Portreti i gjallë i mirënjohjes

adminDhiata e Re0 Comments

Unë di të jem i përunjur dhe di të jetoj edhe në bollëk; në çdo vend dhe për çdo gjë jam mësuar të nginjem dhe të kem uri, të kem me tepri dhe të vuaj në ngushticë. Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon.” Filipianëve 4:12-13

A të ka ndodhur ndonjëherë të takosh dikë dhe të të ndryshojë perspektivën për jetën përgjithmonë? Mua po! Megjithëse kanë kaluar më shumë se 10 vjet, ende e mbaj mend sikur të ishte dje. Isha në një udhëtim pune jashtë vendit dhe po qëndroja në një familje vendase për disa kohë. Në një nga ditët, e zonja e shtëpisë, më ftoi të shkoja bashkë me të për të takuar të atin që ndodhej në një shtëpi për të moshuar. I thashë po, më shumë për t’i bërë qefin asaj se sa sepse kisha vërtet dëshirë. Zonja e shtëpisë ishte rreth 60 vjeç kështu që me llogaritë e mia i ati duhet të ishte goxha i moshuar.

Rrugës për atje, në makinë, ajo filloi të më tregonte për të atin. Ai kishte qënë profesor në një nga universitetet e mirënjohura të shtetit, figurë e njohur dhe e vlerësuar publike. Njeri i respektuar dhe i krishterë shumë i mirë.

Ndërsa më fliste, sytë e shprehnin qartë nderimin dhe respektin që kishte për të Atin e saj 90 vjeçar. Hymë tek shtëpia e të moshuarve. Më bënë përshtypje kushtet e mira, korridoret e këndshme, lulet e pikturat, salla e muzikës dhe lojërave.

Ëndjen ma prishi aroma e fortë e ilaçeve, fytyrat e “plakjes” gjithandej dhe realiteti i

hidhur i vdekjes që gjendej në çdo cep. Sado që ishin munduar që vendi të ngjante si një shtëpi e madhe, ti mund të nuhasje aromën e fundit të jetës. Në disa dhoma, të moshuarit ishin në grahmat e fundit.

Rrallë të zinte syri të rinj, zhurma jete.

Më në fund arritëm tek dhoma e “profesorit”. Ishte një dhomë e thjeshtë spitali. E ulëm me vështirësi në karrocë dhe filluam ta shëtisnim nëpër ambiente. Në një cep të këndshëm u ndalëm. Isha ulur përballë tij, ndërsa e bija na prezantoi. Ai më zgjati dorën me një buzëqeshje të ëmbël. I bëra pyetjen e zakonshme “si je?”

Kur e bëj këtë pyetje të moshuarve, zakonisht përgjigja është: “sëmurë, mezi mbahem, nuk kam vënë gjumë në sy, kot që po jetoj”…

Përgjigja e tij më befasoi. “Për mrekulli jam. Falenderoj Zotin. Jam shumë mirë.” Gjërat e tjera nuk i mbaj mend, se mendjen ma pushtoi përgjigja e profesorit.

Gjithë rrugës pyesja veten, si ka mundësi të jetë për mrekulli një njeri që në jetë ka arritur shumë, ka qënë dikush, e tani nuk ecën dot vetë, pa ia shtyrë karrocën dikush? Ai nuk kujdeset dot për veten, nuk ushqehet e nuk del dot prej aty. Ai e di që tani radhën e ka vdekja.

Ky njeri, e dinte se jeta e tij ishte në duart e Krijuesit. E kishte mësuar, shijuar e jetuar, virtytin e të kënaqurit në çdo situatë. Ai e kishte zemrën të mbushur me mirënjohje të thellë ndaj Shpëtimtarit, dhe ia kishte dorëzuar jetën plotësisht Atij. Ai e dinte se fundi i jetës ishte fillimi i një udhëtimi të pafund me Perëndinë e Tij. Ndaj nuk kishte se si të mendonte ndryshe, përveçse “jam për mrekulli”.

Profesor Russell, me atë takim, më dha një nga mësimet më të mëdha të jetës. Ma solli në jetë thirrjen e Apostullit Pal, që të kemi një zemër falenderuese në çdo rrethanë.

“Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.” I e Thesalonikasve 5:18

Dhe gjithashtu, thirrjen tjetër po nga Apostulli Pal, që të mund të jemi të kënaqur me ato që kemi, në çdo situatë.

Unë di të jem i përunjur dhe di të jetoj edhe në bollëk; në çdo vend dhe për çdo gjë jam mësuar të nginjem dhe të kem uri, të kem me tepri dhe të vuaj në ngushticë. Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon.” Filipianëve 4:12-13

Ai burrë 90-vjeçar u bë për mua, portreti i gjallë i një zemre mirënjohëse.

Nuk e di nëse ti je në mes të stuhisë apo bunacës, në mes të mjerimit apo bollëkut, gëzimit a hidhërimit… Uroj që të “infektohesh” edhe ti, ashtu si unë, nga zemra mirënjohëse e profesor Russell dhe ashtu si unë, të mund të ndalesh për ta falenderuar Perëndinë për të gjitha ato që ke dhe që nuk ke, ato që kanë shkuar dhe ato që do të vijnë.

Faleminderit nga zemra At për takimet hyjnore që rregullon për ne, këtu në tokë!

Rreth Autorit
mm

Ela Kole

Ka lindur në Kuçovë. Eshtë diplomuar pranë Universitetit të Tiranës, dega Administrim Biznesi/Menaxhim. Shërben me "Institutin Jeta e Re" që prej vitit 1999. Gjatë këtyre viteve, ka punuar me mobilizim, përkujdesje, drejtim të grupeve të ndryshme (gjimnazistë, studentë, politikanë dhe biznesmenë) dhe ka drejtuar departamente të ndryshme në nivel lokal dhe nivel kombëtar. Aktualisht punon në skuadrën e Strategjive Dixhitale. I pëlqen larmia dhe ndryshimet. Ela është e martuar me shokun e saj më të mirë dhe është nëna e një djali kureshtar, tre vjeçar.

E mirepresim komentin tuaj...