Përse NUK mund t’ia uroj 7 marsin mësuesit tim?

Admin 2Bibla0 Comments

Mësuesi im, zgjohet në 6 të mëngjesit. Vesh të njëjtat këpucë pothuaj gjithë vitin. Këpucë të një marke të njohur, blerë të tregu i veshjeve të përdorura. Mban gjithnjë një çantë të zezë, e në të ka plan ditarin dhe dy stilolapsa. Mësuesi im ka një bukurshkrim që ma kënaq syrin kur lexoj vlerësimet e tij në fletoret e mija.
Mësuesi vjen i pari në klasë, vesh rrobën e bardhë, dhe hap regjistrin mbi tryezë. Në ditët e dimrit ndez sobën e druve, në ditët e ngrohta hap dritaret për ajrosje. Në mure rrinë varur këndi i klasës, këndi i punimeve të nxënësve, këndi i figurave frymëzuese.
Shkolla e mësuesit tim është atipike. Dyshemeja e betontë vështirë ta besosh se ka patur dikur pllaka. Tavani është me relieve dhe pasqyron lloj lloj hartash që nuk gjenden në librat e shkollës. Dera nuk puthitet mirë por dryni arrin ti mbërthejë dy si pafta teneqeje që bashkojnë derën me murin. Mësuesi im gëzohet kur vijnë nxënësit. Ai nis me pasionin e afro katër dekadave t‘u mësojë atyre numrat, shkronjat, ngjarjet dhe edukatën qytetare. Mësuesi im është i përkushtuar për të ardhmen.
Mbasdite, mësuesi im ka tre orë për të shkruar ditarin me objektivat e ditës, nxënësit me përparim të dukshëm, ato me zhvillim më të ngadalshëm.
Mësuesi im beson te nxënësit e tij.
Mësuesit tim i thonë shpesh që do ta heqin nga puna. Pothuaj çdo fillim viti, çdo fushatë elektorale. I thonë, hiqe bluzën e bardhë e duartrokit për të ardhmen e ndritur që po sjell udhëheqësi ynë. E mësuesi im tash 40 vjet është mësuar me refrenin e korit dritëshkurtër.
Mësuesi im i lexon me nënqeshje urimet e fryra të 7 marsit nga paria.
Mësuesit tim një nga ne i nxjerr thikën tash e parë. Një prind e shan e kërkon nota të mira gjithnjë për fëmijët tij. Mësuesi im iu ka paguar disa herë lekët e librave të nxënësve nga xhepi i tij. Mësuesi im e di që investimi për të ardhmen do sakrifica. Por ja vlen.
Mësuesi im i paguan dritat dhe ujin. Në fakt i ka paguar edhe kur nuk ja kërkonin librezën e dritave në seksion.
Mësuesi im, si prind i mirë, ka harxhuar gjithë ç’ka pasur për shkollimin e fëmijve të tij. Mësuesi im nuk kërkon gjë mbrapsht. Mësuesi im pi kafe një herë në javë në lokal. Mësuesi im mezi i plotëson nevojat e familjes dhe e di që me pensionin nuk do mund të blejë as ilaçet, në i dhëntë Zoti jetë më shumë.
Mësuesi im nuk është një qënie perfekte. Por është një besimtar i përkushtuar në misionin e jetës së tij për të ndihmuar fëmijët sesi të mësojnë dhe jetojnë.
Vlerësimi më i madh për të, është një nxënësi i rritur që sillet me dinjitet, një familje fisnike, një biznes vizionar, një shkollë vlerash dhe një shtet ligjor.
Mësuesi im beson te puna me ndërgjegje morale dhe ndershmëri.
Mësuesi im ka nevojë për një Shqipëri tjetër. Ne, nxënësit jemi po aq harraq kur lëmë bankat e shkollës, sa ç’ishim kur harronim të bënim detyrat e shtëpisë. Ndërsa ne ecim në jetë, harrojmë ata që na brumosën me dijen kur ishim ende të panjohur me jetën.

Një brez që nuk nderon misionarët e dijes është një brez që nuk e do të ardhmen.

Mësuesi im ka nevojë për nxënës, prindër, familje, komunitet, qeverisje që ka të njëtin pasion dhe dëshirë për të ardhmen.
Mësuesi im nuk ka nevojë për një urim në një ditë nga nxënësit e tij. Ai ka nevojë të shohë nxënësit e tij me një jetë të uruar për shumë ditë e mot.
Mësuesi im nuk ka nevojë për lule. Nuk ka nevojë për tablet, enë kuzhine. Nuk ka nevojë për varëse floriri, këmishë, xhaketë e kostum. Mësuesi im nuk ka nevojë me ia ble shpirtin. Tashmë ai ka dhënë jetën.

Mësuesi im shkel përditë të njëjtën udhë, me qëllim që nxënësit e tij të çajnë në udhë të reja në jetë.

Mësuesi im ka nevojë për mirënjohje. Dhe më shumë se urimet e rastit, këtë e tregon mënyra sesi e jetoni jetën.
I përkushtuar për një jetë të tillë.
Nxënësi yt, Gusti.
P. S. Për mësuesit e mi po marr hua një shprehje që ja dëgjoja shpesh gjyshes time: “Qoftë i bekuar dheu që u ka shkelur këmba”
Rreth Autorit
mm

Agustin Prenga

Agustin Prenga ka mbaruar studimet për drejtësi. Eshtë drejtues i lëvizjes rinore IJR Student, degë e Institutit Jeta e Re. Shkruan dhe mban leksione mbi çështje të besimit, zhvillimit personal dhe udhëheqësisë. Ka pasion të ndihmojë të rinjtë të arrijnë maksimumin e potencialit të tyre. I pëlqejnë librat, futbolli, ecja në natyrë dhe udhëtimet. Është shijues i thekur i kafes, ideve dhe humorit. Mund të lexoni rregullisht shkrimet e Agustinit te faqja imakiato.com.

E mirepresim komentin tuaj...