Rritja sipas mënyrës sime…

adminDhiata e Re0 Comments

Por Zoti më ndenji pranë dhe më dha fuqi, që me anën time predikimi i ungjillit të kryhej plotësisht…Edhe Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më ruajë për mbretërinë e tij qiellore. (2 Timoteut 4:17-18)

“Kur të rritem, do të martohem me një vajzë si mami, do të marr makinën, do t’ju lë juve këtu në Dallas dhe do të shkoj në Kolorado. Këtë do bëj!” Ai e mbaroi fjalinë në lot! Shpërthimi i nervave të djalit tim 5-vjeçar ishte krejt i zakonshëm për moshën e tij, por atë ditë u surprizova.

Pas një buzëqeshje të natyrshme prej fjalëve të tij prej të rrituri – dhe një bisede të shkurtër baba-bir – më erdhën ndër mend njerëz që në shpresën se do të sigurojnë çfarë ju mungon, vendosin të largohen nga familja e besimit dhe braktisin Perëndinë.

Apostulli Pal, i listoi disa prej këtyre besimtarëve, në letrën e dërguar Timoteut, letër e shkruar nga fundi i jetës së tij. Dikur miq por tani kundërshtarë. Himeneu dhe Fileti e përbuzën besimin dhe blasfemuan Perëndinë. Ata e lanë mënjanë të vërtetën duke hedhur poshtë shpresën e ringjalljes (2 Timoteut 2:16-18). Aleksandri, synoi të dëmtonte Palin, dhe Apostujt e tjetër. Në të njëjtin model, Dema, njëherë e një kohë shërbëtor i Ungjillit bashkë me Palin, tradhëtoi, sepse “deshi këtë botë” (2 Timoteut 4:10, 14-15).

Në bashkëudhëtimin tim të besimit me Perëndinë, mendimet e braktisjes së të vërtetës më kanë vizituar herë pas here. Megjithëse në mosha të ndryshme me tim bir, qëndrimi im ngjason shumë me reagimin e tij. Edhe unë, filloj t’i mbush mendjen vetes, se meqë po rritem, mund të zgjedh më mirë se Zoti për të ardhmen time, duke u larguar nga streha e mirë e familjes së besimit.

Herë pas here miqtë më kanë kthyer kurrizin. Edhe pse i gjendur në mes të një ambienti ku punohet për të arritur qëllimet e Mbretërisë së Perëndisë, ndjenjat e braktisjes nga të tjerët – miq e dashamirës dikur, por kundërshtarë në kohëra të tjera – më nxisin për të gjetur zgjidhje larg Perëndisë. Në fund të fundit, përse Perëndia i lejon të tjerët të më braktisin e të më lëndojnë? E megjithatë, duhet ta ruaj besnike zemrën!

Apostulli Pal, në fund të letrës së tij, duke inkurajuar Timoteun t’ju qëndrojë pikërisht këtyre sfidave, ofron një përgjigje edhe për ne.

Edhe kur miqtë e braktisën, Perëndia qëndroi me të! E forcoi dhe e ndihmoi për të përmbushur misionin; shpalljen e ungjillit!

Pali theksoi bindjen e tij, se premtimet e Perëndisë janë rruga e duhur për të shmangur braktisjen dhe sulmet e të tjerëve. “Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më ruajë për mbretërinë e tij qiellore”, i shkruajti Timoteut.

Perëndia ofron të njëjtën shpresë edhe për ne.

Megjithëse unë edhe djali im mund ta shijojmë një udhëtim në Kolorado të Amerikës dikur, është mirë që të mësojmë të heqim dorë nga pamja jonë për realitetin… Të mos rritemi sipas mënyrës sonë, duke e braktisuar të vërtetën, por të rritemi duke i besuar Atij!

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...