Shpirti i vërtetë i Krishtlindjes!

adminDhiata e Re, Krishtlindja 20180 Comments

“Dhe ndodhi që, sapo Elizabeta dëgjoji përshëndetjen e Marisë, fëmija i kërceu në bark, dhe Elizabeta u mbush me Frymën e Shenjtë dhe thërriti me zë të lartë, duke thënë “Ti je e bekuar ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd” Dhe nga po më ndodh kjo, që nëna e Zotit tim të vijë tek unë?” Luka 1:42-43

“Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!”. Luka 2:13-14

Nuk po u besoja syve ndërsa po ecja me makinë dhe po shikoja dekorimet e Krishtlindjes të valëviteshin mes pemëve dhe shtyllave që në ditët e para të Nëntorit. Në fillim, mendova, “a mos kanë qenë zbukurimet këtu gjatë gjithë vitit? Por nuk kishte mundësi sepse kaloj shpesh asaj rruge. Pastaj më kaloi ndër mend se mos ndoshta punëtorët e ndërmarrjes së zbukurimit po planifikojnë që të mos jenë në punë në ditët e zakonshme të dekorimit të qytetit. Pastaj erdhi një mendim i tretë, ndoshta më i logjikshëm, duke u kujtuar për praktikat e viteve më parë. Ndoshta ideatorët kanë menduar që të fillojnë më herët atmosferën që sjell kjo festë, nën frymën e tregëtisë, që ka mbizotëron festa të tilla.

Xhirot në rrugët e zbukuruara gjithmonë më kanë shijuar, sepse kjo është koha e vetme që toka i ngjan më shumë qiellit.

Festa e Krishtlindjes është një zakon i përhershëm në kërkim të lumturisë, përmes shkëmbimit të dhuratave dhe miqësisë me të afërm, me tavolinën plot me gjel deti e ushqime të shijshme që s’mbarojnë gjatë darkës.

Por për disa, kjo festë globale, është një ditë e trishtë, për shkak të pamundësisë për të shkëmbyer dhurata apo që të mund të mblidhen së bashku me të dashurit e tyre. Duhet të ishte gëzim i madh, por për disa nuk është kështu.

A ka më shumë se kaq Krishtlindja? A është ky kuptimi i vërtetë i festës? Për të gjetur përgjigje, duhet të kthehemi te atmosfera dhe festimi i Krishtlindjes së parë.

Pjesëmarrësit e parë të Krishtlindjes festuan ndryshe. Elizabeta, kushërira e Marisë, kur takoi Marinë shtatzanë, fëmija e saj në bark, kërceu nga gëzimi (Luka 1:41-43). Dhe ajo, nuk e mbajti dot brenda vetes gëzimin por thirri “me zë të lartë…: “Ti je e bekuar ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd”. (v. 42).

Burri i Elizabetës, Zakaria, tha këto fjalë për Mesian që do të vinte përmes Marisë: “Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit sepse  e ka vizituar dhe i bëri shpengim popullit të vet dhe na ngriti bri shpëtimi në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet” (Luka 1:67-69)

Dhe Krishtlindja e parë vazhdon me një ushtri të madhe qiellore që lavdëronte Perëndinë duke kënduar: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e Tij!” Luka 2:14

Dhe vazhdon kori i lavdëruesve, me një grup barinjsh që i thurin lavde Perëndisë për gjithçka kanë parë e dëgjuar. Më pas një person unik, që quhej Simeon, kishte vite që po priste ardhjen e Mesias. Ai ishte një njeri i drejtë e i përkushtuar ndaj Perëndisë.

Të gjithë këta personazhe duket qartë që kanë një njohje të mirë të Perëndisë. Edhe të gjithë – Elizabeta, Zakaria, engjëjt, barinjtë, Simeoni – kishin vetëm një reagim ndaj lindjes së Krishtit: Adhurim!

Shpirti i Krishtlindjes, në reagimin e tyre, ishte lavdërimi dhe falenderimi i Perëndisë për ardhjen e Jezusit.

Adhurim! Çdo njeri po adhuronte Perëndinë. Adhurimi është thelbi i Krishtlindjes. Nga ne kërkohet një qëndrim adhurues ndërsa përgatitemi që të festojmë ardhjen e Shpëtimtarit. Për ne, para së gjithash, kjo është një mundësi adhurimi. Kërkohet një zemër e mbushur plot me mirënjohje për veprën e Perëndisë. Një adhurim total për ardhjen e Shpëtimtarit.

Krishtlindja është koha më e mirë për të adhuruar totalisht Jezus Krishtin, Birin e Perëndisë. Le të mos lejojmë rrethanat që të na e ulin standardin e përkushtimit ndaj Tij gjatë kësaj kohe.

Gëzuar Krishtlindjen!

Photo Credit: Jaron Johns

Rreth Autorit
mm

Elton Manelli

Elton Manelli shërben prej 15 vitesh me Institutin "Jeta e Re", nga të cilat 7 me shërbesën e shkollave të mesme (Të Rinjtë në Prag të Jetës) dhe në 8 vite me fillimin dhe zhvillimin e dy kishave lokale në Tiranë. Aktualisht është i përkushtuar për të ndihmuar fillimin e kishës së tretë. Zoti ka vendosur në zemrën e tij një dashuri dhe përkushtim të veçantë për kishën lokale. Bashkë me gruan e tij Oltën, janë prindër të dy fëmijëve.

E mirepresim komentin tuaj...