Privilegji i bindjes

adminDhiata e Re, Krishtlindja 20180 Comments

“Dhe engjëlli hyri tek ajo dhe tha: ‘Tungjatjeta o hirplote! Zoti është me ty, Ti je e bekuar ndër gratë… Mos ki frikë Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vesh emrin Jezus. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do ti japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë… dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur…” Luka 1:28, 30-33 

“Me një djalë!” Ky është një urim që njerëzit bëjnë zakonisht një çifti të ri ose nuses. Gjithmonë dëshirojmë që në martesë dashuria e dy të rinjve të kurorëzohet me një fëmijë. Sjellja e një fëmije në jetë mbart gezim e shpresë për të ardhmen. Por pavarësisht dëshirës sonë, vetëm Zoti jep jetë një krijese. Kjo është mrekullia!

E megjithatë, rreth 2021 vite më parë, ndodhi mrekullia më e madhe e kohërave.

Maria ishte një vajzë e thjeshtë nga Nazareti. Ajo e donte shumë Zotin dhe bënte atë që ishte e mirë përpara Zotit.

E krejt befas, një ëngjëll i Zotit shkon për ta vizituar duke i thënë: “Tungjatjeta o hirplote! Zoti është me ty, Ti je e bekuar ndër gratë.”

Çfarë lloj përshëndetje ishte kjo? Kështu mendoi edhe Maria ndërsa u trondit kur dëgjoi përshëndetjen. Ç’do një ëngjëll që po i flet Marisë?

Me siguri ndonjë mesazh nga Zoti! Zoti do të komunikojë diçka.

Ëngjëlli vazhdoi të zbulojë mesazhin: “Mos ki frikë Marie! Ke gjetur favor në sytë e Zotit. Ti do të ngelesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë e do i vësh emrin Jezus. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do ti japë fronin e Davidit… dhe do të mbretërojë dhe mbretëria e tij s’do të ketë kurrë të sosur…”

Ua, çfarë lajmi! Një djalë do të lindë prej Marisë, por një djalë që s’do të jetë si gjithë të tjerët. Mbret! Pasardhës i Davidit! I Përjetshëm! I Pafund!

Sa e privilegjuar dhe e nderuar do të jetë ndjerë Maria që ishte e zgjedhura për të lindur Shpëtimtarin e botës dhe Mbretin e Përjetshëm?

Si çdo lindje, edhe kjo do të jetë e vështirë! Ndoshta pak më shumë se e vështirë. Të paktën ashtu si thotë ëngjëlli: Maria do të lindë këtë djalë megjithëse është e virgjër dhe pa burrë. Si mund të ndodhë kjo?

Vetëm Zoti mund të jepte jetë në barkun e saj… sepse asgjë s’është e pamundur për Zotin! Nëpërmjet saj, Perëndia do të vizitonte njerëzimin, për të na shpëtuar!

Përtej domethënies së vërtetë të historisë, mbase duhet të vëmë re edhe një detaj tjetër: ndoshta ndihesh se aftësitë, përvoja, arsimi yt nuk kanë ndonjë vlerë për planet e Zotit.

E në fakt, krejt e kundërta mund të jetë e vërtetë: Ai mund të të zgjedhë ty, mund të të përdorë ty, nëse ti i bindesh Atij si Maria.

Zgjedhjet e Zotit nuk mund të kufizohen. Dhe në to bën pjesë edhe ti! Mjafton një zemër e butë, e përulur dhe e bindur, si e Marisë!

Gëzuar Krishtlindjen!

Photo Credit: Jaron Johns

Rreth Autorit
mm

Dori Pasho

Dori Pasho është nga Vlora. Ajo shërben me Institutin "Jeta e Re" prej 16 vitesh, nga të cilat 8 vite ka shërbyer me lëvizjen studentore të IJR-së. Akualisht shërben me Burimet Njerëzore të IJR-së. Dori është e martuar dhe ka tre fëmijë. I pëlqen puna që bën me IJR-në.

E mirepresim komentin tuaj...