Pa dashurinë

adminBibla, Dhiata e Re0 Comments

Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, dhe të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon. Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë, edhe të dija të gjitha misteret dhe mbarë shkencën dhe të kisha gjithë besimin sa të luaja nga vendi malet, por të mos kisha dashuri, nuk jam asgjë. Edhe sikur të ndaja gjithë pasuritë e mia për të ushqyer të varfërit dhe ta jepja trupin tim që të digjej, e të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë!

1 Korintasve 13:1-3

Ndonjëherë ëndërroj të kem njohurinë e botës. Njohurinë që duhet për t’ju përgjigjur çdo pyetje, për të adresuar çdo hall, për të gjetur çdo zgjidhje në realitetin tonë problematik.

Ndonjëherë kam ëndërruar të jem i pari ndër fetarët – të jem unë ai që dëgjoj mendimet e Zotit i pari, e pastaj prej meje t’ju shkojnë në vesh të tjerëve.

A nuk do të jesh plot me besim në situata të vështira, sepse e di rrugën që ka zgjedhur Zoti?

Herë të tjera kam ëndërruar për miliona që do të kisha për t’jua dhënë të varfërve – së pari atyre në familjen time, e pastaj të ngelnin mjaftueshëm për t’i dhënë gjithkujt, në rrugë e atyre që shfaqen sa në një ekran në tjetrin, me çati që ju pikojnë e tryeza të mbushura me thërrime buke ku hanë një tufë kalamajsh.

Përtej ëndrrave, e di që kam mjaftueshëm njohuri. Kam aq sa e kuptoj shumë mirë që më nevojitet më shumë. Kam mjaftueshëm përvojë për të kuptuar mendimet e Zotit për jetën. Disa herë kam përgjigje për pyetjet e njerëzve. Kam mjaftueshëm për të jetuar, e për t’ju dhënë disa nevojtarëve.

Të tria këto fusha vlerësohen shumë nga ambienti shqiptar. Shihni nëpër ekrane flamujt që shpërndahen çdo natë për të “urtët”, për “fetarët” dhe për “dhuruesit”. Por, Perëndia, vlerëson më shumë dashurinë.

Njohuria dhe sakrifica për të varfërit, pa dashurinë, është asgjë. Është njësoj si të mos kesh asgjë. Dashuria është standardi më i lartë që kërkon Perëndia prej nesh.

“Dashuria nuk bie poshtë kurrë; por profecitë do të shuhen, gjuhët do të pushojnë dhe njohuria do të shuhet” thekson Apostulli Pal te Letra e Parë drejtuar Korintasve 13:8.

Sa lehtë e dimë që dashuria është e rëndësishme, sa lehtë e harrojmë që dashuria është e rëndësishme.

Unë takoj shpesh njerëz me plot njohuri, me plot dije rreth Zotit, sakrifikues për nevojtarët – por, po aq shpesh, disa prej tyre i ngjajnë një peme me gjethe të thara e të vyshkura që duket se nuk do gjallërohet dot kurrë. (Si gurë varri do të thoshte Jezusi, por duket pak e ashpër ndaj të rrimë te figura e pemës me gjethe të vyshkura!) Një lloj peme që nuk do ti rrish shumë afër sepse mund të thyhet e të të zërë nën vete. Edhe në mos u përmbystë, të paktën, hijen nuk e ka…

Unë vetë jam i tillë me raste.

Ju kujtohet, iu thashë që kam ca njohuri! Por njohuria duhet të lartësojë Zotin e jo të konkurojë të tjerët. Kam përkushtime hyjnore, por ndonjëherë përkushtimi nxitet nga detyra e jo nga dashuria. Duhet një përkushtim ndaj të varfërve, për shkak të dashurisë së Perëndisë për ta, e jo për shkak të vlerësimit që marr nga komuniteti.

Pa dashurinë do të ishim asgjë! E në zemrën tonë, ne e dimë, nëse jemi të motivuar nga egoizmi, nga zelli i përkohshëm, apo nga dashuria e përjetshme.

Ne e dimë në zemrën tonë, nëse jemi një pemë e gjallë (Psalmi 1), apo një pemë e vyshkur, që nuk po ushqehet ashtu siç duhet…

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...