Një zë i njohur…

adminDhiata e Re0 Comments

“Dhe, pasi i ka nxjerrë delet e tij, shkon para tyre; dhe delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij. Por nuk ndjekin asnjë të huaj, por do të ikin larg tij, sepse nuk e njohin zërin e të huajve. Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.” Gjoni 10:4-5, 14

Isha në dhomën ngjitur duke folur dhe qeshur me një nga miket e mia kur ajo erdhi me vrap drejt meje… Pavarësisht se këmbët po e sillnin drejt meje, fytyra e saj mbeti e zhgënjyer… Nuk po priste të isha unë. Ajo kishte menduar se ishte motra ime por siç duket e kishte gënjyer zëri. Qeshi. Më tha se mendoi se ishte ime motër dhe u largua.

Ka disa persona që s’do t’i ngatërronim kurrë. I njohim aq mirë sa nuk do të na merrte shumë kohë për të dalluar zërin, gjestet apo pamjen e tyre. S’ka rëndësi sa larg apo afër jemi, nuk do ta ngatërronim zërin e tyre me të dikujt tjetër. I njohim mirë e s’i harrojmë lehtë.

Jezusi, siç na është treguar nga Gjoni, thotë se ai është Bariu i mirë. Ai thotë gjithashtu se delet e Tij do ta njohim zërin e Tij. Do ta njohin zërin e Tij për shkak se ato rrinë me bariun e tyre. Ai i prin jashtë, ato e ndjekin nga pas, jua di emrat secilës prej tyre, i thërret delet e Tij në emër, i çon në kullota të mira dhe i mbron. Bariu i do delet e Tij aq shumë sa jep jetën që t’i mbrojë.

Delet e Tij e njohin aq mirë Bariun e tyre sa ato nuk do të ndiqnin dikë tjetër. E dallojnë zërin e një të huaji.

Shumë pretendojnë sot se janë bariu!

Nganjëherë pretendojnë aq mirë sa me të vërtetë mund të fillosh të mendosh se mbase ky është zëri i Bariut të mirë. Të vjen ta ndjekësh zërin lehtë. Nuk duan t’ia dinë për ty, as për emrin tënd, as duan t’ia dinë për ty, por nganjëherë edhe ngatërrohesh…

Por Bariu i vërtetë është Ai që ta di emrin, Ai prej të Cilit njihesh. Ai që ishte gati të japë jetën për ty. Ti ia njeh zërin Atij gjithashtu. Dhe nëse ia njeh zërin mirë nuk do ta ngatërrosh lehtë. Nuk do të të duhet shumë kohë për të dalluar që në fakt askush nuk është si ai, as që mund ti afrohet Atij.

Jezusi thotë se i njeh delet e tij dhe njihet prej tyre. Ato do ta njohin zërin e tij dhe do ta dëgjojnë.

Shpeshherë harroj të stërvis veshin tim me zërin e Bariut tim. Ndërsa jam e zënë me gjëra dhe punët e përditshme harroj të dëgjoj çfarë thotë Ai. Harroj të lexoj Fjalën e Tij – edhe të dëgjoj atë të flasë ndërsa meditoj e lutem gjatë ditës.

Pavarësisht gjithë rrëmujës dhe kompleksitetit të ditëve të sotme, një gjë është e sigurtë: pavarësisht gjithë zërave që dëgjohen dhe këlthasin rreth e rrotull, ne s’mund ta ngatërrojmë Bariun e mirë me një tjetër, për shkak se e njohim Atë dhe Ai na njeh ne.

Zëri i Tij është dhe do të jetë gjithmonë ndryshe nga zërat e tjerë.

Qofshim të mencur për ta dëgjuar dhe për ta ndjekur Bariun e Mirë.

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

E mirepresim komentin tuaj...