dashuria e nënës nuk paska as kufi e as cak.

E kam parë të punonte me orë të zgjatura në një punë rraskapitëse, e prapë të kthehej në shtëpi e të punonte pa ndalesë, sepse motivi i saj ishte dashuria.

Ajo kishte më shumë arsim se im atë, vinte nga familje më e ngritur se e tij, por kurrë nuk e kam parë ta ulë, a përbuzë, a të flasë keq për të. Ajo më ka ushqyer respektin e dashurinë, më ka bërë ta shohë tim atë si heroin tim!

Të ardhurat e familjes sonë kanë qënë të pakta, por gjithnjë kemi patur me tepri për mikun. Kemi kaluar kriza ekonomike si familje, edhe për shkak të sëmundjes së motrës, apo kur im atë humbi punën, apo kur unë shkova në universitet, por kurrë nuk e kam parë të marrë borxh, sepse ajo ishte një ekonomiste e shkëlqyer e familjes sonë.

E kam parë nënën time të pikëllohet e thyhet kur motra ime ndërroi jetë në moshë te re, por edhe të dorëzohet plotësisht tek Perëndia e të marr forcë tek Ai për të vazhduar jetën!

Ajo ishte e para që na solli në familje Biblën tonë të parë. Etja e saj për të njohur Zotin dhe për ta ndjekur Atë në çdo hap më sfidon edhe sot. Sa herë që flas në telefon më tregon se çfarë ka mësuar dhe se si po lutet për ne.

Nëna ime, heroina ime, nuk është shumë ndryshe nga nënat e tjera. Ato janë heroinat tona që zgjohen herët në mëngjes e flenë vonë në mbrëmje, që bëjnë 100 punë njëherësh pa u ankuar, sakrifikojnë që ne të kemi më shumë, shqetësohen për ne dhe na duan deri në sakrifikim. Ne jemi këta që jemi për shkak të ndikimit të paçmueshëm që ato kanë në jetën tonë.

Sot, ndërsa jam bërë vetë nënë, mendja më shkon tek rrobat e këpucët e saj. Çuditërisht edhe sot dëshiroj të vesh sërish rrobat e saj, të vendosem në këpucët e saj, të bëhem si ajo. Vetëm se ato “rroba e këpucë” janë ende shumë “të mëdha”!

Rreth Autorit
mm

Ela Kole

Ka lindur në Kuçovë. Eshtë diplomuar pranë Universitetit të Tiranës, dega Administrim Biznesi/Menaxhim. Shërben me "Institutin Jeta e Re" që prej vitit 1999. Gjatë këtyre viteve, ka punuar me mobilizim, përkujdesje, drejtim të grupeve të ndryshme (gjimnazistë, studentë, politikanë dhe biznesmenë) dhe ka drejtuar departamente të ndryshme në nivel lokal dhe nivel kombëtar. Aktualisht punon në skuadrën e Strategjive Dixhitale. I pëlqen larmia dhe ndryshimet. Ela është e martuar me shokun e saj më të mirë dhe është nëna e një djali kureshtar, tre vjeçar.

E mirepresim komentin tuaj...