Një Krishtlindje e Varfër Plot Gëzim

adminDhiata e Re, Krishtlindja0 Comments

Por engjëlli u tha atyre: “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.” Luka 2:10–11

Krishtlindja 2007 në Harare, Zimbabve, ishte më e jashtëzakonshmja për ne. Ekonomia e atij vendi po luftonte t’i mbijetonte hiperinflacionit atë vit (354 milion përqind çdo vit). Ne pamë kartmonedhën tonë të parë një milion dollarëshe në monedhat lokale. Nuk ishte se nuk kishim para, por edhe nëse kishe para, nuk mund të blije gjë ngaqë dyqanet kishin mungesa në artikuj. Ne duhet të udhëtonim për 730 km deri në Francistoun, Botsvana, për të blerë ushqime dhe nëse po e bënim këtë, atëhere ishim si shumica e njerëzve të tjerë. Kapërcimi i kufirit ishte i vështirë dhe na duhej të arrinim shumë herët atje për të shmangur turmat e njerëzve që kalonin matanë për të blerë ushqime. Ne ishim mësuar t’i jepnim njëri–tjetrit dhurata për Ditën e Krishtlindjes, por kjo Krishtlindje nuk kishte të bënte shumë me dhuratat, sesa me dhuratën më të madhe nga të gjitha, Jezus Krishtin.

Pra, përse kjo Krishtlindje ishte më e jashtëzakonshmja nga të gjitha? Meqënëse nuk kishim gjëra materiale për të shkëmbyer duke u fokusuar te vetja, ne kishim mundësi të fokusoheshim te kuptimi i vërtetë i Krishtlindjes, dhe kjo ishte ajo që e bëri atë të paharrueshme.

Imagjinoni si do të ishte nëse në vend që t’i jepnim njëri-tjetrit dhurata, të kalonim një kohë të veçantë duke adhuruar Zotin që dërgoi Krishtin mes nesh. Koha jonë së bashku duke adhuruar Krishtin dhe duke ndarë përjetimet tona me njëri-tjetrin, ishte shumë herë më kuptimplotë këtë Krishtlindje.

Një pasazh i Shkrimit që mori një kuptim të ri atë Krishtlindje ishte: “Por engjëlli u tha atyre: “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.” (Luka 2:10–11).

Në vend që të rrëmbëheshim nga parada e gjërave materiale që e vendosnin fokusin mbi ne, këtë Krishtlindje ne mundëm të mësonim si të ishim të kënaqur dhe të festonim për dhuratën më të madhe nga të gjitha, ardhjen e Zotit tonë Jezus Krisht.

— Dr. Rodnei Orr
Kreu i Departamentit dhe Asistent Profesor i Misioneve Në Botë dhe Studimeve Ndërkulturore, Seminari Teologjik i Dallasit

Ky inkurajim është përkthyer me leje nga seria e Inkurajimeve të Krishtlindjes, inkurajime të shkruara nga profesorë të Seminarit Teologjik Të Dallasit, në Dallas, SHBA.

E mirepresim komentin tuaj...