Parehatia e Krishtlindjes

adminDhiata e Re, Krishtlindja 20180 Comments

“Atëherë Simeoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së Jezuit: “Ja, ky fëmijë do të jetë shkak për rënien dhe ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe shenjë kundërshtimi, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave. Ndërsa ty një shpatë do të ta përshkojë shpirtin”. Luka 2:34-35

Jezusi foshnje sapo ka ardhur në botë. Ai po paraqitet përpara priftërinjve për të kryer ritin e zakonshëm. Zakoni është bërë. Një fëmijë i tillë, në traditën hebreje, ndoshta do të kishte dëgjuar ca lutje bekimi nga Zoti, dhe pastaj prindërit e tij do të ishin kthyer në jetën e zakonshme. Si gjithë të tjerët.

Por Maria, nëna e Jezus Krishtit dhe Jozefi i mbaruan ceremonitë e zakonshme me përjetime të jashtëzakonshme. Ungjilli i Lukës na thotë që prindërit e tij ngelën të mahnitur nga ajo që u tha për Jezusin. Por si për të mos mjaftuar me aq sa ishte thënë deri në atë moment, të tjera befasi u dëgjuan. Simeoni, një plak i urtë dhe i bindur ndaj Zotit, tha që shumë njerëz do të bien ose do të ngrihen për shkak të kësaj fëmije, dhe ai vetë (fëmija) do të jetë një shenjë që do të hidhet poshtë.

Por fraza është: “për shkak të tij, mendimet e shumë zemrave do të dalin në pah”.

Si është e mundur që mendimet e zemrave do të dalin në pah, kur të përballen me një fëmijë?

Nganjëherë i kalojmë këto fraza pa u vënë re sepse tashmë e dimë historinë. E dimë se si ky fëmija rritet, bën deklarata të habitshme për identitetin e tij, dhe për shkak të këtyre deklaratave (kryesisht) shkon drejt një vdekje të dhimbshme. E dimë gjithashtu që prej asaj kohë, njerëzit janë të ndarë rreth Jezusit.

Por le të kthehemi në kohën tonë. Në realitetin e tanishëm. Në realitetin e Krishtlindjes!

Nuk mungojnë debatet rreth identitetit të Jezusit edhe sot. Në një program televiziv, një opinionistët tha se e ka vështirë të besojë lindjen e Jezu Krishtit nga një e virgjër. Citoi një gazetar amerikan që e paska quajtur “përbuzëse” idenë që ka politikanë amerikanë që e besojnë akoma lindjen nga virgjëresha.

Më bën përshtypje fakti që njerëzit mbahen fort pas deklaratave mohuese rreth realitetit të Jezus Krishtit. Kur thellë thellë, nuk janë faktet rreth tij që janë të vështira për t’u besuar. Për shembull, le të flasim për lindjen e një fëmije nga një e virgjër. A është degradim intelektual nëse dikush e beson këtë fakt dhe e konsideron të vërtetë? Në një realitet ku Zoti egziston, Ai është në gjendje të bëjë një grua të lindë një fëmijë pa pasur baba. Në një realitet ku Zoti egziston, nënkuptohet që Zoti ka bërë mrekulli shumë më të mëdha se kjo. Krijimi i njeriut nga asgjëja, është shumë i vështirë për t’u konceptuar i mundshëm. Nëse Zoti krijon njeriun nga balta, atëherë ai s’e ka fare problem të krijojë njeriun vetëm nga gruaja.

Pyetja më e madhe nuk është nëse Zoti ka aftësi për të kryer mrekulli (shmangie nga rregulli). Pyetja më e madhe është: Pse e bën ai mrekullinë (shmangien nga rregulli)?

Në rastin tonë, të pranosh që Zoti vetë na ka vizituar përmes Jezu Krishtit, që ai ka lindur si fëmijë për të shkuar në kryq e për të vdekur si burrë, vetëm për shkak të dashurisë që ka për ne, të pranosh këtë që sa u tha, të detyron të jetosh për të. Kur dikush jep jetën për ty, ti që jeton për shkak të atij që vdiq për ty, je i detyruar (nga dashuria në këtë rast!) që çdo gjë që bën, ta bësh për atë që e dha jetën e tij për të të shpëtuar ty.

Ky është detyrimi i Krishtlindjes – e rrjedhimisht detyrimi i atyre që e kuptojnë veçantinë e mrekullisë së ardhjes së Zotit në trup njeriu. Këtu fillon edhe ndjesia jonë e parehatisë me këtë Zot, me këtë Jezus, që krejt pa pritur e krejt në kundërshtim me “arsyen tonë” vendos të sakrifikojë veten për ne. E në këtë “dhënie” të vetes, ai na shtrëngon në dashurinë e tij, që të heqim dorë nga jeta jonë, për të jetuar për të.

Në vend që ta pranojmë parehatinë tonë me këtë Zot që na prek “thellë në zemrat dhe na i ndan mendimet e zemrës” ne vazhdojmë të diskutojmë rreth fakteve krejtësisht dytësore të jetës së tij.

Ndoshta, në këtë Krishtlindje, është koha të bësh zgjedhjet e vështira. Në fund të fundit, nëse Ai është që është, atëherë jeta jote do të marrë më shumë kuptim!

Gëzuar Krishtlindjen

Photo Credit: Jaron Johns

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...