Një mbret… dhe shpella e kusarëve!

adminBibla, Dhiata e Re, Pashka0 Comments

“Dhe Jezusi, mbasi hyri në tempull, filloi t’i dëbojë ata që shisnin dhe blinin brenda tempullit dhe përmbysi tavolinat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave. Dhe nuk lejoi asnjë që të mbarte sende nëpër tempull. Dhe i mësonte duke u thënë atyre: “Vallë nuk është shkruar: “Shtëpia ime do të quhet shtëpi e lutjes për të gjithë kombet”? Ju, përkundrazi, e keni bërë shpellë kusarësh!” Marku 11:15-17

Të dielën dashamirësit e tij e shpallën mbret.

Të hënën, “mbreti i ri” vizitoi tempullin. Vendin e pranisë së Perëndisë. Çdo ditë pelegrinët adhuronin nën muret e asaj ndërtese, që ishte qendra kombëtare dhe fetare e Izraelit prej shekujsh.

Jezusi Mbreti donte të shikonte tempullin e Perëndisë, siç duhej të ishte!

Një vend plot me adhurues të zjarrtë, të ulur në gjunjë përpara Zotit të Universit, duke kërkuar falje; ku disa të tjerë ofronin sakrifica Krijuesit, të tjerë këndonin këngë adhurimi për mrekullitë e Perëndisë, të tjerë tregonin hapjen e detit të kuq për të lejuar një grup Izraelitësh të dilnin matanë në liri, dikush i shpjegonte një miku fjalët e profetëve, dikush tjetër ndihmonte një nevojtar, të shtrirë para këmbëve të tij; disa, të pluhurosur nga një rrugë e largët, po meditonin në fund të atij rrugëtimi, rreth së vërtetës së Perëndisë së Izraelit.

Por, ndryshe nga ç’duhet të ishte, përpara tij gjendej një turmë tregëtarësh, me duar të zgjatura drejt pelegrinëve, për t’ju ofruar një kurs këmbimi të leverdisshëm; tregëtarë që shesin pëllumba për ritualin fetarë – por që e kanë mendjen më shumë te paratë që do të fitojnë në emër të Zotit të sakrificës, sesa te arsyet e sakrificës vetë; njerëz që kapin për mëngësh pelegrinët për t’iu shitur çfarë të munden në emër të adhurimit të duhur.

Një turmë njerëzit që blen një ritual krejt jashtë zemrës së ritualit.

Që shesin emrin e Perëndisë, por të mbushur xhepat e tyre. Që shesin Zotin për një grusht lekësh. Që ia bëjnë rrugëtimin shpirtëror një vizitori, një rrugë tregu që s’të çon gjëkundi!

Jezusi, mbreti i ri, në ditën e hënë pas ardhjes në Jeruzalem, po shikon me dhimbje, tempullin e Perëndisë, të kthyer në një treg mallrash.

Çfarë mendojnë të tjerët kur shikojnë vendet tona të adhurimit? Çfarë mendojnë të tjerët për Krishtin – dhe të vërtetën e Perëndisë – kur shikojnë se si jetojmë? Çfarë shikon Jezusi Mbreti te zemra jonë?

Jezusi, ndryshe nga mbretërit e kësaj bote, nuk ka interes për dukjen e adhurimit.

Jezusi do që t’ia japim Atij zemrën. Në sinqeritetin e thjeshtë të adhurimit të së vërtetës. Në jetën e thjeshtë të besimit që i flet botës.

E kundërta e një shpelle kusarësh.

Para do kohe, një djalë i ri, kur më dëgjoi të flas për Jezusin, më pyeti: “Sa paguhesh për këtë?”

Iu përgjigja: “A po më pyet, nëse marr ndonjë rrogë për t’u kujdesur për familjen si rezultat i punës që bëj, apo e ke fjalën, që unë bëj punën që bëj, thjesht sepse dikush më jep para?”

Një të riu nuk ia mbush dot mendjen me një bisedë që unë nuk e ndjek Jezusin për para.

Por të paktën, nuk dua t’ia jap mundësinë askujt, që të shikojë jetën time, dhe të dallojë një “shpellë kusarësh”.

Mbreti i ri i përmbysi shpellat e kusarëve…

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...