Një Perëndi At! 

adminDhiata e Vjeter0 Comments

“Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.” Isaia 41:10

Temperaturat e ulëta të atyre ditëve kishin ngrirë gjithçka. Rrugët ishin gjithë akull. Bora kur shkelej bënte krrrrkkkkrr, sikur po thyhej akull nga rëndesa e trupit. Nuk shihej këmbë njeriu rrugëve për shkak të të ftohtit. Gjithcka e ngrirë, një ngricë e frikshme…

Kur isha studente babi më përcillte gjithmonë kur nisesha për në universitet. Qëndronte  me mua derisa gjenim furgonin e rastit. Më vonë, kur u bëra e ‘zonja e vetes”, babi nuk më përcillte më. Nuk kishte fuqi të bënte gjithë atë rrugë me mua. Dhe këto ditë të ftohta, erdhi përsëri rasti. Kishte kohë që s’ishim bërë më bashkë për rrugë dhe më  kish marrë malli…

Mëngjesin që do nisesha për punë babi ishte ngritur para meje. Ishte veshur dhe bërë gati. Vajta për ta puthur e për ti thene se po nisesha. Më tha se do të vinte dhe ai me mua. Megjithëse më vinte keq që po dilte në gjithë atë acar, nuk mund ta fshihja as gëzimin. Tani, rruga nuk do të ishte e mërzitshme, as borën, as akullin, as acarin dhe erën e tërbuar, për çudi nuk e kisha më frikë. 

Babi im po vinte me mua. Babit tim zakonisht i pëlqen të ecë përpara, sidomos kur rrugët janë aty këtu të ngushta. Atë ditë ecëm duke u mbajtur tek njeri-tjetri, që të mos rrëzoheshim. Megjithatë, u rrëzova njëherë. Pikërisht kur babi po më thoshte të kemi kujdes.

Frynte shumë erë. Gishtërinjtë nuk i ndieja nga i ftohti. Babi im nuk u ankua fare. Ishte ngricë por e kisha zemrën plot duke ndjekur gjurmët e Atit tim. 

Ky udhëtim i shkurtër me atin tim më kujtoi dhe njëherë udhëtimin tonë shpirtëror. Nuk ka rëndësi nëse je i vogël, i ri apo i plakur, gjithmonë udhëtimi yt do të jetë më i bukur dhe i sigurt nëse je në shoqërinë e mirë të Atit qiellor.

Nuk ka rëndësi nëse ecim në rrebeshe, stuhi dhe ngrica. Ati do na mbajë fort. Edhe nëse biem, jemi të sigurt që Ai do na japë dorën të ngrihemi prapë. Perëndia vetë thotë që do të prijë përpara nesh. Ai nuk do lejojë të biem. Do të na mbrojë, Ai do të bëjë të  mundur udhëtimin tonë.

Fryma e Tij dhe statutet e Tij japin jetë dhe na mbrojnë.

Ashtu siç nuk iu frikësova stuhisë për shkak se babi erdhi të më shoqëronte, aq më shumë duhet të jemi të sigurt në praninë e Atit tonë qiellor. Nuk kemi pse të frikësohemi në këtë udhëtim, nëpër këtë jetë, pavarësisht rrethanave dhe situatave të vështira. Perëndia i Plotfuqishëm është me ne.

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

E mirepresim komentin tuaj...