Nënës…

adminBibla2 Comments

Kush do të gjejë një grua të fortë dhe të virtytshme? Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve…

Forca dhe nderi janë rrobat e saj dhe qesh për ditët që do të vijnë. Hap gojën e saj me dituri dhe mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë. Ajo mbikqyr si shkon shtëpia e vet dhe nuk ha bukën e përtacisë. Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume…”

Fjalët e Urta 31:10, 25-28

 

E mbaj me vete shikim e saj ngado që shkoj!

Ai shikim i ëmbël! Duket se thotë: “Mos u shqetëso! Do t`ia dalësh!”

Sakrificat që ka bërë, sfidat që ka hasur e kanë bërë atë veç më të bukur. Veç më të mençur. E megjithëse vitet i peshojnë mbi supe, ajo nuk është mplakur në të dhënit dashuri pa kushte. Ndoshta dhënia e dashurisë dhe përkujdesjes është ajo që nënat dinë të bëjnë më së miri.

Megjithëse vitet kalojnë nëna ime vazhdon të dojë po njësoj.

Ajo nuk është e njohur nga një rreth aq i gjerë njerëzish, as nuk ka udhëtuar shumë a parë shumë, sa mund të kenë pasur mundësinë të bëjnë disa të tjerë – edhe unë vetë.

Por, diçka nëna ime di ta bëjë mirë: të japë me sakrificë për të tjerët!

E mbaj mend edhe kur isha e vogël, por edhe tani, nëna ime nuk ka patur frikë të ëndërrojë për mua dhe të besojë në mua, të më shohë të jap më të mirën aty ku jam. Më ka dhënë kurajo dhe shpresë kur shumë të tjerë nuk kanë patur besim tek unë. Ka investuar në jetën time gjer në dhembje, pa u lodhur.

E mbaj mend se si stilonte fustanin tim dhe e bënte gati që të mund ta vishja për ditën e parë të shkollës, megjithëse ajo vetë kishte kohë që s`kishte blerë një fustan të ri.

Sot ajo është rreth të 60-tave. Por çdo ditë, vazhdon të japë më të mirën e saj, vazhdon të ëndërrojë dhe besojë më të mirën, vazhdon të shohë më të mirën tek të tjerët, vazhdon të inkurajojë dhe të ndikojë me shembullin e saj.

Nuk kam frikën dhe as dyshimin më të vogël kur them se, do doja të bëhesha një grua si ajo!

Ka shumë gra të tjera si nëna ime! Janë gra apo vajza të cilat janë shembuj në mënyrën si e duan jetën dhe si i duan të tjerët rreth e rrotull tyre.

Nënat dhe gratë që Perëndia na i ka vendosur afër, mund të na mësojnë cilësi të vyera!

(Artwork by Katie m. Berggren, http://www.KmBerggren.com)

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

2 Comments on “Nënës…”

  1. Bravo zonjushe.Rrespekte prej 40 vitesh per ato qe kane lindur ne Burrel.Tema eshte mjaft e goditur.

    1. Bardhok, faleminderit që na keni komentuar. Mesazhin tuaj do t’ia përcjellim autores. Faleminderit, stafi i “lentes”.

E mirepresim komentin tuaj...