Meraku juaj mbi merakun e Tij

adminDhiata e Re0 Comments

“Përuluni, pra, nën dorën e pushtetshme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur, duke hedhur gjithë merakun tuaj mbi të, sepse ai kujdeset për ju.” I Pjetrit 5:6-7

Në vitin e fundit, sfidat kanë trokitur fort në derën tonë. Thyerje duarsh, operacion nga apendisiti, një tjetër i sëmurë për një kohë të gjatë, një tjetër operacion brenda vitit, hundë të gjakosur nga një aksident i panevojshëm. Të gjitha këto, ndryshe nga gjithë ngjarjet që shikon në televizor, vijnë të gjalla përpara syve, mu në mes të atyre që i do më shumë.

Si mund të vazhdosh të ruash një zemër që mbështetet me besim te Zoti përmes këtyre situatave?

Kur të tjerët vuajnë, si një mjek që të viziton, receta lëshohet lehtë. Por kur vjen sëmundja, edhe doktori vetë, vuan si gjithë të tjerët!

Apostulli Pjetër po i shkruante një letër inkurajimi, një grupi besimtarës të shpërndarë nëpër botë. Shumë prej tyre, për shkak të besimit në Krishtin e ringjallur, po përballeshin me përndjekje e persekutime. Sfida e tyre kishte lidhje me ruajtjen e besimit, por Pjetri ka merak, gjithashtu që të kuptojnë se realiteti i tyre është normal, se besimtarët, në këtë anë të jetës, do të përballen me vështirësi.

Në fund të fundit, a nuk duhet t’i ngjajmë Jezusit, edhe në vuajtje?

Diku nga fundi i letrës, Pjetri, ju bën thirrje të rinjve në besim që të hedhin gjithë meraqet e tyre mbi Krishtin. Hidhni barrën tuaj barrës së Tij. Hidhni gjithë merakun tuaj merakut të Tij. Hidhni gjithë frikërat tuaja frikës së Tij. Lejoni Jezusin të kujdeset për ju.

Nuk kisha vënë re më përpara, se akti i të hedhurit të merakut tonë mbi Jezusin, është në fakt një akt përuljeje.

Kur vijnë sfidat, duket se kemi dy zgjedhje: ose t’ia dalim mbanë vetë sfidës, duke i besuar strategjive tona të mundshme njerëzore, ose do të dallojmë se sfidat e jetës janë më të mëdhaja se ne, e kështu, dikush, më i madh se ne, më i fuqishëm se ne, mund të na ndihmojë.

Kur dikush sëmuret e nuk mund të ndryshosh gjë, kërkon përulje t’ia hedhësh merakun e zemrës dikujt tjetër. Në këtë rast, ta kalojmë merakun tonë prej zemrës sonë drejt zemrës së Atij që vuajti për ne. Përuluni pra, thekson Pjetri, duke ia hedhur merakun tuaj Krishtit. Hiqni dorë nga shqetësimi i tepërt për diçka që nuk e përballoni dot.

Nuk kisha vënë re përpara gjithashtu frazën “ai kujdeset për ju”. Patjetër, e dimë nga shumë kontekste të tjera biblike se Perëndia kujdeset për ne. Por një lidhje kaq e dukshme mes përulësisë, dorëzimit të merakut tonë përballë vështirësive të jetës, dhe përkujdesjes së Perëndisë për ne, nuk e kisha dalluar kaq qartë.

A nuk ka një shije më të mirë përulja kur bëhet ndaj dikujt që na do të mirën? Perëndia nuk është i interesuar që t’i të ulësh kokën përpara Tij në shenjë të pushtetit të tij madhështor. Ai nuk kërkon përulje për të treguar se kush është më i forti. Ai kërkon një rrugë më të mirë për ne: dorëzim përpara përkujdesjes së Tij. Dorëzim përpara mirësisë së Tij.

Nuk është e lehtë kur përballesh vetë me sfidën ta dallosh mirësinë e Zotit.

Zot, unë nuk i kontrolloj dot rrethanat. Unë vetëm mund t’i sjell këto rrethana – këto sfida që më ke sjellë, – përpara kujdesit tënd. Faleminderit që kujdesesh për mua dhe për të njohurit e mi!

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...