Perëndishmëria që sjell dobi të madhe

admin1 Timoteut, Bibla, Dhiata e ReLeave a Comment

“Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka.” 1 Tim. 6:6

Pali i Shkruan Timoteut, ndjekësit te tij që të kujdeset për bashkësinë e besimtareve dhe veten e tij, duke ditur që në grupin e besimtarëve kanë penetruar disa që po e përdorin besimin dhe praktikën e besimit si formë përfitimi. Ai e urdheron Timoteun që të praktikojë perëndishmerinë duke ditur që urtësia tokësore ka fuqinë e saj, dhe mundohet t’i japë perspektivën e shëndetshme Timoeut për mbarëvajtjen e bashkësisë së krishterë.

Në këte kapitull Pali na jep kontrastin mes dy lloj përfitimesh:

Ka nga ata që e përdorin perëndishmërinë si një arritje, një mjet i përfitimit material. Ai flet për ata që kërkojnë fort të kenë përfitime materiale dhe e përdorin perëndishmërinë si pretekst për të arritur qëllimin e tyre. Në një farë mënyre, në gjithë historinë e kishës, ka një histori të pa shëndetshme, që nxit besimtarët të ‘’mbjellin farën’’ në shërbim të tyre, në mënyrë që të kenë bekimin e Perëndisë. Gjithmonë, dashuria në zemrën e tyre për të pasur përfitime materiale ka qenë dhe do te jetë një lak për këta njerëz. (1 Tim. 6:3-5)

Të tjerë e shohin perëndishmërinë si një përfitim të vërtetë dhe një përfitim në vetvete. Një lloj përfitimi që Pali e quan përfitim i madh: “të kënaqesh me aq sa ke” (1 Tim. 6:6). Ky lloj përfitimi nuk rezulton në një rritje të të mirave materiale, por një rritje të paqes dhe kënaqësisë, një zemër të lirë nga epshet dhe dashurisë ndaj parasë. Në këtë lloj përfitimi, perëndishmëria e vërtetë është një qëllim në vetvete, dhe jo një mjet për arritje për përfitime materiale. Zoti na i dha të gjitha, përfshirë dhe perëndishmërinë, në mënyrë që të jetojmë jetën e krishterë (1 Tim. 2:2).

Ne jemi të rrethuar me prindër shembullorë, besimtarë të zellshëm, që punojnë në kishë apo kujdesen për punët kishtare. Nuk ka ndonjë lavdërim më të lartë se sa të quash një besimtar të krishterë një njeri të perëndishëm.

Ka plot njerëz me talente dhe dhunti që i vënë në punë këto talente ndërsa jetojnë jetën e krishterë, por asgjë nga këto nuk ka rëndësi, nëse besimtari shkëlqen në zellin për shërbim por i mungon perëndishmëria.

Pse ka rëndësi perëndishmëria? Pse ka rëndësi për Zotin, dhe pse duhet të ketë rëndësi per ne?

Perëndishmëria është një mënyrë tjetër e të përshkruarit të bindjes, shenjtërisë dhe shembullit të besimtarëve.

Së pari, perëndishmëria ka rëndësi sepse nënkupton bindje. Ne tregojmë që jemi të bindur ndaj Zotit dhe fjalës së tij, kur praktikojmë gjëra që i pëlqejnë Atij. Rrjedhimisht ne bëhemi përditë e më shumë si Zoti (Rom 12:2). Pali flet per thirrjen e tij, të qenit apostull, jo thjesht si punë, por si thirrja e lartë e premtimit të përjetshëm, të shpresës që do vijë. Pali thotë se perëndishmeria është fruti i njohjes së të vërtetës (Titi 1:1).

Së dyti, perëndishmëria ka rëndësi sepse na ndryshon kursin e jetës.

Ne rritemi përditë në imazhin e Perëndisë, i ngjajmë Atij. Ky duhet të jetë qëllimi i vetë jetës sonë. Ne lëvizim nga një jetë e jetuar në mëkat, rritemi në pastërtinë tonë duke u bërë çdo ditë e më shumë si imazhi i Krishtit. Sepse ushtrimi i trupit është i dobishëm për pak gjë, kurse perëndishmëria është e dobishme për çdo gjë, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë (1 Tim. 4:8).

Së treti, perëndishmëria është e rëndësishme sepse inkurajon të dyja palët, të shpëtuarit dhe ata që nuk e kanë gjetur akoma të vërtetën. I inkurajon besimtarët sepse ata qëndojnë në sfida dhe rriten në besim për shkak të shembullit të dhënë nga besimtarë që po kalojnë nëper vështirësi të njëjta. Inkurajon te humburit sepse shikojnë jetë që janë të ndryshuara dhe të mbushura me shpresë për të ardhmen.

Dhe si përfundim perëndishmëria ka rëndësi sepse duhet të jetë qëllimi final i jetës tonë. Zoti ka dëshirë që ne të rritemi në njohjen e Tij.

Si mund të kënaqet një njeri i perëndishëm vetëm me ushqim dhe veshje? Ai që ka besimin te Zoti, se Ai siguron ushqimin dhe veshjen e sotme do të sigurojë edhe nevojat per nesër, mund të jetë i kënaqur në çfarëdo situate që gjendet. 

Xhonathan Eduards na kujton se i gjithë shembulli i tij si drejtues shpirtëror ka vlerë deri në atë masë sa të na drejtojë ne tek Zoti. Heronjtë njerëzorë shumë shpesh dështojnë të qëndrojnë në koherencë të heroizmit të tyre, por ne kemi vetëm një shembull që është perfekt dhe asnjëherë nuk na zhgënjen. Jezu Krishti që është i njëjtë dje, sot, e përjetë (Heb 13:8). Në të vetëm kemi kënaqësi, mahnitje të pafund, falje të mëkateve dhe jetë të përjetshme. 

“Sepse hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve,dhe na mëson të mohojmë pabesinë dhe lakmitë e botës, sepse ne rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë, duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, i cili e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të pastruar për vete një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira.” (Titi 2:11-14)

Rreth Autorit
mm

Azgan Mjeshtri

Azgan Mjeshtri ka mbaruar studimet në Fakultetin e Drejtësisë, Shkodër. Që prej vitit 2008 i është bashkuar stafit të IJR. Ka punuar për 7 vite me studentët në Bosnjë. Momentalisht është pjesë e shërbesës digjitale. I pëlqen të kalojë kohë me familjen. Është i martuar me Arteidën, dhe kanë 3 fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...