Jezusi dhe krizat e botës…

adminBibla, Dhiata e Re, Krishtlindja0 Comments

Shpresë në Tablonë e Madhe (titulli në origjinal)

“…por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë.” Galatasve 4:4–5

Gjatë Krishtindjes së parë, sytë e të gjithë njerëzve ishin mbi Augustin, Cezarin cinik i cili kërkoi të bëhej një regjistrim i popullsisë në mënyrë që të llogariste rritjen akoma më shumë të taksave. E kush donte t’ia dinte në atë kohë për një çift të ri, i cili duhet të bënte një udhëtim prej afërsisht 130 km në jug të Nazaretit? E çfarë mund të ishte më e rëndësishme sesa vendimi i Cezarit në Romë, apo dekretet e marionetës së tij, Herodit, në Jude?

E kush donte t’ia dinte për një foshnjë hebreje të lindur në një hangar të errët dhe të panjohur në Betlehem?

Vetëm Zoti!

I madhërishmi August as nuk e kuptonte që ishte vetëm ‘djali i shpërndarjes së porosive’ për fillimin e “mbushjes së kohës” (Galatasve 4:4). Ai ishte një gur shahu në dorën e Zotit, një fletë e hollë ndihmëse në faqet e profecisë.

Ndërkohë që Roma ishte e zënë duke shkruar historinë, Zoti mbërriti. E fokusuar te rimëkëmbja nga pasojat e Aleksandrit të Madh, Herodit të Madh dhe Augustit të Madh, bota nuk i kushtoi rëndësi foshnjës Jezus.

Akoma nuk e bën!

Njëlloj si në ditët e Jezusit, edhe sot kohët që po kalojmë janë të dëshpëruara. Për më tepër, ato janë një shpërqendrim që na pengon të shohim tablonë e madhe. Ashtu si krizat politike, ekonomike dhe shpirtërore të shekullit të parë përgatitën terrenin për të ardhur “mbushja e kohës”, po ashtu edhe sot, në kohët e pamëshirshme që po jetojmë, Zoti ynë po end tapicerinë e vet sovrane për të përmbushur vullnetin e Tij hyjnor.

Kohët janë me të vërtetë të vështira, por ato kurrë nuk e gjejnë Zotin të papërgatitur. Ai vazhdon të jetë sovran. Ai vazhdon të jetë në fron.

A ndiheni në ankth për këto ditë të vështira? Unë ju kuptoj! Kohët nuk ishin shumë ndryshe në kohën kur lindi Jezusi. Për shkak se shumë jetë janë kthyer përmbys gjatë këtij viti, për një arsye apo për një tjetër, ne duhet të reflektojmë mbi atë që po bën Zoti në jetët tona. Krishtlindja është një kohë e mirë për të pyetur veten nëse do të fokusohemi te Jezusi si qendra e jetës sonë dhe të kapemi pas Tij pavarësisht situatave me të cilat po përballemi.

Korrupsioni politik, kompromiset fetare, krizat ekonomike—këto do të jenë gjithmonë në faqe të parë, por ne nuk duhet të harrojmë që Perëndia ynë është në fron. Ai premton se do t’i përdorë periudhat e errëta kohore për të përmbushur vullnetin e Tij të madh dhe të mirë nëpër të gjithë botën dhe thellë në brendësi të jetëve tona.

— Dr. Çarls Suindoll
Predikues, pastor, teolog, autor i shumë librave, ish-president i Seminarit Teologjik të Dallasit.

Ky inkurajim është përkthyer me leje nga seria e Inkurajimeve të Krishtlindjes, inkurajime të shkruara nga profesorë të Seminarit Teologjik Të Dallasit, në Dallas, SHBA.

E mirepresim komentin tuaj...