Të kujdesesh për një fëmijë…

adminDhiata e Re0 Comments

“Ne, pra, nuk kemi përdorur kurrë, sikurse e dini mirë, fjalë lajkatuese, dhe as nuk jemi nisur nga motive lakmie; Perëndia është dëshmitar. Dhe nuk kemi kërkuar lavdi prej njerëzve, as prej jush, as prej të tjerësh, megjithëse mund t’ju bëheshim barrë si apostuj të Krishtit. Përkundrazi qemë zemërbutë midis jush, ashtu si mëndesha që rrit me dashuri fëmijët e saj. Kështu, duke pasur një dashuri të madhe ndaj jush, ishim të kënaqur duke ju komunikuar jo vetëm ungjillin e Perëndisë, por edhe vetë jetën tonë, sepse na u bëtë të dashur. Sepse ju, o vëllezër, e mbani mend lodhjen dhe mundimin tonë: si kemi punuar ditë e natë që të mos i bëhemi barrë asnjërit prej jush, dhe predikuam ungjillin e Perëndisë ndër ju. Ju jeni dëshmitarë, dhe Perëndia gjithashtu, si jemi sjellë me shenjtëri, me drejtësi, pa të meta, me ju që besoni. Ju e dini gjithashtu se ne këshilluam, ngushëlluam dhe i jemi përbetuar secilit prej jush, si bën një baba me bijtë e vet, që të ecni denjësisht për Perëndinë, që ju thërret në mbretërinë dhe lavdinë e tij.” I Thesalonikasve 2:5-12

Ndërsa udhëtoja me avion nga Viena në Tiranë, në sediljen ngjitur, u ul një grua me vajzën e vet dy muajshe. Gruaja udhëtonte për herë të parë në avion me vajzën. “Kur po niset avioni? Si t’ia bëj që të mos më qajë vajza? Nuk dua t’i bllokohen veshët. Nuk dija as çfarë t’i vesh?” Nuk është hera e parë që shikoj merakun e një nëne në një rrugë të panjohur e të vështirë për fëmijën e saj…

Kur kemi udhëtuar me fëmijët gruaja ime planifikon dyfish – çfarë duhet të kenë me vete, çfarë do të bëjmë nëse qajnë në avion, nëse ju dhembin veshët, si t’iua shpjegosh nevojën për të flutuar në ajër për orë të tëra…

Apostulli Pal, ndërsa i shkruan besimtarëve në Selanik, iu përmend kujdesin që ka treguar për ta, që në fillim. Një kishë e re, me besimtarë “dy muajsh”, kishte nevojë për një përkujdesje, të ngjashme me një “mëndesha që kujdeset për bijtë e saj”.

Si në rastin e një nëne të kujdesshme, Pali, thekson disa detyra që kemi ndaj besimtarëve më të rinj për të cilët kujdesemi. Motivet duhet të jenë të pastra. Fjalët që rrjedhin prej motiveve gjithashtu nuk duhet të jenë fjalë lajkatuese. Nuk duhet t’ju bëhemi barrë atyre për të cilët kujdesemi – në fakt, ata janë barra jonë, për të cilët duhet të kemi durim, deri në sakrificë. Ndjekësit tanë kanë nevojë për ungjillin – por përtej ungjillit thotë Pali, kemi ofruar edhe shembullin tonë.

Si do të dukej lajmi i Ungjillit pa një shembull jete të dikujt që e ndjek Jezusin besnikërisht?

Ashtu si prindërit sakrifikojnë gjithçka kanë për fëmijët, një jetë të tërë, me mundësinë që të mos marrin asgjë mbrapsht, po ashtu, në të njëjtën mënyrë, duhet të sakrifikojmë për të rinjtë që bëhen pjesë e familjes së besimit.

Kjo lloj jete nuk është e lehtë. Edhe me fëmijët tanë biologjikë, nuk është e lehtë t’i duash me këtë lloj sakrifice. Me të tjerët, që s’kemi lidhje gjaku përveç besimit, sfida është akoma më e vështirë.

Disa herë kam pasur biseda shpirtërore me njerëz të ndryshëm që nuk i njoh, por që jemi lidhur përmes rrjeteve sociale. Nuk mjafton vetëm dhënia e informacionit, as koha për të shkëmbyer mesazhe. Nuk mjafton as t’i korrigjosh për gabimet e për informacionin e mangët që kanë. Edhe pse në rrjetet sociale, prapë, të kujdesesh për udhëtimin shpirtëror të dikujt, kërkon një përkushtim prej një nëne e babai të duruar… shumë të duruar! Sepse qëllimi ynë është një dashuri që prek jetët tona së pari, e pastaj prek jetën e dikujt tjetër.

Në mënyrë, që siç e thotë Pali vetë, të mund të ecim të gjithë denjësisht për Perëndinë të cilit i besojmë. Dhe vetëm në dukjen e Mbretërisë së tij, do të mund të kuptojmë çfarë lloj sakrifice kemi bërë…

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...