Paqja… të merresh me gjërat e tua!

adminDhiata e Re0 Comments

“…por ne ju bëjmë thirrje, vëllezër, që në këtë të shtohemi edhe më shumë… dhe të përpiqeni me kujdes të jetoni në paqe, të merreni me gjërat tuaja dhe të punoni me duart tuaja, ashtu si ju kemi urdhëruar, që të silleni me nder ndaj atyre që janë jashtë dhe të mos keni nevojë për asgjë.” I Selanikasve, 4:10-12, Dhiata e Re
Në Shqipëri ka dy grupe njerëzish! (sipas aritmetikës sime). Një grup njerëzish, që janë përzier në punëra të paqarta – në punëra që sjellin përfitime shumë të mëdha e të pashfajësuara nga rroga e tyre mujore. Dhe grupi i dytë, janë njerëz që përpiqen të jetojnë me integritet – duke e munduar veten përditë, për të marrë si shpërblim vetëm atë që ju takon.
Këta të fundit, prej kohësh i mundon ironia e vazhdueshme nga grupi i parë, që si një këmbanë që s’pushon kurrë së cingëllituri, iu thotë: “sa të pazotë që jeni ju! ne po pasurohemi, kurse ju po zvarriteni në një jetë të pajetueshme! Ne po e shtojmë bollëkun e atyre që kemi – dhe barqet tona rrumbullake po fryhen më shumë, sa po na rritet numri i pantallonave dhe shkëlqimi i fustaneve dita-ditës, kurse ju po zvarriteni duke kërkuar “bukën e përditshme””…
Dhe shumë i lëshon zemra drejt padrejtësisë…
Por, në ditë si këto, kur nuk dallohet mirë se kush është vrasësi e kush është i vrari, në ditë si këto, kur paratë nuk i bëjnë punë dikujt aq sa t’ia sigurojnë paqen e rehatinë atij e familjes së tij, në ditë si këto ku duket se të gjitha ngjyrat e realitetit janë të zeza, pikërisht në ditë si këto ku sekëlldia e disave që kanë rendur pas kotësisë, iu kthehet kundër vetes së tyre, dhe realisht iua kthen gjithçka në kotësi, pikërisht në ditë si këto, ka prehje e paqe për ata që jetojnë me mundin e tyre e nuk i kanë borxh askujt!

Në ditë si këto, të kujtohet thirrja e Biblës, bërë prej Apostullit Pal, i cili, në letrën e tij shkruar kishës në Selanikun e para 2000 viteve, shkruajti:

“…por ne ju bëjmë thirrje, vëllezër… të përpiqeni me kujdes të jetoni në paqe, të merreni me gjërat tuaja dhe të punoni me duart tuaja, ashtu si ju kemi urdhëruar, që të silleni me nder ndaj atyre që janë jashtë dhe të mos keni nevojë për asgjë.” I Selanikasve, 4:10-12, Dhiata e Re.

Të përpiqeni me kujdes – Pali e ka fjalën, që ta bëjmë qëllim jete të jetuarit në paqe. Nuk mund të jetosh në paqe duke vjedhur. E as duke përfituar përfitime të pandershme. Por as nuk mund të jetosh një jetë të ndershme nëse nuk je i përgatitur për të jetuar ashtu.

Vendose tani në zemrën tënde, që nuk do të korruptosh zemrën e nuk do të njollosësh duart. Merr një vendim tani! Dhe pastaj vendos të merresh me gjërat e tua! Puno çfarë të mundesh! Nuk është turp të bësh një punë që të kërkon drejtësi e merr shpërblimin sipas mundit. Dhe nëse Zoti ka siguruar një punë për ty që të siguron më shumë sesa ke nevojë, atëherë, kujdesu për nevojtarët. Jo nga detyrimi, por nga kënaqësia e të dhënit për shkak të besimit!
Dhe, të mjafton kjo për të fjetur në realitetin tënd, me një ndërgjegje të pastër.

Lërjua të tjerëve në qafë gjerdanët e padrejtësisë, darkat e kota në sallone mondane, imazhin e bukur nga jashtë por që prishet gjithmonë e më shumë poshtë petkut të operacioneve të bukurisë, bamirësitë në dukje për të barazpeshuar shpirtin e korruptuar, tradhëtitë e imoralitetin, pasaportat diplomatike që iu duhen vetëm për t’iu fshehur realitetit…
Vendose qëllim vetes që të punosh me duart e tua, e të jetosh një jetë të qetë e me ndershmëri… Një jetë së cilës nuk i gjendet kurrë çmimi.

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...