“Por engjëlli u tha atyre: ”Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.” Luka 2:10
Ne jemi qenie të krijuara prej një Perëndie të njohshëm që na njeh jo vetëm për emër e fytyrë. As vetëm për fjalë.
Ai di zemrën tonë, e kupton nga larg mendimin tonë, i di fjalët shumë më parë se të jenë në gojën tonë. I njohshmi, i njeh thellë të gjitha rrugët tona. (Psalmi 139:1-4)
Përballë këtij realiteti qëndron realiteti ynë, i një vetënjohurie në dukje të madhe. E njohim apo jo Zotin që na ka krijuar, e besojmë apo jo, gjithmonë kemi një listë të madhe me dëshira, nevoja, kërkesa që presim të na përmbushen. Lutemi të na bëhen pjesë e jetës tonë për të na e bërë jetën më të mirë.
Teksa isha duke rilexuar këtë periudhë Krishtlindjeje historinë e lindjes së Jezusit, zemra m’u mbush me mirënjohje e siguri kur kujtova se me lindjen e Shpëtimtarit, na është plotësuar tashmë prej Perëndise nevoja më e madhe që ne kemi.
“Por engjëlli u tha atyre: ”Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.”
Krishti lindi për të na shpëtuar nga vdekja, kur ne ende ishim të verbër nga mëkati. Ai erdhi dhe e bëri veten të njohshëm e të prekshëm, për ta bërë nevojën tonë më të madhe, një nevojë të përmbushur.
Shpëtimtari u premtua kur ne ende nuk e kishim kuptuar se na duhej nje Shpëtimtar.
Ai lindi pa qenë ne ende të vetëdijshëm për nevojën që kishim e do të kishim, që sot e përjetë, jeta jonë të jetë më e mirë. Ky Perëndi që di përtej njohurisë tonë dhe jep përtej njohurisë tonë, është i njejti Perëndi që siguron për nevojat tona edhe sot.
Sot, festojmë që përkujdesi i Tij, është i plotë dhe i vërtetë.
Gëzuar Krishtlindjen!