Ai pushon në prehrin e Jezusit…

adminDhiata e Vjeter0 Comments

Shpjegim nga redaksia e Lentes: Brent dhe Xheki janë një çift besimtarësh nga Amerika. Në vitin 2010 u lindi fëmija i tyre i pestë, i cili disa muaj pas lindjes u diagnostikua me një sëmundje të pashërueshme. Danieli jetoi 6 vite, përmes sfidave të vazhdueshme me shëndetin e tij. Por megjithëse pak vite, historia e tij dhe e besimit të familjes së tij, ka prekur zemrat e shumë njerëzve. Ky artikull në origjinal gjendet në këtë link.

“E kërkova Zotin dhe ai m’u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia”. Psalmi 34:4

Në pranverë të 2009 kishim një surprizë të mrekullueshme për ne si familje. Do të kishim një fëmijë të pestë. Pak muaj më vonë morëm vesh se fëmija do të ishte djalë. Megjithatë, edhe përpara se të bënim një kontroll me ultrasound, zemra ime prej mamaje e dinte që ky bebe ishte Danieli. Një emër të cilin Perëndia e kishte vënë në zemrën time shumë kohë më parë, përpara madje se ta dija që do të kisha një djalë.

Herët, në mëngjesin e 6 Janarit 2010, mirëpritëm në botën tonë Danielin. Ishte dashuri me shikim të parë për të gjithë ne.

Danieli ishte si një personazh i famshëm në familje. Që nga çasti kur hapte sytë në mëngjes, e derisa e vija në gjumë në darkë, vëllezërit dhe motrat e tij nuk linin mundësi pa i treguar dashuri. Çdo mëngjes kur zgjohej Danieli dëgjohej thirrja në kor: “Daniel, Daniel, Daniel!”

Në mes të ëmbëlsisë së kësaj atmosfere, zemrën e kisha të shqetësuar. Shpesh herë ndërsa mbaja Danielin në krahë, më mbusheshin sytë me lot. I thoja burrit edhe miqve ndonjëherë “mos jam akoma me shqetësimet emocionale të paslindjes?” Tani që ka kaluar gjithçka, mendoj se lotët ishin pjesë e punës së hirit të Perëndisë, që po më pregatisnin zemrën për ngjarjet që do të ndryshonin jetën tonë përgjithmonë.

Në mbrëmjen e 7 prillit, po udhëtoja me fëmijët në makinë. Po shkonim të merrnim djalin, Semin, nga stërvitja e basketbollit. Gjatë rrugës, ndërsa po shkonim tek fusha, Danieli, i cili ishte 3 muajsh tashmë, filloi të qante. Fillova t’i flas dhe i thashë: “Hej shoku, sa të mbërrijmë tek fusha, do të të nxjerr jashtë karroce dhe do të të ushqej”. Këndova, bëra zëra qesharakë, vazhdova të flisja me të, gjatë atij udhëtimi të shkurtër 5-minutësh.

Kur mbërritëm tek fusha vajta ta nxjerr nga karrigja. Kur ç’të shikoj: e tmerruar vura re se ai ishte i tëri në blu, si boronicë. E nxorra nga karroca me shpejtësi, dhe fillova ta fërkoja tek shpina. Ai u këput në krahët e mi. Mora telefonin me shpejtësi dhe telefonova ndihmën e shpejtë.

Që nga ai çast, çdo ngjarje u zhvillua me xhirime të ngadalta.

Më kujtohet udhëtimi me ambulancë drejt spitalit, që dukej se nuk mbaronte kurrë. Mbaj mend doktorët që më thonin: “Nëse arrin të shpëtojë…”, “Nuk e dimë çfarë nuk shkon, por fëmija yt është i sëmurë rëndë…”, “A duhet të telefonojmë dikë…?”, “Ka shumë mundësi që do të ketë dëmtim të përhershëm të trurit…”.

Lavdi Zotit që Danieli mbijetoi atë natë dhe nuk kishte dëmtim të përhershëm të trurit. Ne qëndruam dhe 35 ditë të tjera në spital dhe do të ishte gjatë kësaj kohe, morëm vesh që Danieli kishte hipertension polmunar. Me kalimin e kohës kuptuam që shaku i sëmundjes ishte i panjohur. Edhe që gjithashtu, kjo sëmundje nuk kishte kurim.

Kam shumë për të treguar për ato vite. Danieli ishte i mrekullueshëm.

Sot dua të tregoj një pjesë të historisë së tij nga javët e fundit të jetës dhe javët që pasuan pas vdekjes së tij.

Në 11 Mars të 2016 Danieli u kthye në spital, për herë të parë pas katër vitesh. Ato javë që do të vinin më pas do të ishin javët më të tmerrshme dhe më të dhimbshme që kam përjetuar ndonjëherë. Danielin nuk do ta sillnim dot më kurrë në shtëpi.

Por Danieli… Sa i dukshëm ishte hiri i Perëndisë gjatë 6 viteve të shkurtra të jetës së tij.

Dashuria e tij për jetën i mbushi korridoret e spitaleve, edhe pse ishte në mes të vuajtjes, shpimit të gjilpërave e testeve spitalore. Ai kishte buzëqeshje dhe lëpirëse për të gjithë.

 Ai iu bënte përshtypje infermierëve me forcën e tij. Gjallëria e tij, frazat që thoshte nëpër spital, janë akoma ndër kujtimet më të preferura nga Danieli për ne si familje. Ai kujdesej për të shtruarit e tjerë në spital, kujdesej për pajisjet e tyre dhe zhurmën e makinerive të të sëmurëve. Ai kishte një tendë të mbushur me kafshët e tij të preferuara, me lojëra dhe me lodra. Ai sigurohej që vajrat e tij të preferuara të shpërndaheshin gjithandej – edhe korridoret e spitalit ku rrinim ne, kishin të gjithë aromë menteje! Sa herë që vizitonim dyqanin e dhuratave te spitali, ai donte që ne t’i blinim një palë çorape të reja dhe ngjitëse me figura kafshësh.

Ai shikonte me shumë qejf ndeshjet e bejzbollit të familjes në oborrin e spitalit. Kujtdo që e vizitonte, i kërkonim që të luante “Mem-rie” (Memory game–eshte loje per femije. Shen.i redaktorit).
Buzëqeshi në mes të dhimbjes. Ai e lejoi dritën e tij të shkëlqejë.

Në një nga netët që u largova nga spitali për të fjetur në shtëpi, kalova disa orë në lutje në kuzhinë. Qava… U përgjërova. Iu luta Perëndisë për ndihmën. Deklarova dashurinë time për Të. E falenderova për identitetin e tij, edhe që më dha mundësinë të isha mamaja e pesë kalamajve. I kërkova Atij që të na jepte përgjigje. I kërkova më shumë kohë. I kërkova që të na lejonte ta sillnim përsëri në shtëpi Danielin tonë të ëmbël. E derdha zemrën time tek Ai. Qava derisa nuk kisha më lot. Ndërsa u ngrita dhe u ula në divan, dikush më pëshpëriti në vesh Psalmi 34:4:

“E kërkova Zotin dhe ai m’u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia”.

Thashë me zë “Mirë?”

Sepse nuk kishte lidhje. Ndërsa po qaja, u luta dhe thirra Zotin; nuk u ndjeva e frikësuar, e tmerruar apo e shqetësuar. Në vend të kësaj, u ndjeva e trishtuar, e lodhur dhe zemërthyer.

Vetëm pas vdekjes së Danielit, e kuptova përgjigjen që më kishte dhënë Zoti.

Gjatë gjithë gjashtë viteve të jetës së Danielit, unë i kërkova Zotit që Ai të më linte të jetoja një ditë më shumë se Danieli. Isha e shqetësuar, kush do të kujdesej për të si unë? Lutje të tjera të thëna rregullisht kishin lidhje me shtyllën e tij kurrizore që të mos thyhej, pompën e tij që do të funksiononte dhe nuk do të prishej në mes të natës pa e ditur (pasi një ndërprerje mund të rezultonte me vdekje), për raste emergjencash që të ndodhnin vetëm aty, dhe atëherë ku mund të merrnim ndihmë shpejt, për fëmijët e moshës së tij që do të ishin të mirë me të, dhe….. Lista vazhdonte e vazhdonte.

Të gjitha frikërat e mia kishin të bënin me jetën e Danielit. Nuk kisha frikë për vdekjen e tij. E dija se ku do shkonte pas vdekjes: ai e donte Jezusin.

Tani jam duke lexuar përsëri librin “Sekreti Shpirtëror i Hudson Taylor”. E lexova një pjesë të mirë të këtij libri kur Danieli ishte gjallë. Që pas vdekjes së tij, nuk kam gjetur fjalë më të afërta me përjetimet e zemrës sime sesa fjalët e shkruara nga Hudson Taylor, në letrën drejtuar nënës së tij, pasi vajza e tij 8-vjeçare, Grejsi, kishte vdekur.

“Oh, Grejsi ynë e vogël! Sa na mungon zëri i saj i ëmbël në mëngjes, një nga tingujt më të ëmbël që na përshëndeste kur zgjoheshim, gjatë ditës dhe në mbrëmje! Ndërsa dal shëtitje, siç bëja përpara, me Grejsin përbri meje, më vjen mendimi si një goditje agonie: “A është e mundur që kurrë nuk do të ndiej më prekjen e asaj dore të vogël… nuk do të shoh kurrë shkëlqimin e atyre syve të ndritshëm?” Dhe, megjithatë ajo nuk ka humbur. Por nuk e kthej dot pas… Mendoj se kurrë nuk kam parë ndonjë gjë aq të përsosur, sa eshtrat e asaj fëmije të dashur. Qerpikët e gjata, të mëdhenj kurriz-harkuar me imtësi; hunda e saj e punuar me delikatesë; goja, e vogël dhe me plot shprehje të ëmbël; bardhësinë e pamjes së saj… të gjitha të skalitura thellë në zemër dhe kujtesë. Pastaj xhaketa e saj e ëmbël kineze, duart e vogla të kryqëzuara mbi kraharorin e saj, duke mbajtur një lule – oh, një pamje e mrekullueshme, kaq e vështirë për ta hequr nga mendja! Lutu për ne. Ndonjëherë, ndihem i pafuqishëm ndaj sprovave të brendshme dhe të jashtme… Por Ai tha: “unë kurrë nuk do të të braktis, dhe as do të të lë”, dhe “forca ime përsoset në dobësi””.

Fjalët dhe përshkrimi janë të ndryshme për Danielin tim të dashur, por zemra e dashurisë, malli dhe besimi në Zotin është i njëjtë.

Libri tregon se më vonë, se ata humbëm edhe një djalë. Në mes të shumë fjalëve, Hudson Taylor shkruan:

“Nuk kam më ankth për dy fëmijët e mi. Ata pushojnë në prehrin e Jezusit”.

Danieli gjithashtu po pushon në prehrin e Jezusit. Kur thashë më sipër se nuk kisha frikë për vdekjen e Danielit, pikërisht këtë ide kisha në mendje. Unë e di me siguri ku është Danieli. Jam e sigurtë që për këtë arsye, Zoti i foli fjalët e këtij Psalmi në zemrën time, disa javë para vdekjes së Danielit. Frika ime për Danielin është zhdukur.

Por malli më merr për të. Tmerrësisht. Ndjej “hidhërimin e agonisë” që përmendi Taylor, kurdo që mendoj se nuk e shoh dot atë buzëqeshje të ëmbël, nuk e dëgjoj qeshjen e çmuar të Danielit, nuk e mbaj dot në krahë, nuk ia nduk dot faqkat, nuk i shikoj dot sytë e tij të bukur kafe ndërsa kërcenin plot gëzim dhe mistrecllëk.

Por një ditë… një ditë do të takohemi përsëri! Dhe ashtu si Hudson Taylor shkroi për Grejsin e tij, as unë nuk do ta kisha kthyer Danielin pas. Zoti ishte i mirë dhe i mëshirshëm me Danielin, sepse Ai është shumë më mirë tani. Jam në ankth më shumë për fëmijët që kam gjallë.

Psalmi 34:18 thotë:

“Zoti qëndron pranë atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar”

Unë besoj se këto fjalë janë të vërteta. Ndjenjat e mia shkojnë lart e poshtë, emocionet e mia rrokullisen si valët e detit, por unë besoj në mjaftueshmërinë e hirit të Tij, besoj se Ai është afër. Kam besim se Ai kurrë nuk do të më braktisë dhe kurrë nuk do të më lërë. Besoj gjithashtu se fjalët e Hudson Taylor janë të vërteta:

Nuk ka rëndësi se sa i madh është presioni. Ajo që me të vërtetë ka rëndësi është fakti se ku qëndron sfida – nëse kjo sfidë të largon më shumë nga Perëndia, apo të shtyn që t’i afrohesh më shumë zemrës së Tij.

Oh, qofsha gjithnjë e më pranë zemrës së Tij!

Rreth Autorit
mm

Jaci Jackson

Xheki Xhekson (Jaci Jackson) ka studiuar për mësuesi për fëmijët me nevoja të veçanta. Pasioni i saj për Zotin dhe njerëzit njihet nga të gjithë që janë afër saj. Ajo dhe burri i saj Brent kanë 5 fëmijë, njeri prej të cilëve është Danieli, të cilit i dedikohet ky shkrim.

E mirepresim komentin tuaj...