Princi i paqes në një botë të trazuar!

adminDhiata e Vjeter, Krishtlindja 20180 Comments

“Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes” Isaia 9:6.
Nuk ka fjalë tjetër me më shumë rëndësi sesa fjala paqe në një botë të trazuar, si kjo e jona. Sa shpejt dhe sa shpesh na tronditet bota; sa shpesh dhe sa shpejt e humbim qetësinë, dashurinë, qetësinë; sa shpejt e humbim se kujt i përkasim.
Në marrëdhënien time me Jezusin, më kanë prekur shumë thënie të tij në lidhje me paqen; princ i paqes, kam ardhur të vendos paqen, paqja me ju. Mendoj shpesh për mungesën e paqes në botë. Në historinë e njerëzimit, sipas një studimi, ka pasur vetëm 292 vite paqe. 14,350 lufta, 3.64 miliardë njerëz janë vrarë në luftëra. Vlera e pasurisë së dëmtuar do të ishte sa një brez ari rreth e përqark globit.
Por, a është paqja mungesë telashesh? A do të thotë paqe që të mos kemi shqetësime? Si ta kuptojmë paqen  në perspektivën e Perëndisë?
Një vajzë, u kthye vonë në shtëpi një ditë. I ati, i shqetësuar, e pyeti se ku kishte qenë. Ajo iu përgjigje se kishte shkuar te fqinja, së cilës sapo i kishte vdekur i shoqi. “Çfarë po bëje ti atje?” – vazhdoi bisedën i ati. “Po e ngushëlloja” – u përgjigj vajza. Po si e ngushëllove? Vajza iu përgjigj: “u ula në prehrin e saj dhe qava së bashku me të!”
Paqja e Perëndisë, paqja që jep Jezusi, nuk është mungesa e telasheve në botë; as mungesa e telasheve në jetën tonë, por është siguria që prania e Tij është me ne, në çdo hap të jetës.
Është siguria që prania e Zotit është me ne. Është e njëjta prani që do të përgatisë për ne një banesë, në mbretërinë e paqes. Është i njëjti person që tha: “unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time, po ua jap jo si e jep bota. Zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.” Gjoni 14:27
Bota jonë tronditet sepse kompleksiteti është një shpikje njerëzore. Perëndia i bën gjërat më të thjeshta dhe Perëndia do ti bëjë gjërat më të thjeshta për ata që besojnë në të.
Nëse ne kemi Jezusin, nëse kemi paqen e Perëndisë, atëherë paqe është:
  • siguria e një jetimi që dikush e pret në familje.
  • siguria e një të moshuari që mes vetmisë, indiferencës, dhimbjes së kockave dhe mungesës së dashurisë, në fund të kësaj jete të rrëmujshme, e pret një jetë në paqe e plot dashuri.
  • siguria e një të papuni se një ditë puna e vetme (nëse mund të quhet e tillë) është adhurimi i Atij që beson. 
  • siguria e një të verbëri që do ta shohë Jezusin ballë për ballë një ditë. 
  • siguria e një të çali se një ditë do të hidhet dhe do të kërcejë në oborret e mbretërisë. 
  • siguria e atij që nuk ka asgjë në jetë që një ditë do të trashëgojë pasurinë e Zotit të jetës. 
  • siguria e një adoleshenti që dikush e kupton plotësisht, edhe pa folur.
  • siguria e një kryefamiljari, që faturat e shpenzimeve mujore nuk do të egzistojnë më.
  • siguria e një të burgosuri që një ditë prangat do të thyhen.
  • siguria e një të varfëri që një ditë do të shtrohet si fisnik në oborrin e princit.
  • siguria e një nëne që lotët e saj të derdhur në shqetësime do të thahen nga përqafimi i birit.
  • siguria e vejushës se një ditë do të vishet me të bardha.
  • siguria e fëmijës se një ditë prezenca e Atit do të jetë përherë me të.
  • siguria e zemrës që një ditë nuk do të rrahë mundimshëm për të siguruar funksionimin e një trupi që prishet, por do të rrahë në një trup të përlëvduar në gëzimin e prezencës së Atit.
  • siguria e djalit që në familjen e Atit ka gjithmonë një vend për të.
  • siguria e Atij që ka humbur jetën në Zotin që do ta gjejë jetën në Zotin.
  • siguria e një mëkatari që Perëndia nuk erdhi për të gjykuar këtë botë, por për ta pajtuar atë
  • siguria e kishës së Perëndisë që mbretëria do të vijë, mbreti do të përlavdohet dhe adhurimi do të vazhdojë përjetësisht.
“Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore që lëvdonte Perëndinë duke thënë: lavdi Perëndisë në vendet më të larta, paqe mbi tokë, njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij.” Luka 2:14
Gëzuar Krishtlindjen!
Rreth Autorit
mm

Agustin Prenga

Agustin Prenga ka mbaruar studimet për drejtësi. Eshtë drejtues i lëvizjes rinore IJR Student, degë e Institutit Jeta e Re. Shkruan dhe mban leksione mbi çështje të besimit, zhvillimit personal dhe udhëheqësisë. Ka pasion të ndihmojë të rinjtë të arrijnë maksimumin e potencialit të tyre. I pëlqejnë librat, futbolli, ecja në natyrë dhe udhëtimet. Është shijues i thekur i kafes, ideve dhe humorit. Mund të lexoni rregullisht shkrimet e Agustinit te faqja imakiato.com.

E mirepresim komentin tuaj...