Shpëtimtari në një grazhd!

adminDhiata e Re, Krishtlindja 20180 Comments

“Por engjëlli u tha atyre: ”Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti. Dhe kjo do t’ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd”. Luka 2:10-12  

“Por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.” Gjoni 10:10 

Çuditërisht atë ditë nuk kishte as festë, as drita, as darka të shtruara.
Perëndia i ardhur në trajtë njeriu, Ai që do të mbante mbi supet e Tij mëkatin e botës, do të vinte si një bebe, me kockat e tij të brishta dhe me butësinë e një foshnje.

Askush nuk bëri ndonjë festë me rastin e ardhjes së Tij, askush nuk e brohoriti, nuk i bënë as darkë, as kishte atmosferë festive, as drita, as buzëqeshje. Do të vinte mes dhimbjeve të një gruaje të quajtur Mari, për të cilën nuk do të gjendej dot as një vend i përshtatshëm për të lindur. Trupi i Shpëtimtarit të botës do të vendosej në nje grazhd.

Një grazhd do të ishte vendi ku do të lindte Princi i Paqes, Ati i përjetshëm, Ai-Fillimi dhe Mbarimi. Po, po… do të lindte aty në një grazhd, në një stallë të vjetër. Shpëtimtari i botës do të vinte në këtë mënyrë – i përulur, i pambrojtur, pa nderime, – dhe kishte ardhur për të na shpëtuar, për të na dhënë jetë, jetë me bollëk.

Por megjithatë, asgjë nuk e ndal Zotin Krisht, të vijë në formën tonë, i përulur si një nga ne dhe të dhe të vdesë në formën më mizore për këtë botë.

Atë ditë, Perëndia erdhi mori trajtë njerëzore për ne, u bë Perëndia Emanuel (Perëndia me ne), për të na dhënë mundësinë që përmes Tij të mund të merrnim shpëtimin dhe jetën e përjetshme. Erdhi në një grazhd, Biri i Perëndisë që fal mëkatin e botës.

Ky foshnje do të ishte Shpëtimtari i të gjithë botës, një herë e përgjithmonë, pa dallim për të gjithë që e besojnë lajmin e Tij.

Mes gjithë kontrastit të fuqishëm të asaj çfarë ndodh sot dhe çfarë ndodhi atë ditë, unë dua të festoj Jezusin që erdhi si foshnje në një grazhd dhe vdiq si keqbërës në kryq, për shkakun tim. Ç’dashuri e madhe!

Ndaj dua të festoj Shpëtimtarin e grazhdit, të ngritur në lavdi, dritën e kombeve.

Dhe kjo nuk është vetëm festa e një dite. Shpëtimtari duhet festuar çdo ditë.

Gëzuar Krishtlindjen!

Fotoja bashkangjitur është shkëputur nga filmi “Njeriu dhe Zogjtë”.

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

E mirepresim komentin tuaj...