Një mbret i vdekur: Heshtja dëshpëruese e së shtunës

adminDhiata e Re, Pashka0 Comments

Si do ishte krishtërimi nëse historia mbaronte të shtunën?

Autorët e ungjijve kanë shkruar qindra detaje mbi të premten e Jezusit. Jezusi tradhëtohet. Arrestohet. Sorollatet sa nga një “gjyq” në tjetrin. Tallet. Pështyhet. Goditet. Rrihet. Dënohet. Nxirret jashtë qytetit. Si një kriminel. Vihet në kryq. Deri të fryma e fundit. Varrit, një tip shpelle e vogël sipas riteve të kohës, i vihet guri. Gratë largohen. Erëzat duheshin bërë gati për trupin e të vdekurit në ditën e tretë.

Pastaj, vjen e shtuna. Heshtje. Errësirë. Qetësi. Vdekje. Asgjë tjetër!

Përse dishepujt e tij nuk flasin shumë për përjetimin e tyre të shtunën? Sepse s’kanë çfarë të thonë. Endrra e tyre – Mbreti, Mesia i Perëndisë – prehet në varr. Aty ku nuk duhet të ishte. Shpresa mbaroi! Kur shpresa mungon, mbretëron heshtja!

Siç do ta shkruante Apostulli Pal, disa vite më vonë, “…por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, predikimi ynë është i kotë dhe i kotë është edhe besimi juaj.” (I Korintasve 15:14)

Dhe atë të shtunën, ndjekësit e Jezusit, ishin duke jetuar orët e kotësisë së besimit të tyre.

Si do të ishte Krishtërimi, me të vërtetën e Jezusit, të varrosur bashkë me trupin e tij?

Mund të ishte një sistem shumë i mirë besimi, ku të gjithë ne, ndjekësit e Tij, do të bënim më të mirën për botën. Nuk do të kishim përgjigje për jetën e përtejme – shumë përgjigje të sigurta – por ama, do të ndiqnim me besnikëri mësimet e një prej mësuesve më të mirë të botës. Sepse Jezusi ishte një mësues i mirë. Të gjithë ia kishin zili thellësinë e mendimit. Forcën e autoritetit. Qartësinë e mesazhit. Shpotinë e pyetjeve prej Sokrati. Magjinë e të treguarit të historive. Aftësinë për të komunikuar me të tjerët.

Një mësues i mirë! Por “të shtunën” ishte i vdekur.

Do të ishte një sistem besimi me një profet të rrallë. Jezusi mësoi fjalën e Perëndisë. Si një nga profetët. Njëri nga ata që sjell të vërtetën e Zotit për brezin e tij. Por, ndoshta, pas 2000 vjetësh, tashmë do të ishte zëvendësuar me një profet tjetër. Më të vonshëm. Më të kohës. Siç ka pasur plot profetë që kanë ardhur pas Tij, duke theksuar mësime të ngjashme e të ndryshme me ato të Jezusit.

Ishte një profet! Por “të shtunën” ishte një profet i vdekur.

Një sistem besimi ku ndjekim një njëri të mirë? Patjetër. Pse jo? Ai ishte i mirë. Askush nuk gjeti faj tek Ai. Ai është simboli i së mirës që dergjet në vuajtje padrejtësisht. A nuk i keni parë filmat rreth tij që e paraqesin saktë padrejtësinë?  Patjetër. Jezusi ishte një njeri i mirë që u vra pa asnjë arsye!

Ishte një njeri i mirë! Por “të shtunën” ishte një njeri i mirë i vdekur!

Të shtunën, ndjekësit e Jezusit rrojnë në pasiguri. Në paqartësi. Të heshtur. Sepse gjithmonë ka pasur mësues fantastik, profetë të zotit, njerëz të mirë – por të gjithë kanë vdekur. Dhe ata shpresuan se ky nuk do të vdiste. Dhe aty historia mbaron.

Vetëm ringjallja do t’i hidhte poshtë këto mundësi. Dhe atë të shtunë, dikush tjetër kishte frikë, se mos Jezusi “ringjallej”… Se mos dikush “luante” me ringjalljen.

Prijësit fetarë të Izraelit, ata që e kishin çuar Jezusin drejt vdekjes, e kuptonin se ringjallja do t’iua hidhte poshtë teologjinë që kishin ndërtuar… ndaj, të shtunën, marrin masa që askush të mos ringjallet…

Kështu, “të nesërmen, që ishte mbas ditës së Përgatitjes, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati, duke thënë: “Zot, na ra në mend se ai mashtruesi, sa ishte gjallë, tha: “Pas tri ditësh unë do të ringjallem”. Prandaj urdhëro që varri të ruhet mirë deri në ditën e tretë, se mos vijnë dishepujt e tij natën e ta vjedhin trupin dhe pastaj t’i thonë popullit: “U ringjall së vdekuri”; kështu mashtrimi i fundit do të ishte më i keq se i pari.” Por Pilati u tha atyre: “Rojen e keni; shkoni dhe e siguroni varrin, si t’ju duket më mirë.” Dhe ata, pra, shkuan dhe e siguruan varrin dhe, përveç rojës, vulosën gurin.” Ungjilli i Mateut 27:62-66.

Armiqtë e Jezusit e kanë dëgjuar deklaratën e Tij për ringjalljen. Edhe, të shtunën e heshtur, janë të vetmit që e kuptojnë, që vetëm ringjallja do të vërtetonte deklaratat e tij përpara vdekjes…

Dhe shkuan ta sigurojnë varrin! Me roje. Me vula.

Si do të ishte besimi ynë, nëse historia mbaronte të shtunën? Do të shpresonim në ringjallje kur s’kishim parë e dëgjuar kurrë të ndodhte…

Një heshtje varri!

Ndoshta është dita sot, të mendojmë, si do të ishte vërtet jeta jonë, si të krishterë, me të shtunën si fundin e historisë?

Dhe mund të fillojmë të themi “faleminderit…” për gjëra që nuk i dallojmë lehtë kur humbasim heshtjen prej varri të së shtunës!

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...