Kur u martua xhaxhai, më caktuan të shkoj krushk. Mezi kam fjetur nga gëzimi derisa erdhi dita, duke pritur rastin me padurim. Disa herë, pritja është më e ëmbël sesa përjetimi që kemi kur e marrim objektin e pritjes.
Profeti Isaia, kishte përmendur premtimin e Zotit për ardhjen e një fëmije, 700 vite përpara ngjarjes së Krishtlindjes. Tani jemi në kohën kur lindi Mesia. Si një skenë teatri, na hapet perdja edhe jemi te skena e lindjes së Jezusit. Perëndia vetë merr formën e një fëmije për të na shfaqur vetveten. Një shpresë që kemi pritur, e cila tani është e mishëruar. Një shpresë që gjendet në prehrin e një nëne. Perëndia na ka vizituar përmes një foshnje, përmes një qëllimi, për të na dhënë dashuri dhe falje.
Një nga çmimet e Akademisë Oscar që e preferoj, është çmimi për aktorin ose aktoren më të mirë jo protagonist. Një aktor që dëshmon për ngjarjen e madhe, pa dalë vetë shumë në skenë. Në Krishtlindje, ngjarja e madhe ishte skena me Jezusin. Të gjithë ishin mbledhur aty: barinjtë, ylli, dijetarët, engjëjt.
Por Zoti ju kishte dhënë një rol jo protagonist dy personazheve të tjerë, Simeonit dhe Ana. Çfarë roli kanë ata? Të dy ishin të devotshëm, mbanin gjallë shpresën e Izraelit. Njëri priste ngushëllimin për Izraelin, tjera priste çlirimin e Iraelit. Të dy prisnin prisnin përmbushjen e profecive, përmbushjen e ligjit të Dhiates së vjetër, prisnin Shpëtimtarin, Mesian.
Dhe ja më në fund, Mesia si foshnje, ju shfaqet përpara në tempull.
Simeoni dhe Ana ishin në pritje. Kishin marrë premtimin që nuk do të vdisnin pa parë Mesian me sytë e tyre. Të dy kishin pritur me shpresë…
Një studim thotë se njerëzit kalojnë shumë kohë në pritje. Presim 4 vite në makinë, duke shkuar diku. 25 vite presim në gjumë për t’u zgjuar. Çdo njeri pret për diçka. Ndonjëherë pritja kërkon shumë durim, ndonjëherë kërkon shumë punë.
Simeoni ndoshta është afër vdekjes. Ndërsa Ana ka pritur për 84 vite. Më në fund Zoti ka dëgjuar lutjen e tyre. Historitë e tyre janë shembuj të njerëzve që kanë jetuar në pritje, me shpresën e premtimit të Perëndisë. Në fund kjo pritje u përmbush.
A njihni sot ndonjë person të tillë, të ngjashëm me Simeonin dhe Anën? Njerëz që kanë këtë përkushtim ndaj Perëndisë? Ndonjëherë mërzitemi për 5 minuta që nuk shkojnë ashtu siç duhet, kurse ata presin pa u ankuar, pa u mërzitur, me gëzimin në premtimin e Zotit. Shembuj të mahnitshëm që duhet t’i ndjekim.
Mua më sfidojnë të shikoj veten, edhe të pyes: Si duket jeta ime në pritje? Si reflektohet përkushtimi im ndaj Perëndisë, duke ndjekur shembullin e tyre?