Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë

adminDhiata e Vjeter0 Comments

“Unë e di që Zoti ju ka dhënë vendin, që tmerri juaj na ka zënë, dhe që të gjithë banorët e vendit dridhen nga frika para jush. Sepse ne kemi dëgjuar si i thau ujërat e Detit të Kuq Zoti përpara jush kur dolët nga Egjipti … Duke dëgjuar këto gjëra zemra jonë u mpak, për shkakun tuaj askujt nuk i mbeti asnjë fije trimërie, sepse Zoti, Perëndia juaj, është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë” Jozueu 2:9-14

Kur dukej se sapo kishin gjetur një si lloj vendi për t’u fshehur e ndoshta për të kaluar natën, ja tek dëgjohen të goditura me tërbim në derë. Ushtarët e dërguar për t’i kapur, gati po e shkallmonin atë. Edhe kjo u duhej. Ishin pikasur. Kishte qenë një ditë shumë e ngarkuar, teksa kishin kaluar lumin me mision vëzhgimi. Shumë vite më parë, të tjerë njerëzve u ishte ngarkuar i njëjti mision, por me raportin që paraqitën, kthyen mendjen e gjithë atyre që e dëgjuan dhe si pasojë, raportuesit dhe të gjithë ata që ishin 20 vjeç e lart, vdiqën duke u endur në shkretëtirë. Vetëm dy prej tyre i kishin shpëtuar këtij fati. Pikërisht njëri nga këta të dy, ua kishte ngarkuar misionin një natë më parë.

Oh sa dëshironin të kalonin një natë të qetë për të përgatitur raportin që do të dorëzonin të nesërmen. Çfarë do të raportonin? Se mos do të pësonin fatin e atyre 10 raportuesve vite më parë?! Ah sikur t’i ishin shmangur këtij misioni.

E ndërsa zemra gati po shpërthente nga tensioni i këtyre pyetjeve të mundimshme, tani një tjetër problem për jetë a vdekje po buçiste tek dera. Pas gjithë atij vrapi të ndjekur nga ushtarët, ishte e vështirë të përpiqeshe të mbaje gulçimat e shpeshta dhe të zhurmshme të frymëmarjes.

Sikur të ishte vetëm kjo, do të ishte gjithësesi lehtësim.

– “Shpejt, hipni në çati dhe zhytuni mes kërcejve të lirit, që po thahet” – u dëgjua zëri i të zonjës së shtëpisë.

Por ngushtia e vendit dhe pastaj djegiet e lëkurës nga djersa që rridhte nëpër të çarat e shkaktuara nga kashta, shto këtu edhe pyetjen më të madhe që i mundonte – a do dalim të gjallë që këtej, i bënë ndoshta të dyshonin nëse ia kishte vlejtur ky mision apo jo.

E zonja e shtëpisë që i kishte strehur, ia doli t’i largonte ata që kërkonin jetën e tyre. – Oh çfarë gjumi mund të bëjmë tani – menduan ata.

Por para se t’i zinte gjumi, ajo u ngjit tek ata dhe u tha: – Unë e di që Zoti ju ka dhënë vendin, që tmerri juaj na ka zënë, dhe që të gjithë banorët e vendit dridhen nga frika para jush. Sepse ne kemi dëgjuar si i thau ujërat e Detit të Kuq Zoti përpara jush kur dolët nga Egjipti, dhe atë që ju u bëtë dy mbretërve të amorejve, matanë Jordanit, Sihonit dhe Ogut, që vendosët t’i shfarosni. Duke dëgjuar këto gjëra zemra jonë u mpak, për shkakun tuaj askujt nuk i mbeti asnjë fije trimërie, sepse Zoti, Perëndia juaj, është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë. Prandaj, ju lutem, betohuni në emër të Zotit që, ashtu si kam treguar dhembshuri ndaj jush, edhe ju do të tregoni po atë dhembshuri ndaj shtëpisë së atit tim; … dhe që do të shpëtoni jetën tonë nga vdekja”.

Sa shpesh e kam gjetur veten tek më rreh zemra nga shqetësimi. Sa shpesh e kam gjetur veten ndërdyshas, se kujt t’i besoj, paranojës e logjikës sime apo asaj që më ka treguar Perëndia se ç’mund të bëjë Ai? Sa shpesh jam penduar pasi kam vendosur të bëj diçka që i jep lavdi Perëndisë e pastaj më ka zënë frika?

Dhe pastaj dëgjon një “Rahab” se ç’thotë për Perëndinë tënd, e bëhesh esëll.

Po si mund të harroj apo të dyshoj në atë se çfarë ka bërë Perëndia në jetën time deri tani dhe të atyre përreth meje?! E di se ç’duhet të bëj tani e tutje: duhet të gjej se cilët janë “Rahabët” në jetën time, që të më mbajnë esëll.

Sepse Zoti, Perëndia im, është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë.

Rreth Autorit
mm

Toni Kole

Toni ka mbaruar studimet e larta në UT, për Biologji dhe Kimi. Pasioni i tij për shkencën, ka bërë që të jetë gjithmonë në kërkim të së vërtetës. I rritur dhe i edukuar si ateist (evolucionist), gjithnjë duke kërkuar për të vërtetën, arriti në konkluzionin se shpjegimi më i mirë për ekzistencën e botës, është ai që ka për autor, Perëndinë që paraqet krishtërimi. Diskutimi për të vërtetën nuk është kurrë një punë e lodhshme për të. Dëshira për të mësuar e ka bërë që ai të përfshihet shumë edhe në fushën dixhitale, me dëshirën për të nxitur debatin mbi të vërtetën.

E mirepresim komentin tuaj...