Të ndikosh përjetësinë

adminDhiata e Re0 Comments

“… po kështu mësuesi të jepet pas mësimit…” Apostulli Pal, Letra Drejtuar Romakëve 12:7.

Kur isha i vogël – nxënës në moshën kur çanta me libra peshonte më shumë se gjithë trupi im – nuk i vija re gjurmët që mësuesit linin ditë për ditë mbi karakterin tim. As ndikimin e tyre në të ardhmen time!

Kur rifillova shkollën rreth të 30-tave, e dallova rrjedhën e ideve, që dilnin prej një personi, e më preknin mendjen, e pastaj fusha të jetës sime në praktikë.

Haroldi më dha nga dashuria e tij për historinë. I pikturonte konfliktet e Izraelit të shekullit të parë, aq sa dukej sikur ishim ulur bashkë aty, mu në kulmin e debatit e intrigës, nga njëra anë e sunduesve romakë, që kërkonin të mbanin pushtetin politik, e nga ana tjetër, e udhëheqësve fetare hebrenj, që kërkonin të ruanin ndikimin shpirtëror. Isha aty edhe gati ndihesha përgjegjës për të ardhmen e një kombi…

Hauardi më ndryshoi leximin! Kuptohet, që dija të lexoja! Që nga klasa e parë! Meritë e mësuese Zifes! Por rrugës, më sygjeroi Hauardi, e kisha ndryshkur trurin, duke lexuar njësoj sikur isha në klasë të parë – ngadalë e duke humbur kohë! Më ndryshoi shpejtësia e të lexuarit por edhe këndvështrimi rreth përtypjes së ideve… Hauardi gjithashtu më dha një shembull të një studiuesi serioz dhe një humoristi të mençur. Kush tha që mësimdhënia duhet të jetë e mërzitshme?

Përmes shembullit të Sandrës, mësova të mos kem turp të shkruaj! Dhe t’i publikoj mendimet e mia! Edhe të kujdesem për zemrën time së pari, sepse, ajo që shkruhet në letër, nuk është vetëm një listë me ide për të tjerët, por në rradhë të parë, një shprehje e qëndrimeve të zemrës! Nuk kam merak ta shkruaj zemrën! Në të mirë e në të keq! Nuk më mësoi duke më dhënë lavdërime boshe, por duke i mbushur me korrigjime në të kuqe, pothuajse të gjitha vargjet e mia! Kush tha që mësimdhënia është thjesht një art në lavdërim?

Marku më sfidoi të mendoj jashtë kornizës së zakonshme në klasë. Dhe pastaj më nxiti ta shikoj edhe botën jashtë klasës, jashtë kornizës!

Nuk e di sa ndryshe do të isha pa këta mësues – por e di që s’do të isha siç jam, pa ndikimin e tyre. Dhe më pëlqen vetja siç jam!

Mësuesit e mirë të ndikojnë përtej njohurive!

Zelli i shembujve që kam përmendur më kujton nxitjen e Apostullit Pal, i cili i inkurajoi mësuesit që të jepen pas mësimit. Në kontekstin e letrës, Apostulli Pal, po nxiste gjithkënd që ka një dhunti, që të përkushtoheshin për ta bërë mirë! Sepse, natyrshëm, të tjerët që janë pjesë e një bashkësie, kanë nevojë për dhuntitë e gjithkujt!

Ndoshta Pali kishte parasysh edhe ndikimin e të ushtruarit të një dhuntie mirë. Një brez tjetër varet prej përkushtimit të dikujt! Një nxënësi do t’i ndryshojë jeta për shkak të një mësuesi të zellshëm!

“Një mësues ndikon përjetësinë; ai nuk mund ta dije se ku ndalon ndikimi i tij” thoshte historiani Hendry B. Adams. Dhe emrat që përmenda, bashkë me shumë të tjerë, ndikojnë përjetësinë…

Përvoja e përmendur më sipër, vjen nga jashtë Shqipërisë. Por njoh edhe mësues shqiptarë që “ndikojnë përjetësinë”. Mësuese Juli ka harxhuar orë të tëra mundimi për të ndihmuar djalin tim të përvetësojë njohuri – dhe përtej kësaj, ka vlerësuar individualitetin e tij, i ka dhënë liri të rritet e të shprehet, i ka dhënë dashuri që e ndihmon një 6 vjeçar të hedhë hapat drejt rritjes në siguri.

Kohët e fundit, kam njohur pak më nga afër, përmes kujtimeve të saj, një mësuese tjetër shqiptare, që ka lënë gjurmë në historinë e arsimit shqiptar: Sevasti Qiriazi. Pasioni i saj për të edukuar vajzat shqiptare është akoma shembull për tu ndjekur. Çfarë e bën jetën e saj një model për t’u ndjekur? Ja çfarë shkruan ajo vetë, si përmbledhje ndoshta të motivimit të saj për të mësuar të tjerët:

“Heronj quhen ata që sakrifikojnë veten për të tjerët e jo ata që sakrifikojnë të tjerët për vetveten”.

Nuk mjafton t’ju themi mësuesve “faleminderit” vetëm në një ditë të vitit. Por të paktën t’ia fillojmë nga një ditë….

Faleminderit!

Kur jemi të vegjël nuk e dimë se kur përfundon ndikimi juaj mbi jetën tonë…

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...