“Dhe Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin, dhe fryma im ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim, sepse ai e shikoi me pëlqim ultësinë e shërbëtores së tij; sepse ja, tani e tutje të gjitha brezat do të më shpallin të lume, sepse i Pushtetshmi më bëri gjëra të mëdha, dhe i Shenjtë është emri i tij! Dhe mëshira e tij shtrihet nga brezi në brez për ata që e druajnë. Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet; i shpërndau krenarët me mendimet e zemrave të tyre; i përmbysi pushtetarët nga fronat e tyre dhe i ngriti të përulurit; i mbushi me të mira të uriturit dhe i ktheu duarbosh të pasurit. Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar për mëshirën e tij, ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, për gjithmonë.” Luka 1:46-55
Maria ka shkuar të takojë kushërirën Elizabetë. Kur takohen Maria fillon dhe lavdëron Perëndinë.
Po të isha unë në vendin e Marisë, do të shfaqja dy emocione me të njëjtë frymë: gëzimin që do ndieja edhe frikërat e mia; të dyja të lidhura më detyrën e ngarkuar nga Perëndia. Do t’i tregoja Elizabetës gjithë pasion dhe lot në sy, rreth paragjykimeve të njerëzve: Çfarë mendonin ata rreth shtatzanisë? Po për familjen time? Ata do të bëheshin objekt thashethemesh.
Po i fejuari im, a do të më pranonte edhe pse nuk ishte ai babai i fëmijës – qoftë edhe kur ky fëmijë ka lindur mrekullisht nga Zoti e jo nga ndonjë mënyrë e pandershme dhe e pamoralshme? Si do t’ia shpegoja gjithë botës se në fakt unë do të isha duke zbatuar vullnetin e Perëndisë dhe nuk do të ishte siç mendonin ata… Dhe lista me ankesa mund të vazhdonte e vazhdonte…
Por, sa mirë që Maria nuk është si unë.
Sa herë që lexoj këtë histori nga Ungjilli (Luka 1:46-55) mahnitem me besimin që ka Maria. Ajo, edhe pse e vogël në moshë, kupton se po mban Shpëtimtarin e botës në trupin e saj të brishtë. Ajo është një vajzë e thjeshtë por e sigurt në të vërtetën e saj, dhe brezat që do të vijnë, jo vetëm nuk do ta tallin, por do ta quajnë fatlume. Pikërisht ashtu siç ka ndodhur deri më sot!
Ajo është e sigurt që po bën vullnetin e Perëndisë, një premtim që Perëndia ia ka dhënë brezave përpara saj; një premtim që thotë se ajo do të sjellë në këtë botë personin që do t’i japë Shpresë, Paqe, Lumturi, Gëzim gjithë njerëzimit.
“Dhe mëshira e Tij shtrihet nga brezi në brez për ata që e druajnë” – Lluka 1:50.
Paçim edhe ne përulësinë e Marisë në këtë kohë dhe bindjen e saj ndaj Atij që ka mëshirë për të gjithë njerëzit, në mënyrë që Mirësia e Tij të bëhet e njohur ndër të gjithë këtë Krishtlindje.
Gëzuar Krishtlindjen!