Një foshnjë ndryshon gjithçka!

adminDhiata e Re, Krishtlindja0 Comments

“Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t`ia vesh emrin Jezus.” Luka 1:3

Krishtlindja e vitit 2012 në Teksas është një nga kujtimet e mia të parapëlqyera. Nëse po ju shkon ndër mend që ishte një “i parë” atëhere keni të drejtë. Ishte një “i parë” i paharrueshëm për familjen tonë. Festimet ishin të papritura dhe sensacionale.

Fëmijët tanë të rritur po na ftonin të mblidheshim së bashku në mënyrë që të na jepnin dhuratën që kishin përgatitur për mua dhe gruan time. Ata ishin jashtëzakonisht të paduruar dhe më kërkonin të nxitoja, por unë isha shumë i zënë në katin sipër, duke bërë gati pajimet e kameras. Më në fund iu binda lutjeve të tyre, sepse u habita nga këmbëngulja e tyre pa pushim. Kur zbrita shkallët fëmijët tanë ishin plot padurim dhe vajza jonë na dha udhëzime të qarta: “Kërkojeni dhuratën tuaj poshtë pemës së Krishtlindjes.” Kuriozë dhe të hutuar, Ivona dhe unë filluam të kërkonim poshtë pemës sonë. Gjithçka dukej e njohur. Papritur ime shoqe bërtiti: “Ja ku është! Çfarë është kjo?” Ajo ngriti lart një palë këpucë dreri.

“Ato janë këpucë për foshnja.” Iu përgjigja unë.

“Çfarë?!” bërtiti Ivona.

“Çfarë lloj këpucësh janë ato mami?” e nxiti vajza jonë.

“Vërtet? A janë këpucë bebesh?” Ivona ishte plot shpresë, por e përmbajtur në entuziazmin e saj.

Më pas, ajo e humbi krejt. Ne do të bëheshim gjyshër! Gëzimi shpërtheu i papërmbajtshëm!

Për shumë vite me rradhë ime shoqe dhe unë ishim përgatitur për ditën kur do të mbanim në krahë dhe do të kujdeseshim për nipërit dhe mbesat tona. Tashmë pothuajse i kishim humbur shpresat. Pikërisht atë mëngjes ne pamë një foshnjë në një ushqimore dhe të dy psherëtimë thellë: “Ai mund të ishte yni.” Tani pritja kishte përfunduar. Tani nuk kishim më nevojë të vështronim dhe admironim nipërit dhe mbesat e të tjerëve. Zoti po na bekonte duke na dhënë një nip ose një mbesë tonën.

Krishtlindja ka në qendër një foshnjë. Ai ishte Biri i Zotit i lindur nga një e virgjër. Lindja e Tij iu shpall Marias dhe ajo mori lajmin që do të ndryshonte botën përgjithmonë. Lajmi i lindjes së foshnjës u shoqërua nga këngët e ëngjëjve dhe dëshmitarët. Tani do të përmbushej shpresa e të gjithë brezave. Toka u mbush me gëzim, për shkak të lajmit të lindjes së një foshnje, një foshnje shumë të veçantë.

— Dr. Brus Fong
Dekan i DTS-Hjuston dhe Profesor i Shërbesave Pastorale

Ky inkurajim është përkthyer me leje nga seria e Inkurajimeve të Krishtlindjes, inkurajime të shkruara nga profesorë të Seminarit Teologjik Të Dallasit, në Dallas, SHBA.

E mirepresim komentin tuaj...