Refreni i shpirtit… si një këngë!

adminDhiata e Vjeter0 Comments

“Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?  Unë, Zoti, hetoj zemrën, vë në provë mendjen për t’i dhënë secilit sipas rrugëve të tij, sipas frytit të veprimeve të tij.”  

Jeremia 17:10-11

Shpirti po kërkon të thotë diçka… Dhe shpesh flet përmes muzikës që na i lëmon telat e zemrës.

Shpirt pangopur, peng në kohë, / Natën gjumin nuk e njoh./ Endem nëpër shtigjet e vetmisë, / Sytë më shohin bardhë e zi. / Jam njeri e s’jam njeri, / Zhytur thellë në baltën e lakmisë.

(Kënga ‘Kam nevojë’, Alban Skenderaj dhe Elinel.)
Një shpirt që ngjan me varkën me rrema në videoklipin shoqërues. Një shpirt… në kërkim të një bregu ku të ankorohet, në kërkim të mbërritjes së një destinacioni, në përpjekje për ti ikur bardhezisë që ngjall vetmia, në përpjekje për të mos ngecur në baltën e cektinave bregdetëse.

Shpirti njerëzor është i pangopshëm. Dietat që i ofron kjo botë nuk ushqejnë. Netët pa gjumë, ndjenja e vetmisë në mes të njerëzve, prishaqejfet e herëpashershme (ose stresi në gjuhën moderne!) dhe trishtimi që askujt nuk ia ndien për ty si njeri. Të gjitha këto janë si kaloritë boshe. Të bukura për t’u parë; të lehta për t’u përtypur; trazuese për stomakun.

Jeta është mundim kontstant për të mbijetuar dhe vuajtja është pjesë e saj. Por e Vërteta është ndryshe. Shpirti nuk do të mbijetojë, do të jetojë.

Shpirti ynë do lirinë. Ka nevojë, siç e thotë kënga, të mos ketë frikë, të ketë paqe. Ka nevojë për një mik. Të qeshë, të qajë me mall, të ndihet gjallë.

Ku mundet shpirti ynë i lodhur në tallazet e kësaj jete, të gjejë jetë.

Shpirti e thotë kërkesën e tij. Ashtu siç na duket se gjejmë njëfarë paqeje te shtëpia e atit e nënës sonë, shpirti lëngon për shtëpinë. Fakti që shpirti nuk ngopet në këtë jetë, na tregon se ai është i përtejkësojetshëm.

Siç e theksoi me mjeshtëri këtë ide edhe akademiku i Oksfordit, C.S. Luis: “Unë kam një dëshirë brenda vetes që nuk e kënaq asnjë përvojë në këtë botë; shpjegimi më i mundshëm është se unë jam krijuar për një botë tjetër.”

Është një liri, një dashuri, një plotësi që nuk e mbush asgjë tjetër, veçse Ai që e ka krijuar. Në kohën tonë e kemi mbushur kokën me mendimin se gjithçka që ka lidhje me Perëndinë është një ritual, një kotësi a një gjë e njerëzve të pamend. Por shpirti ynë nuk na miraton, duke kërkuar dëshpërimisht lidhjen me atë që të do pa kushte. Ai do një Mik që bota nuk ta ofron.

Në rebelimin njerëzor ndaj Atit, ne e dimë gjithashtu mirë se shpirti nuk i duron marrëdhëniet e prishura. Aq më tepër me Atin, atë që e krijoi shpirtin tonë.

Shpirti thotë: NUK dua të mbijetoj, dua të jetoj!

Për ta përmbushur këtë nevojë, le të sigurohemi që e kuptojmë vërtet thirrjen e zemrës. Jo të një zemre që gënjehet kollaj… Por të një zemre të hetuar nga e vërteta e Perëndisë… Siç na e kujton profeti Jeremia:

“Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë? Unë, Zoti, hetoj zemrën, vë në provë mendjen për t’i dhënë secilit sipas rrugëve të tij, sipas frytit të veprimeve të tij.” (Jeremia 17:10-11)

Dhe pastaj, me zemër të pastruar, t’i kthehemi dashurisë së Perëndisë, së mishëruar nga Jezusi i Nazaretit. Sepse “… Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Romakëve 5:8)

Dhe për ta mbyllur me thirrjen e reperit Elinel, mos u ndal, jeta e ka një qëllim.  Të mbërrish bregun matanë, të takosh Atin, të njohësh Zotin më mirë.

Me besu që me kon i mirë n’jetë e ka një qëllim, / Hapin jo nuk e ndal, Jo nuk e ndal, / Kam nevojë më shumë se kurrë të ndihem gjallë.
(Kënga ‘Kam nevojë’ nga Alban Skenderaj dhe Elinel.)

Dhe kur ta njohim atë që na pastron zemrën, atëherë, refreni i shpirtit do të jetë më shumë se një këngë.  

Kam nevojë për besim, / jetën ta rroj me kuptim, / Të kem paqe thellë në zemër, / Të të thërras ty Mik në emër.
Të besoj ty Zot i lartë, / Kam nevojë të t’them më fal, / Të qesh, të qaj me mall, / Të ngop shpirtin n`tënden fjalë. (versioni im i refrenit).

Rreth Autorit
mm

Agustin Prenga

Agustin Prenga ka mbaruar studimet për drejtësi. Eshtë drejtues i lëvizjes rinore IJR Student, degë e Institutit Jeta e Re. Shkruan dhe mban leksione mbi çështje të besimit, zhvillimit personal dhe udhëheqësisë. Ka pasion të ndihmojë të rinjtë të arrijnë maksimumin e potencialit të tyre. I pëlqejnë librat, futbolli, ecja në natyrë dhe udhëtimet. Është shijues i thekur i kafes, ideve dhe humorit. Mund të lexoni rregullisht shkrimet e Agustinit te faqja imakiato.com.

E mirepresim komentin tuaj...