Shenjtorët që i pëlqen toka edhe qielli…

adminDhiata e Re0 Comments

“… Paçi hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht… kur Zoti Jezu Krisht të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet… kur ai të vijë, atë ditë, për të qenë i lavdëruar në shenjtorët e vet, për të qenë i admiruar në mes të atyre që kenë besuar, sepse dëshmia jonë tek ju u besua. Edhe për këtë ne vazhdimisht po lutemi për ju… që të lëvdohet emri i Zotit tonë Jezu Krisht në ju dhe ju në të, sipas hirit të Perëndisë sonë dhe të Zotit Jezu Krisht.” 2 Thesalonikasve 1:2, 7, 10, 11-12

 

“Nuk ndodh shpesh të dëshmosh një njeri pishtar të festuar tokë e qiell”.

Mikja ime, Brunilda Rustani, ka shkruar më mirë se unë, një mendim që e kam përtypur prej ditësh, ndërsa gjithë bota, po vëren të shpallurit shenjtore të kishës katolike të Nënë Terezës. Ndërsa po shkruaj, në të gjitha ekranet televizive shqiptare, po transmetohet dhe komentohet ceremonia e rastit.

Dhe të bën përshtypje, sesi një botë, sidomos bota jonë shqiptare, e mbushur me urrejtje, me vrasje e inat të shprehur dendur, sidomos në ekrane, të bën përshtypje, se si pikërisht në këto ekrane, lartësohet një figurë, e cila, tiparin dallues të saj, e ka pasur përkushtimin e pakusht për Zotin…

A thua u bëmë një shoqëri që vlerëson përkushtimin fetar deri në ekstrem?

Natyrisht, vlerësimi nga konteksti shqiptar, ka lidhje jo vetëm me përkushtimin e saj ndaj Jezus Krishtit, por edhe mundësinë për t’u krenuar si komb me një figurë të njohur botërore…

Megjithatë, ky është rasti, ku dukshëm, një njeri, një shqiptare, po nderohet si në qiell e ashtu në tokë.

Dhe ky është rasti gjithashtu, për t’i kujtuar vetes, se si shqiptarë, kemi mundësi, që të nderohemi edhe në qiell edhe në tokë – thjesht duke pasur një përkushtim pa kushte, ashtu si Nënë Tereza, një përkushtim pa kushte për Perëndinë e Universit.

Deklarata doktrinare e Vatikanit, thekson për Shenjtorët e Kishës, sepse kemi nevojë për shembuj besimi. “Perëndia iu tregon njerëzve, në një mënyrë të gjallë, Praninë e tij dhe Fytyrën e Tij në jetën e atyre bashkëudhëtarëve tanë në gjendjen njerëzore të cilët janë transformuar në mënyrë më të përsosur në imazhin e Krishtit. Ai na flet ne përmes tyre dhe na ofron një shenjë të kësaj mbretërie, rreth së cilës jemi të tërhequr fuqishëm…” (Lumen Gentium, Nr. 50, Vatikani II).

Mua më ngjan pak, kjo deklaratë, me thirrjen e Palit, ndërsa iu drejtohej besimtarëve në Selanik, duke iu theksuar se Jezusi do të kthehet, për t’u lavdëruar mes shenjtorëve të tij – në këtë rast, të gjithë atyre që ndjekin mësimet e Jezusit me besnikëri. Se një ditë, ai do të kthehet edhe, detyra jonë si shenjtorë, si ndjekës të Jezusit, është të bëhëmi gati për kthimin e tij… Duke jetuar një jetë të denjë, si ajo e Nënë Terezës.

Shpresh, si të krishterë, kemi nevojë që bota të na vlerësojë. Ndërsa qielli na vlerëson vetëm me një akt të thjeshtë e të sinqertë zemrë përkushtimi ndaj Jezusit, edhe bota, do të mësojë të na vlerësojë për shkak të dashurisë, një dashurie të ngjashme me atë të Nënë Terezës për botën, dashuri e cila i ngjan shumë dashurisë së Jezusit për botën… një dashuri që e çoi atë në sakrificën përfundimtarë të vdekjes në kryq…

Dhe fjalët e vetë Nënë Terezës, ndërsa po pranonte çmimin Nobel për paqe, e thonë thjeshtë, se kemi të gjithë mundësi ta përjetojmë e t’ia tregojmë botës këtë lloj dashurie:

“është bukur për ne që të bëhemi të shenjtë ndaj kësaj dashurie, sepse shenjtëria nuk është luksi i disave, është detyra e thjeshtë e secilit prej nesh, e përmes kësaj dashuria mund të bëhemi të shenjtë”.

Kur ke këtë përkushtim radikal ndaj Krishtit, edhe qielli edhe bota të do e të vlerëson! E në mos na vlerësoftë tani, do ta bëjë kur ta kuptojë…

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...