T’ia fillosh nga e para…

adminDhiata e Re, Krishtlindja 20180 Comments

“Dhe ja, në Jeruzalem ishte një njeri që quhej Simeon; Ky njeri ishte i drejtë dhe i përshpirtshëm dhe priste ngushëllimin e Izraelit; dhe Fryma e Shenjtë ishte mbi të. Dhe në mënyrë hyjnore atij i qe zbuluar nga Fryma e Shenjtë se nuk do të vdiste para se të kishte parë Krishtin e Zotit. Ai pra, i shtyrë nga Fryma, erdhi në tempull; dhe, si prindërit i prunë fëmijën Jezus për të bërë me të ato që përshkruan ligji, ai e mori në krah e bekoi Perëndinë duke thënë: “Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate, sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd që ti e përgatite përpara gjithë popujve: dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit tënd, Izraelit“. Luka 2:25-32

Iniciativat për rindërtimin e shtëpive të të varfërve janë bërë të zakonshme këto vite. Përpara disa vitesh, në Vizion Plus shfaqej një program i titulluar “Nga e para”. Në këtë program disa familjeve të varfra iu mundësua një shtëpi komode dhe funksionale. Shtëpia e tyre e re ishte krejt ndryshe nga e vjetra. Familjarët e shijonin këtë dhuratë të papritur me shumë lumturi. Ky emision televiziv ishte një lloj “shpëtimari” për disa nga hallet e tyre. Të gjitha këto përpjekje – nga programe televizive, nga organizata të ndryshme, nga organet qeveritare, megjithëse ndihmojnë shumë familje, prapë nuk ia dalin të ofrojnë ndihmë për të gjithë shqiptarët – e as bëhet fjalë të ndihmojnë gjithë njerëzit sot në botë.

Bota është “shtëpia” jonë e madhe që ka probleme të ndryshme. Bota ka nevojë për më shumë sesa një emision humanitar televiziv. Shqipëria ka nevojë për më shumë sesa një emision edukues. Secili nga ne, ka nevojë për një ndryshim si “nga e para”.

Simoni, një burrë izraelit dhe i drejtë kishte marrë një premtim që nuk do te vdiste pa e parë atë që do të sillte ndryshimin për kombet. Kur Simoni takoi Jozefin dhe Marinë në tempull ai ndjeu një gëzim të paparë sepse në duar ata mbanin atë fëmijën e veçantë, që ai priste të shikonte. Këto janë fjalët e Simonit për fëmijën:

“sytë e mi e panë shpëtimin tënd që ti e përgatite përpara gjithë popujve”.

Ky fëmijë nuk kishte ardhur me financa të shumta që të zgjidhte krizat financiare të kombeve, as nuk ishte një moralist me një listë të gjatë rregullash.

Ky fëmijë kishte ardhur që të bënte çdo gjë nga e para, duke paguar për shpenzimet e secilit prej nesh. Ky fëmijë, nuk i jep një bojë tjetër shtëpisë sonë për të mbuluar pisllëkun, por ai vetë ishte guri i qoshes për shtëpinë e re, që do të ndërtohej krejtësisht nga fillimi: një zemër e re për të gjithë ata që e duan dhe i besojnë Atij.

Kur ky fëmijë i quajtur Jezus të troket në derë edhe sot. Ai do të të thotë që ti je i zgjedhuri për një “shtëpi” të re dhe të përjetshme. Ai vetë është dhurata e Krishtlindjes për ty.

Gëzuar Krishtlindjen!

Rreth Autorit
mm

Alban Pasho

Alban Pasho është nga Përmeti. Është diplomuar për Inxhinieri Mjedisi, profili Energjitikë. Punon me Institutin "Jeta e Re" prej 17 vitesh, ku për 10 vite ka shërbyer me lëvizjen studentore të IJR-së në Vlorë dhe në Durrës. Aktualisht është pjesë e departamentit të Burimeve Njerëzore në IJR. Ka pasion leximin dhe ndonjëherë dhe të shkruarit. Është i martuar dhe ka tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...