Plani shpengues 

adminDhiata e Re, Krishtlindja0 Comments

“por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit.” Galatasve 4:4

I pajisur me mobilje të përdorura, të dhëna nga të tjerët dhe me dhuratat e dasmës, apartamenti ynë i parë nuk ishte ndonjë gjë e madhe. Ato pak të ardhura që arrinim të siguronim përdoreshin për qiranë e një vendi tek i cili viheshin re gjurmë të grindjeve me thika, zënkave martesore dhe vjedhjeve, por, për fat të mirë, ne nuk ishim përfshirë në asnjërën prej tyre. Laura dhe unë planifikuam të kishim një Krishtlindje të varfër, por të gëzueshme së bashku.
Megjithatë, Laura i mori planet tona dhe u shtoi atyre edhe planin e saj. Shumë muaj përpara Dhjetorit, Laura filloi të hiqte mënjanë Linkolnë dhe Hamiltonë, duke kursyer fshehurazi para nga të ardhurat e saj në mënyrë që të më surprizonte me një orë të mirë. Kur erdhi momenti për të ndarë dhuratat, me dritat që shkëlqenin mbi pemën tonë Çarli Braun, unë ngela i shtangur nga shoku, kurse ajo rrezatonte e gjitha nga gëzimi.
Ai moment i qetësisë shkëlqimplotë të Krishtlindjes sonë të parë si çift i martuar më sjell ndër mend Krishtlindjen e Parë. Ashtu si Laura planifikoi për festimin tonë të Krishtlindjes, edhe Ati planifikoi për ardhjen e Birit të Vet në këtë botë. Disa momente pas Rënies, Zoti premtoi shpëtimin (Zanafilla 3:15). Që nga ajo kohë njerëzit filluan të kërkonin për këtë bir të Evës, por Zoti e dërgoi Birin e vet si dhuratë të bukur për njerëzimin vetëm kur erdhi koha e duhur. Galatasve 4:4 përdor frazën “kur u mbush koha” duke na treguar që Zoti zgjodhi një moment të caktuar në histori për të çuar përpara punën e Tij shpenguese në botë.
Kur festojmë Krishtlindjen, ne duhet ta bëjmë këtë duke qenë të vetëdijshëm që kemi një Atë i cili e tregon dashurinë e Tij ndaj nesh nëpërmjet vëmendjes ndaj nevojës sonë për shpëtim dhe rilindje. Kur ne kujtojmë qetësinë shkëlqimplotë të mbrëmjes së Krishtlindjes së parë, barinjtë e shtangur të rrethuar nga lavdia shkëlqyese e Perëndisë, ne dallojmë në të kulmin e kujdesit të Perëndisë për krijimin e Tij. Por lindja e Shpëtimtarit gjithashtu duhet ta çojë vështrimin tonë përpara, duke na ndihmuar të besojmë në “planin” shpengues të Zotit, i cili në fund do të bëjë çdo gjë të re.
— Dr. Xhon Adair
Asistent Profesor i Studimeve Teologjike

Ky inkurajim është përkthyer me leje nga seria e Inkurajimeve të Krishtlindjes, inkurajime të shkruara nga profesorë të Seminarit Teologjik Të Dallasit, në Dallas, SHBA.

E mirepresim komentin tuaj...